Ngjela: Hoxha, Shehu, Kapo e Balluku si familjet mafioze të Nju Jorkut

Dec 29, 2011 | 12:48
SHPËRNDAJE
Spartak Ngjela

Ngjela: Enver Hoxha i dha pushtet Mehmet Shehut nga frika se mos e rrëzonte Hrushovi.

Spartak Ngjela thotë se ka tentuar ta analizojë komunizmin në rrafsh botëror dhe raportet e tij me atë shqiptar në librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Në intervistën për “Panorama”, Ngjela flet për katërshen mafioze që drejtoi shtetin komunist deri në vitin 1970 dhe arsyet pse më pas Enver Hoxha e eliminoi elitën komuniste në drejtimin e Partisë së Punës në funksion të pasardhësit që do t’i ruante të pacenuar familjen dhe kultin e tij personal.

Z. Ngjela, në librin tuaj “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, keni identifikuar një katërshe tek e cila ishte përqendruar i gjithë pushteti në Shqipërinë komuniste: Hoxha, Kapo, Shehu dhe Balluku. Madje ju këtë e keni krahasuar me pesë familjet mafioze të Nju Jorkut. Gjykoni që ideologjia komuniste ishte thjesht një koperturë e tyre për të mbajtur me dhunë sa më gjatë pushtetin, apo atë përfituan nga marrëveshja e Jaltës, që e la Shqipërinë nën influencën e Lindjes?
Kam përshtypjen se kjo pyetje duhet trajtuar më gjerë në sensin historik. Unë jam i pari që në publicistikën historike shqiptare, kur vjen fjala për të trajtuar periudhën e diktaturës komuniste, kam folur për katërshen shqiptare si instrumenti kryesor në mbajtjen e pushtetit në Shqipëri që nga viti 1959 e deri në vitin 1979. Në fakt, ky ka qenë një realitet, që katër njerëz të fuqishëm, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Beqir Balluku, u bashkuan jo nga rasti, por për të ruajtur pushtetin pas presioneve që politika sovjetike bënte për të rrëzuar Enver Hoxhën në Shqipëri. Në librin tim e kam trajtuar këtë katërshe jo si katër mafiozë në kuptimin e drejtpërdrejtë të kësaj fjale, por si katër grupime të mëdha që në strukturë u ngjanin pesë familjeve mafioze të Nju Jorkut, sepse, në fakt, dilnin jashtë sistemit legal që funksiononte në Shqipëri, madje edhe jashtë strukturës statutore të Partisë së Punës. Me këtë kam dashur të them se ky ishte një bashkim joinstitucional, por që kishte gjithçka në dorë. Kjo është një e vërtetë, dhe ju këtë mund ta gjeni edhe në dokumentet e kohës. Enver Hoxha u detyrua ta krijonte këtë grupim që qëndronte mbi të gjithë, sepse këta ishin, në fakt, realisht persona që kishin mbrapa përkrahës. Kjo është normë për politikën. Por, duke qenë në rrezik nga likuidimi që ka dashur t’i bëjë Hrushovi, ai e dinte nga eksperienca e diktaturave komuniste se nëse politika sovjetike nuk do të kishte një njeri të fortë brenda Partisë së Punës, nuk kishte mundësi ta rrëzonte. Dhe prandaj Hoxha i kapi tre të mundshmit që mund ta rrëzonin, sidomos Mehmet Shehun, dhe u dha pushtet përpara se sa këtë t’ua premtonte Nikita Hrushovi. Madje, po ta shohësh më thellë, loja ishte për të neutralizuar Mehmet Shehun, gjë të cilën ai e arriti.
Ky është arsyetimi im, dhe kjo është në fakt dhe vetë politika. Njeriun e fortë brenda vetes, ose do ta kapësh ti, ose do të ta kapë kundërshtari. Prandaj Hoxha kishte vepruar përpara se sa të vepronte Hrushovi, sepse kur u kujtua Hrushovi që të kapte Mehmet Shehun, ky ishte angazhuar me Enver Hoxhën. Dhe kjo del qartë në libër, e arsyetuar dhe e analizuar kështu. Kurse përsa u përket koniunkturave ndërkombëtare, ato sigurisht që kanë luajtur rolin e tyre; edhe Jalta gjithashtu, por e rëndësishme është të theksoj se libri im nuk është analizë personale personash, ata janë parë si individë që kanë luajtur historinë e tiranisë në Shqipërinë komuniste; kurse libri e ka theksin te përshkrimi i një epoke historike totalitare komuniste e përplasur me demokracinë liberale dhe me qytetërimin perëndimor. Nuk ka mundësi të kuptohet tirania komuniste në Shqipëri nëse e shkëput atë nga një histori europiane dhe botërore të totalitarizmit stalinian. Dhe unë mendoj se e kam arritur këtë, dhe lexuesi i kualifikuar, madje, më ka befasuar më kapjen e thellë që i ka bërë librit, ndonëse është ende vetëm një volum.
Mund të na i përcaktoni vijat ose paralelet historike të librit tuaj, duke përmendur të dyja volumet?
Libri përbëhet nga dy vëllime, të ndara në katër libra. Deri tani janë botuar dy libra të përmbledhur në një volum, prandaj janë për t’u botuar dhe dy libra të tjerë, që përbëjnë volumin e dytë. I gjithë punimi, që shkon në mbi 1000 faqe, është strukturuar si letërsi kur ecën në udhën e atyre që mund të quhen kujtime ose ngjarje vetjake; ai është strukturuar si trajtim psikologjik kur analizon shoqërinë në konfront më diktatorin apo vetë regjimin komunist në Shqipëri; është shkruar me stil të publicistikës së historisë dhe i qëndron strukturës së historicizmit kur ai merret me historinë e mirëfilltë; libri ka karakter antropologjik kur analizon kulturën shqiptare dhe, së fundi, ka karakter filozofik kur analizon periudhën historike dhe zhvillimin e Shqipërisë, kur analizon tërësinë e konceptit modern të zhvillimeve brenda vendit dhe në rrafsh ndërkombëtar. Nën këtë metodë, atje janë përplasur vullnetet e diktatorëve, kur është fjala mes Hrushovit dhe Enver Hoxhës, apo Maos dhe Hoxhës gjithashtu; është përplasur psikologjia e grupit dhe diktatorit, kur është analizuar tabuja shqiptare, si u krijua dhe çfarë ajo solli në rrafshin e psikologjisë shqiptare si masë; dhe ka përplasje gjykimesh me karakter filozofik kur është analizuar qytetërimi perëndimor, epoka e pasluftës, koha moderne, postmodernizmi apo dhe vetë totalitarizmi. Të gjitha këto mund të quhen paralele të librit, të cilat, sigurisht se mendoj që do të marrin më shumë forcë dhe do të plotësojnë njëra-tjetrën kur lexuesi do të ketë në dorë edhe volumin e dytë, i cili është thuajse sa ky i pari për numër faqesh.
Në librin tuaj ju i ndani në dy periudha kohore spastrimet në kupolën e lartë komuniste, atë të para viteve ’70, ku Enver Hoxha eliminonte kundërshtarët e tij politikë duke u mbështetur në koniunkturat jugosllave, sovjetike; dhe pjesën pas viteve ‘70, kur nisën likuidimet në funksion të pasardhësit të diktatorit. Ku e mbështesni idenë se Hoxha zhduku përkrahësit e vet më të afërt për Ramiz Aline dhe pse këta të fundit nuk e ndaluan dot Hoxhën e dobësuar dhe nga sëmundjet pas vitit 1973?
Në libër unë i ndaj të goditurit në dy periudha, sepse deri në vitin 1970 Hoxha i goditi bashkëpunëtorët e tij në funksion të pushtetit të tij, kurse pas vitit 1970 ai i goditi më shumë për të garantuar pasardhësin e vet që do t’i ruante familjen dhe figurën e tij të pacenuar. Hoxha nuk ishte një Kim Ir Sen që ta linte djalin në pushtet me një kult, sikurse u pa në Kore me djalin e diktatorit Kim. Kjo sepse ai nuk mund ta bënte dot pa eliminuar katërshen dhe, me sa arsyetoj dhe analizoj unë, nuk e ka pasur këtë ndjesi të brendshme si propensitet natyror. Hoxha ishte një tip diktatori si Stalini, që nuk ishte interesuar për të ardhmen e një pushteti dinastik. Dhe kështu kishte vijuar deri në vitin 1967. Por, në këtë vit, Revolucioni Kulturor kinez i Mao Ce Dunit sikur e gjallëroi disi për t’u kujtuar për pasardhësin. Në fakt, kjo ka qenë dobësia e tij kryesore, e cila shkatërroi të gjithë sistemin që ai vetë kishte ngritur. Komunizmi ka qenë ideologji dhe socializmi ka qenë sistem. Jashtë këtyre të dyjave nuk mund ta analizosh periudhën e Enver Hoxhës në Shqipëri. Brenda këtij konteksti historik, Enver Hoxha mbajti brenda një sistem ekstremist stalinian dhe nuk u angazhua ne neostalinizmin e Hrushovit, dhe sidomos në destalinizimin e sistemit që ai kishte ndërtuar. E gjitha kjo është fakt, por ne nuk mund ta dimë me siguri që Hoxha këtë e kishte bindje apo e kishte politikë për pushtetin personal. Shpesh bindjet janë të ngulitura në koshiencë bashkë me interesin, prandaj duke u mbështetur te kjo, unë mendoj se nuk gaboj kur them që Hoxha u drejtua nga interesi i tij, dhe jo nga interesi i sistemit politik që kishte ndërtuar dhe nga interesi kombëtar apo i shoqërisë shqiptare. Duke e parë çështjen kështu, atëherë mbërrijmë në konkluzionin se edhe shkëputja nga Bashkimi Sovjetik dhe Kampi Socialist, por edhe likuidimi i të gjithë plejadës së Luftës Nacional-Çlirimtare, sigurisht që rrjedhshëm vjen te ideja se ai e ka bërë për interes të tij. Po pikërisht këtu del kjo pyetje: po në lidhje me sistemin që mori përsipër të ndërtonte që në vitin 1945, çfarë mund të themi, i qëndroi ai strikt dogmatikës së këtij sistemi? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e kam dhënë në volumin e dytë të librit, por që është një pyetje që ka sens të thekshëm historik. Për të mos u zgjatur, se e keni të analizuar gjatë në volumin që del së shpejti, mund të them se Hoxha nuk iu shmang fare dogmatikës së sistemit, madje e çoi atë deri në ekstrem; por kjo sigurisht që duhet parë: ishte bindje dhe angazhim ideologjik quasi fetar, apo lojë politike e interesit të tij? Gjithsesi, më mirë ta lexoni në librin që vjen.
Por koha e tregoi se pikërisht këtu ai kishte gabuar, sepse interesi i tij nuk ia donte që të likuidonte gjithë autoritetin politik shqiptar nga frika e historisë post mortum të tij; sepse edhe veten si figurë, por sidomos familjen, do ta kishte më të sigurt se sa me një tufë injorantësh me Ramiz Alinë në krye. Sepse sigurisht që historia jonë do të kishte rrjedhur më ndryshe, me reformë dhe me ardhjen në pushtet të intelektualizmit komunist shqiptar, dhe jo të antiintelektualizmit komunist shqiptar. Madje, siç do ta shihni edhe në volumin e dytë, antiintelektualizmi vijon ende në Shqipëri; dhe s’është gjë tjetër veçse një inerci e antiintelektualizmit hoxhian. Hoxha u përball me këtë çështje: intelektualizëm për një sistem liberal komunist, apo antiintelektualizëm për të ruajtur të pacenuar figurën e tij dhe domenin e tij që quhej Shqipëri? Të gjithë e dinë se ai zgjodhi këtë të dytën; dhe kjo del qartë që në volumin e parë të librit, por që sigurisht që formësimin përfundimtar e arrin në volumin e dytë.
E reja që sjell unë në librin tim është jo fakti që Enver Hoxha kishte bërë krime, sepse ai ishte vetë një sistem politik që mbështetej te terrori shtetëror, që nga Moska në Pekin, në Tiranë e kudo në Lindjen Komuniste. Ajo që sjell unë të re është fakti i luftës antiintelektualiste të Enver Hoxhës, e cila ka qenë një dëm kolosal për historinë e shoqërisë shqiptare, dëm ky që vijon edhe sot. Madje unë, që në volumin e parë që keni përpara, e kam ndarë këtë në dy periudha: një periudhë ku intelektualizmi gjeti terren, deri në vitin 1966, dhe ajo tjetra si frymë antiintelektualiste që nisi me vrull nga 6 shkurti i vitit 1967 e derisa sistemi u përmbys.
Kjo ka qenë rruga e Enver Hoxhës, dhe unë e kam analizuar se përse ai ka zgjedhur Ramiz Alinë, disi që në volumin e parë, por, në volumin e dytë kjo merr trajtë të plotë argumentimi: edhe pse e zgjodhi Alinë, edhe pse e lanë dhe nuk u bënë bllok të tjerët për ta frenuar apo për ta rrëzuar. Në këtë volum, pastaj, sigurisht që vjen edhe analiza që konkludon me mendimin që ne ende jemi në inercinë e rënies së sistemit hoxhian të qeverisjes në Shqipëri. Po ashtu, këtu analizohet edhe arketipi i transmetuar i Enver Hoxhës, i cili sigurisht që ekziston ende në shoqërinë shqiptare.
Ju flisni për personazhet e 6 shkurtit 1967, një pjesë e të cilëve janë aktivë edhe sot në politikë, ose të angazhuar në jetën publike. Por mjaft prej tyre, si Tritan Shehu apo Moikom Zeqo, ju kanë përgënjeshtruar në shtyp. A i qëndroni idesë suaj dhe pse?
Unë nuk shtrembëroj faktet, unë i ekspozoj ato. Të gjitha ato që kam thënë janë të vërteta, po të doni drejtojuni shtypit të kohës dhe ata emra do t’i gjeni atje. Keni edhe letra që ndonjërit prej tyre Enver Hoxha i është drejtuar personalisht, ashtu sikurse keni edhe fotografitë që kanë dalë. Një gjë duhet të theksoj: 6 shkurti ka qenë një gjëmë e madhe për Shqipërinë, dhe ajo gjëmë vijon. Siç do ta shihni në analizën e volumit të dytë, lufta kundër intelektualizmit është fenomen komunisto – hoxhian në Shqipëri, dhe shumë prej atyre që e mbështetën këtë luftë nga kompleksi individual i inferioritetit vijojnë edhe sot po me të njëjtën metode: likuidimin e elitave intelektuale në drejtimin e Shqipërisë. Por keni kohë t’i lexoni këto shumë shpejt. Dhe, si edhe në volumin e parë, vetëm fakte dhe asnjë trillim.
Në libër ju analizoni ish-kryeministrin Mehmet Shehu duke e veçuar nga pjesa tjetër e kupolës komuniste. Sipas jush, Mehmet Shehu do ta afronte Shqipërinë me Perëndimin nëse do të pasonte Hoxhën, por sipas kësaj teze, a nuk e eliminoi dhe Hoxha po për të njëjtën arsye? Pra, se ishte agjent i Perëndimit? Kishte në të vërtetë, sipas jush, Mehmet Shehu lidhje të fshehta me Perëndimin, apo ishte thjesht një komunist fanatik më mendjehapur se të tjerët?
Unë në libër kam sjellë fakte reale dhe ato i kam analizuar sipas optikës sime personale. Kjo është metoda për çdo njeri që di të shkruajë. Kam shkruar një libër shumë të gjerë dhe me të pretendoj për shumë. Libri im ka tentuar që, si punim, të analizojë të gjithë diktaturën dhe terrorin shtetëror komunist në rrafsh botëror. Nëse nuk e keni parë këtë, nuk është faji im. Janë analizuar evenimente të mëdha botërore, ku Shqipëria ka qenë pjesë e tyre dhe bashkë me Shqipërinë si vend, edhe politika shqiptare që drejtohej nga Enver Hoxha. Kështu që brenda këtyre evenimenteve, të cilat në vetvete kanë qenë pozitive në funksion të zhvillimit botëror dhe të vetë qytetërimit modern, unë kam analizuar se edhe brenda Partisë së Punës ka pasur forca që nuk mund ta vijonin më rrugën izolacioniste të Enver Hoxhës. Këtu nuk ka arsye tjetër dhe nuk qëndron kjo që keni pyetur ju. Në libër analizohet me fakte që, qoftë Shehu, qoftë Kapoja, do ta ndryshonin gjendjen, sepse Shqipëria kishte nevojë për reformë, edhe ata e kishin në interesin e tyre. Ashtu sikurse thashë, në interes të vet e kishte edhe Enver Hoxha, por ai nuk kishte mundësi të arsyetonte, sepse ishte i kufizuar në arsyetimin politik modern, më i kufizuar nga anëtarët e tjerë të katërshes. Shpesh pasionet e sëmura vërtet të sjellin shpejt në pushtet, por koha është gjithmonë armiqësore nëse nuk di të bësh reforma. Hoxha ishte i bindur se reformimi i gjendjes e rrëzonte; sidomos intelektualizimi i partisë së tij. Kjo ka qenë paraliza e tij mendore, e cila e hodhi në aktin që shkatërroi gjithçka, duke përfshirë edhe veten e familjen e vet. Kjo është arsyeja historike e gjërave: Hoxha e la Ramiz Alinë si pasardhës se e dinte që ishte i paaftë të bënte reformë. Këtu nuk kishte gabuar se koha e tregoi që Ramiz Alia nuk ishte në gjendje të bënte reformë, dhe ju e keni parë se si e katandisi Shqipërinë. Megjithatë, analiza e Ramiz Alisë është pjesa e parafundit të volumit të dytë. Unë e kam trajtuar ashtu siç ishte edhe për të gjitha ato që nuk bëri, edhe ato të tjerat që i bëri gabim; duke përfshirë këtu edhe vonesën në pluralizëm dhe pengesën e madhe që i solli shoqërisë me mendimin që komunizmi do të rikthehej. Alia kërkoi të ndërtonte pluralizmin si një kështjellë kartoni nga ato që vihen në skenat e teatrit klasik; sepse kishte shpresë në ndryshimin e gjendjes në Moskë. Por këtu gaboi edhe për vete, edhe për Shqipërinë.
Përsa i përket mendimit tuaj për lidhjet e Shehut me Perëndimin apo ndonjë tjetri, kjo nuk është paraparë fare në libër. Libri ka një analizë korrekte ekonomike dhe faktet e analiza ime të çon te konkluzioni që Shehu do të ndiqte rrugën e Ten Hsiao Pinit në Shqipëri; domethënë rrugën kineze posmaoiste.
Në analizën tuaj, pse komunizmi shqiptar ishte më i egri në Europën Lindore si në luftën brenda llojit, ashtu dhe ndaj pjesës tjetër të shoqërisë që konsiderohej si “klasat e përmbysura” dhe që në fakt ishte elita ekonomike e vendit, e formuar në kohën e Zogut?
Këtu na duhet të bëjmë një sqarim. Unë në asnjë vend nuk kam thënë se komunizmi shqiptar ka qenë më i egri në Lindjen Komuniste. Jo, sepse në Hungari, në Poloni dhe në Rumani ai ka qenë shumë më i egër sesa këtu në Shqipëri. Por, ajo që ndodhi më vonë e ka krijuar këtë konfondim, sepse pas vitit 1956, e gjithë Lindja Komuniste u shkëput nga terrori shtetëror, ose e zbuti shumë atë, kurse Shqipëria e Enver Hoxhës nuk e bëri dot këtë. Kjo ndodhi sepse Enver Hoxha duhej të rrëzohej. Prandaj në Shqipëri vijoi terrori shtetëror edhe pas vitit 1956, madje deri në fund kur ra regjimi hoxhian. Gjithçka këtu ka qenë e përqendruar në atë që Hoxha deklaronte vijimisht se ishte një shtet stalinist.

Intervistoi: Robert Rakipllari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura