Ngërç, përç, përc…

Feb 27, 2011 | 10:54
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Prej disa kohësh, po flitet e po shkruhet, në mediat tona elektronike, por edhe nëpër gazeta e revista, për ngërçin që paska mbërthyer shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Prej sa kohësh? Oh, që prej zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Këtë ngërç, artificialisht të provokuar, të mbështetur, të ushqyer e të propaganduar brenda e jashtë shtetit përgjithësisht nga e majta shqiptare veçanërisht nga Partia Socialiste dhe patologjikisht nga vetë Udhëheqësi apo Karrocieri i Madh i kësaj partie (nuk po them Timonieri i Madh, sepse ky togfjalësh është përdorur nga kinezët për Kryetarin Mao), po e përjetojmë të gjithë, disa me dhimbje dhe zemëratë, të tjerë me një kënaqësi të mbrapshtë e ndjellakeqe.
Ky ngërç, fryt i neveritshëm i përpjekjeve djallëzore të autorëve apo më saktë të autorit të saj, më ngjan se është më shumë një ngërç i vetë Partisë Socialiste, e cila po përpëlitet midis rinovimit të saj të vonuar, të dhimbshëm, por të domosdoshëm, dhe të qëndruarit besnik mitrës së Partisë së Punës nga doli si me magji, brenda një nate, thuajse në mbyllje të punimeve të kongresit të saj të fundit.
Gjithsesi, fjala “ngërç” në shqipe ka për sinonim fjalën “spazmë”, dy shkronjat e para të së cilës të kujtojnë – meqë anglishtja është shumë në modë në klasën politike shqiptare –, siglën SP, d.m.th. Socialist Party, ndërsa katër shkronjat e tjera të kujtojnë, në të folmen bisedore, fjalën “azmë” ose “azëm”, pra sëmundjen e astmës, që të bllokon frymëmarrjen dhe, me gjithë ilaçet që mund të marrësh, nuk shërohet kurrë krejtësisht. Kështu që, nga filli në gjilpërë, nga Partia Socialiste kalojmë natyrshëm tek azma, pra tek astma e Udhëheqësit apo Karrocierit të Madh të saj, te kjo sëmundje në kuptimin e dyfishtë të fjalës, edhe të mirëfilltë, edhe të figurshëm. E thënë dhe e rithënë më troç, kjo sëmundje e Udhëheqësit apo e Karrocierit të Madh po ia merr frymën vetë Partisë Socialiste, por rrezikon tani t’ia zërë vetë vendit, vetë popullit, duke i zhytur të gjithë në një ngërç të pamerituar.
Mirëpo, fjala “ngërç” më sjell ndër mend edhe fjalën “përç”. Lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës i di mirë, besoj, dy kuptimet e fjalës “përç”. Gjithsesi, po ia kujtoj: Sipas Fjalorit të gjuhës shqipe, botim i Akademisë sonë të Shkencave, Tiranë, 2006, “përç” ka si kuptim të parë “cjap i patredhur” dhe si kuptim të dytë “erë e rëndë e këtij cjapi”. Lind menjëherë pyetja: në këtë kuadër ngërçi të përgjithësuar, cili është ai që bie erë përç? Sigurisht cjapi kokëfortë i kopesë së “majtë”, i kopesë “opozitare”, e cila po e ndjek verbazi përçorin e vet këto kohët e fundit nëpër shtigje të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen e tij! Ç’është përçori? Si, nuk e ditkeni? Fjalori i lartpërmendur e shpjegon kështu këtë fjalë: “dashi ose cjapi që i prin kopesë”! Njëkohësisht, fjala “përçor” të sjell ndër mend fjalën “përçollak” që, gjithnjë sipas të njëjtit fjalor, ka kuptimin “akrep”, d.m.th. “kafshë e vogël helmuese”, por edhe, në kuptimin e figurshëm, “njeri shpirtkeq e tinëzar”. Nëse tërë këto fjalë mund të duken sikur karakterizojnë Udhëheqësin apo Karrocierin e Madh të Partisë Socialiste, faji nuk është i imi, besomë o lexuesi im i nderuar, por bash i Fjalorit të gjuhës shqipe. Nga ana tjetër, fjala “përç” më sjell ndër mend, të paktën mua, edhe fjalën “përçart”. Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj, më pëlqen apo nuk më pëlqen, se kjo fjalë, pra, fjala “përçart”, më kujton, dashur padashur, fjalë e gjeste të Udhëheqësit apo të Karrocierit të Madh të Partisë Socialiste, që të krijojnë përshtypjen, madje edhe bindjen se ky i fundit jo rrallë herë flet përçart, d.m.th. duke qenë në gjendje kllapie, në jerm. Sëmundje e çuditshme kjo  e tija, madje me tipare psikogjene!
Së fundi, por jo më së paku, fjala “përç” të  shpie gati drejtpërsëdrejti te fjala “përc”, e cila më ngjan më shumë kutërbuese sesa kumbuese. Më e keqja është se “përcet” e lëshuara demonstratave e protestave bëhen tejet qesharake kur konsiderohen e duartrokiten si perla të rralla erëmira nga turmat që ngopen me një lugë apo, më saktë, me një garuzhde të zbrazët ku nuk të zë syri as më të voglën groshë qorre e jo më ndonjë kokërr fasule pllaqi!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura