Nga lufta, në Moskë për studime, Myftar Kalo, ushtaraku i prapavijës

May 9, 2024 | 12:25
SHPËRNDAJE

myftar kalo 1BASHKIM QELI

Aty ku malet kryelartë, kapin retë dhe rinë përballën e sup më sup me njëri-tjetrin, e kuvendojnë hijerëndë dhe Vjosa dhe Drino i ndan në mes, ndodhet Tepelena. Janë këto male të larta e plot madhështi, të dala nga toka mëmë dëshmitare të historisë labe.

“Malet në të dy anët – thotë Pukvili – kishin pamjen sikur i kishte copëtuar dikush për t’i ndarë veç e veç, për t’i bërë rrugë ujit, që mblidhej në kraharorin e Vjosës”. Në shpatin e malit Shalëz, pranë rrugës për në Gjirokastër, në krahë të djathtë të saj, me një fushë të vogël përpara, ndodhet Luzati. Rreth 3.5 km nga Tepelena, i vendosur në një vend shkëmbor i mbuluar me pyje, me drurë gjithëllojësh, i japin një bukuri të rrallë me pamje piktoreske dhe klimë të shëndetshme me lartësi 350 m mbi nivelin e detit. “Me t’u larguar nga Tepelena – thotë Pukvili – pranë ca burimeve që rridhnin nga rrëza e malit Argenik (mali Shalëzit sot B. Q)… mbërrita në pikën ku bashkohet Celydnus ose Drinopolis (lumi Drino sot B.Q) me Vjosën, në bregun e majtë ose perëndimor Celydnus (Drino sot) në një mëngjes të mrekullueshëm, lugina dukej me një bukuri të rrallë”

myftar kalo  (1)

Nga shpati i malit Shalëz buron Uji i Ftohtë i Tepelenës, një perlë e Luzatit dhe e Labërisë në brigjet e lumit Drino. Në lindje të Ujit të Ftohtë në shpat të malit, ndodhet Luzati me një bukuri të rrallë natyrore. Familja e Kalajve banonte në qendër të fshatit, në lagjen “Hasankaj”, e cila kishte përballë kroin e Hasankaj, ku mbushte ujë pjesa kryesore e fshatit. Fisi i Kalajve është një fis autokton Luzatas, i dëgjuar dhe me tradita atdhedashës dhe patriotike. Që nëpër breza ka jetuar dhe punuar me ndershmëri e sakrifica i ka çarë shtigjet e jetës me punë, me kurajë, urtësi dhe trimëri. Qëllimi i kësaj familjeje ka qenë dhe mbetet që brezat që do të vijnë, të njohin mirë brezat paraardhës dhe të ruajnë traditat e trashëguara nga të parët e tyre.

Në këtë familje, në pranverë të 1924, më 10 maj, lindi Myftar Remzi Kalo fëmija i parë i Remzi Ali Kalos dhe Nane Koçaj. Familja e Remziut ishte në gjendje të mira ekonomike. Me lindjen e Myftarit, gjyshi i tij, Aliu i thotë të birit Remziut: “Remzi, merr dyfekun dhe dil në oborrin e shtëpisë dhe qëlloi me dyfek, të marrë vesh fshati, sipas traditës labe, se në fisin e Kalajve lindi djalë”. Familja e Remzi Kalos ishte një familje e madhe, e përbërë nga tetë fëmijë, gjashtë djem dhe dy vajza. Djemtë Myftari, Nevruzi, Myzaferi, Aliu, Zeneli, Isufi dhe dy vajzat Fatimja (Fato) dhe Qamilja.

myftar kalo  (2)

Në këtë familje të madhe lindi dhe u rrit Myftari, ku nëna e tij Nane Koçi, nga fisi i dëgjuar i Luzatit, një derë e madhe dhe e dëgjuar në Tepelenë dhe Labëri dhe më gjerë, për atdhetarizëm e patriotizëm që në djep, me ninullën e saj i mëkoi Myftarit, bashkë me qumështin, dashurinë për atdheun, shkollën, punën dhe shokët. Nënë Naneja i edukoi dhe i mëkoi të gjithë fëmijët me ndjenjën e atdhedashurisë dhe u dha këtë porosi: “O të bëheni të mirë për vatanin, popullin, fshatin dhe për vete, ose më mirë t’u hajë mortja ç’u dua të gjallë”. Dhe këtë amanet të nënës labe, Myftari e mbajti parasysh gjatë gjithë jetës së tij. Myftari, si djali i madh i familjes së Remzi Kalos, nëna Nania u interesua, që ai të shkollohej. Arsimin fillor e kreu në Luzat dhe shkollën e mesme në Gjirokastër. Me mbarimin e shkollës, ai i doli në krah të atit në punët e përditshme. Pushtimi fashist i vendit i preu ëndrrat e tij për shkollimin e mëtejshëm, por ai kreu shkollën e luftës për çlirimin e vendit. Ai si të gjithë moshatarët e tij, ndjeu peshën e rëndë të regjimit të kohës dhe pushtimin fashist të vendit e priti me indinjatë dhe urrejtje të madhe.

myftar kalo  (3)

Kur në fshat erdhën të deleguarit e qarkorit të Gjirokastrës, Ago Çeli dhe Bexhet Mema, më 22 dhjetor 1942, dhe u bë betimi i fshatit, që do të lidhej me LANÇ-in. Myftari ishte nga të parët që ra në kontakt me idetë komuniste dhe përfaqësuesitë kryesorë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Tepelenë si Xhevat Shehu, Rebani Shehu, Çome Cini, që i propagandoi në fshat. Duke punuar me rininë dhe me krijimin e Organizatës së Rinës në Luzat, ai u zgjodh përgjegjësi i kësaj organizate. Në sajë të punës së tij, nga fshati dolën 22 partizanë, të rinj e reja, midis tyre edhe dy vëllezërit e mëdhenj Nevruzi në fillim dhe më pas edhe Myftari, të mbështetur edhe nga prindërit e tyre, ata u rreshtuan në formacionet partizane. Fillimisht në batalionin “Baba Abaz”, më pas Myftari në Br1S “Heroinë e Popullit”, ndërsa Nevruzi në Br6S “Heroinë e Popullit”. Pushka e vëllezërve Kalo, Nevruz dhe Myftar, u dëgjua kudo që luftuan brigadat, në të gjithë vendin nga jugu në veri, sidomos në luftimet në Tenden e Qypit, në Paraspuar, në Qafën e Kiçokut, në Kurvelesh, në Himarë, Borsh, Sarandë, Llogara dhe në Tiranë, për çlirimin e këtyre zonave nga pushtuesit dhe tradhtarët e vendit, të cilët u dalluan për guximi, trimëri duke luftuar heroikisht. Me çlirimin e vendit nga pushtuesit, Myftari dhe Nevruzi filluan punë në Ushtrinë Popullore Shqiptare. Myftari në sektorin e prapavijës. Për t’u aftësuar më tej në 1946- 1948, ai shkon për studime në Uçelishten e Leningradit në BS (sot Rusia) për t’u kualifikuar si kuadër i lartë në specialitetin e prapavijës. Studimet i mbaroi me rezultate shumë të mira.

myftar kalo  (4)

Myftari më 1948 martohet me Arta Mete Tare nga Dragoti, një familje e fisshme dhe e dëgjuar në trevën e Tepelenës, në Labëri dhe më gjerë. Me të cilën lindën e ritën tre fëmijë, Bashkimi, Fatmiri dhe Lulëzimi. Fisi Tare, një derë e madhe dhe dëgjuar për atdhetarizëm dhe patriotizëm dhe kjo u duk qartë, kur dha një kontribut të madh në Lidhjen e Shqipërisë së Jugut, të drejtuar nga Abdyl Frashëri, kur xhaxhai i Artës, Ibrahim Xhemali Tare, mori pjesë dhe i vuri në dispozicion “Lidhjes së Jugut” të kryesuar nga Abdyl Frashëri, 2000 forca për mbrojtjen e kufirit jugor nga shovinistët grekë.

Me kthimin nga specializimi në BS, Myftari tashmë i kualifikuar si një specialist për prapavijën, punoi dhe kontribuoi atje ku kishte nevojë atdheu, pa pretendime dhe me entuziazmin partizan të kohës. Karrierën e oficerit e filloi në Tiranë, fillimisht në Shkollën e Bashkuar si instruktor dhe intendent prapavije (1948-1950), më pas kreu detyra të ndryshme si shef sektori në Drejtorinë e Prapavijës në MMP, zëvendëskomandant për prapavijën në regjimentin e artilerisë, zëvendëskomandant prapavije në B1MB, Br5K, komandat batalioni xhenjos në Lushnje dhe në Zallherr më 1966, kur doli në lirim në rezervë. Myftari e fliste shkëlqyeshëm gjuhën ruse. Krahas punës që bënte në specialitetin e prapavijës, ai jepte mësim si pedagog për mësimin i gjuhës ruse në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Ai ishte njëkohësisht edhe ciceron në Muzeun e LANÇ-it në Tiranë kur vinin delegacione të huaja. Ja si thotë bashkëfshatari ynë, dr. Ramadan Garo: “Një nga vëllezërit Kalo, Myftari punonte si spiker në Muzeun e Luftës, te Rruga e Barrikadave. Në një rast kur unë shoqëroja një delegacion të huaj, ai shpjegonte në rusisht, qartë dhe rrjedhshëm për historikun e Luftës Nacionalçlirimtare. E fliste shkëlqyer gjuhën ruse. Dhe unë u krenova, që bashkëfshatari imi ishte i aftë dhe i zoti”.

myftar kalo  (5)

Të flasësh për personalitetin e Myftarit është tepër e vështirë, por edhe njëkohësisht një detyrim e përkushtim, për karakterin e spikatur të tij, si një kuadër modest, i aftë, i përkushtuar për punën, për drejtimin dhe organizimin e punës në sektorin e prapavijës. Kisha dëgjuar për major Myftarin nga prindërit e mi kur ai u emërua në qytetin e Beratit më 1956, unë isha 10 vjeç, kishte ardhur me të shoqen për vizitë në familjen time dhe nga bashkëfshatarët e mi, por unë atë e kam njohur pas viteve ’70, kur u riorganizua Shoqata Luzatit dhe mori përsipër që të bënte historikun e fshatit Luzat më 1970. Për Myftarin ruaj kujtimet më të mira. Major Myftari ka qenë gjithmonë vetvetja në çdo kohë, kishte një individualitet superior i shprehur nëpërmjet punës pa pretendime për t’u dukur. Pasuria më e madhe e tij është personaliteti njerëzor dhe sjellja e kulturuar me kolegët eprorët, vartësit dhe njerëzit. Dituria intelektuale dhe profesionale janë velloja e artë që ia zbukurojnë personalitetin e tij shoqëror. Postet e larta, përfitimet hierarkike, privilegjet e pushtetit nuk e kanë larguar nga burimi i brendshëm i qetësisë, që e ka gjetur në familje dhe shoqëri. Ishte i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësinë. Nuk ka bërë kompromis me karakterin e tij dhe u ka qëndruar përballë përfitimeve e të mirave material tepër tunduese. Ai është i pajisur me dhunti shpirtërore të atillë, që e bëjnë të lumtur kur dhuron lumturi te të tjerët. Pasuria shpirtërore është pasuria më e madhe që bën dallimin mes njerëzve. Lumturinë e vet, veç të tjerash e sheh të përfshirë tek ushtrimi i profesionit për t’i shërbyer atdheut dhe të kryente me sukses detyrën e ngarkuar, me dinjitet dhe me përkushtim. Lumturia për njeriun është e lidhur me botën shpirtërore të individit, se si koncepton dhe çfarë pretendime ka për jetën. Njerëzit me ndjenja të mëdha shpirtërore dhe me aftësi të mëdha profesionale janë të ndjeshëm dhe shumë humanë në shoqëri.

Është fakt tepër interesant dhe shumë domethënës se Myftari gjatë gjithë karrierës së tij shumëvjeçare në organet e MMP nuk ka pasur as vërejtjen më të vogël apo ndëshkim disiplinor. Kjo tregon aftësinë, korrektësinë dhe përkushtimin e rij të veçantë ndaj kryerjes së detyrës funksionale dhe aftësitë komunikuese me eprorët, kolegët dhe vartësit. Njeriu i suksesshëm është nga natyra e çiltër dhe i prirur për drejtësi. Myftari përfaqëson ushtarakun tipik i arsimuar brenda dhe jashtë vendit tonë, i cili e shihte karrierën dhe detyrën të lidhur ngushtë me studimin e pandërprerë e me kualifikimin, që është burimi i kryerjes me sukses të detyrave të ngarkuara, në përputhje me zbulimin, parandalimin e krimeve në çdo detyrë, që ka kryer në vendin tonë.

Me daljen në pension, Myftari nuk e ndali veprimtarinë e tij dhe nuk hoqi dorë nga puna e tij intelektuale. Dalja në pension nuk e bëri aspak indiferent, apo të mbyllej në guaskën e një pensionisti, që të shihte hallet e vetja, sepse kjo nuk ishte në natyrën e tij. Ai u atashua në organizatën e Veteranëve të LANÇit, në Shoqatën Atdhetaro-Kulturore Luzati, ku dha një ndihmë me shkrime të ndryshme për Luftën Nacionalçlirimtare, në shtypin periodik të vendit. Ai mbajti lidhje të ngushta me bashkëfshatarët, duke dhënë një ndihmesë për zgjidhjen e problemeve që kishte fshati. Ai ishte nismëtar për ngritjen e muzeut të fshatit dhe u zgjodh në krye të komisionit për hartimin e historikut të Luzatit bashkë me shokët Fuat Shehu, Mustaf Demiri, Manushaqe Gaxhi, Taulla Musaraj, Hasan Guma, Lutfi Kaziu, Jonuz Beci, Hysen Ajazi, Hysen Shatrafili, Rexho Boni. Detyrat shoqërore janë mjaftë të vështira, por jo për karakterin e Myftarit, i cili ishte një veprimtar shumë i mirë i organizatës së Veteranëve të luftës dhe të Shoqatës Luzati.

I paharruar kujtimi i tij!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura