Ngacmohet seksualisht 10-vjeçarja

Aug 31, 2011 | 12:00
SHPËRNDAJE
Astrit Dervishi, i ndaluar nga policia

Një 23-vjeçar është arrestuar të shtunën nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë të mitur 10-vjeçare.I dyshuari për ngjarjen është Astrit Dervishi, i cili është vënë në pranga nga forcat e Komisariatit Nr. 4. Për policinë e kryeqytetit emri i të riut nga Priska e Madhe nuk është i panjohur, pasi katër vjet më parë u arrestua për të njëjtën akuzë. Më vonë rezultoi që kishte kryer veprime të turpshme me dy vajza 9-vjeçare dhe për këtë u dënua. Dervishi është denoncuar në polici nga babai i vajzës së mitur, i cili, pasi ka dëgjuar vajzën se çfarë i kishte ndodhur, i është drejtuar policisë. Burimet nga hetimi i çështjes sqaruan se paraprakisht ai është arrestuar për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”, por vepra penale nuk është përfundimtare, deri në përfundimin e ekspertizës mjekoligjore. Vetëm pasi mjekët ligjorë të kenë arritur në një përfundim të saktë, pas kontrollit mjekësor që i është kryer 10-vjeçares, atëherë vepra do të klasifikohet më me saktësi. Ngjarja për të cilën akuzohet Astrit Dervishi ka ndodhur në fshatin Priskë e Madhe të Tiranës dhe e dëmtuara është kushërirë e dy vajzave me të cilat ai ka abuzuar në vitin 2007, ngjarje për të cilën edhe është dënuar.
DENONCIMI
Në Komisariatin Nr. 4 të Policisë është regjistruar një kallëzim ditën e premte nga babai i një vajze të mitur, i cili akuzon fqinjin e tij 23-vjeçar se i kishte përdhunuar të bijën. Nga ato çfarë i kishte treguar vajza, e cila ishte kthyer në shtëpi duke qarë, rezultonte se Astrit Dervishi e kishte kërcënuar me një objekt të mprehtë që mbante në dorë dhe më pas e kishte detyruar të futej në pyll. Vajza kishte filluar të qante dhe ka bërtitur për të kërkuar ndihmë, por Dervishi ia ka mbyllur gojën duke i thënë se në rast se do të fliste, do ta vriste. Më pas vajza e mitur ka treguar se Astriti e ka zhveshur, duke i hequr të gjitha rrobat që ajo mbante në trup dhe gjithashtu është zhveshur edhe vetë. Por vajza nuk ka mundur të tregojë se çfarë ka ndodhur më pas, pasi ishte e frikësuar, por edhe i vinte turp nga prindërit. Për këtë arsye, ajo është marrë në pyetje nga një psikologe, në prani të nënës së saj. Ndërsa policia, menjëherë pas kallëzimit të babait të së miturës, ka kryer kontrolle në fshatin Priskë, pasi i dyshuari nuk është gjetur në shtëpinë e tij dhe më pas është arrestuar në një shtëpi të braktisur pranë pyllit të fshatit.
DENIMI I MEPARSHEM
Astrit Hysen Dervishi, 23-vjeçar, nga fshati Priskë e Tiranës, i cili u arrestua të shtunën, është dënuar katër vjet më parë për “vepra të turpshme”. Fillimisht ai është arrestuar më 9 prill të vitit 2004, i akuzuar nga prindërit e dy vajzave 9-vjeçare për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”, por më vonë akuza ka ndryshuar, pasi nga ekspertiza mjekoligjore nuk ka rezultuar që ai  kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzat. Më 11 korrik të vitit 2007, Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor Astrit Dervishin për veprën penale, “vepra të turpshme”, parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal. Gjithashtu, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit për dënimin e tij me 5 vjet heqje lirie. Por, me aplikimin e nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, ai përfitoi ulje me 1 të tretën e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 3 vjet e katër muaj burg.

I arrestuari abuzoi me dy vajza në 2007-n

TIRANE – Sipas vendimit të Gjykatës, që është shpallur në korrik të vitit 2007 dhe që e deklaron fajtor Astrit Dervishin, ky i fundit rezulton të ketë kryer veprime të turpshme me dy vajza 9-vjeçare. Sipas vendimit të Gjykatës, më 7 prill 2007, A. P. dhe D. P., të mitura të moshës 9 vjeç, kushërira me njëra-tjetrën, kanë dalë nga shkolla dhe së bashku me kushëririn e tyre, F. P., kanë shkuar për të kullotur bagëtitë në një parcelë që ndodhet disa qindra metra larg banesave të tyre, e quajtur Teferiç. Pas disa minutash qëndrimi, në këtë vend ka shkuar Astrit Dervishi, fqinji i tyre, që në fshat njihet dhe me emrin Titi i Cenit. Dervishi u është drejtuar vajzave me fjalë frikësuese dhe më pas u ka thënë atyre se duhet të shkonin në pyll së bashku me të për të bërë fshesa shqope. Gjithashtu ai ka përzënë kushëririn e vajzave, i cili është drejtuar në banesën e vajzave për të treguar se çfarë po ndodhte. Pas mospranimit nga dy vajzat për të shkuar me të në pyll, i riu ka përdorur kërcënime ndaj tyre duke u thënë se nëse nuk vinin, do t’i vriste. Pasi i ka shtyrë vajzat drejt pyllit, ndërkohë që ato qanin, i ka detyruar të zhvishen, është zhveshur edhe vetë nga poshtë dhe vajzat janë frikësuar edhe më shumë pasi kanë parë se ai mbante një sharrë dhe disa sende të mprehta që i ka përdorur edhe për t’i kërcënuar.

Prokuroria: Po vleresojme ngjarjen

Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të akuzuarit për ngacmimin e vajzës së mitur në periferi të kryeqytetit. Nga burimet e organit të hetimit është mësuar dje se prokuroria po vlerëson ngjarjen nëse vepra penale do të klasifikohet si kryerje e marrëdhënieve seksuale me dhunë apo veprime të turpshme. Prokuroria tha se po pret prova shtesë për të bërë vlerësimin e duhur për ngjarjen.

 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura