Sot nisin regjistrimet, Veliaj: Bursa për nxënësit që zgjedhin shkollat e mesme bujqësore

Aug 31, 2014 | 10:21
SHPËRNDAJE

Veliaj, gjatë një inspektimi në shkollën e mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier

FIER- Studentët që këtë vit do të zgjedhin të studiojnë në degët e bujqësisë dhe blegtorisë në shkollat profesionale, do të përfitojnë bursa nga qeveria shqiptare. Kështu është shprehur Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një inspektimi në shkollën e mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier, ku edhe ftoi të rinjtë e zonës së Myzeqesë të frekuentojnë këto degë.

“Dhënia e bursës nënkupton mbulimin e të gjitha shpenzimeve rezidenciale, ushqimin dhe fjetjen, çka do t’u lejonte shumë të rinjve nga zonat rurale, të cilët duan të arsimohen në këtë shkollë model të Qarkut të Fierit, të kenë mundësi ta bëjnë këtë pa asnjë kosto shtesë për prindërit, por përkundrazi duke marrë një bursë të plotë për ta kthyer investimin e tyre në shkollë, në ferma apo biznese që ne presim të hapen në bujqësi e blegtori”, deklaroi ministri Veliaj.

Dhënien e bursave për studentët e degës së blegtorisë dhe bujqësisë, Veliaj e cilësoi si një risi dhe mënyrë e mirë për të promovuar e mbështetur vendimmarrjen e atyre prindërve që i orientojnë fëmijët e tyre në këto degë, të cilat për fat të keq janë harruar.

Ministri tha se shumë investitorë të huaj po kërkojnë të përdorin tokat dhe klimën në vendin topnë, por nuk gjejnë staf të kualifikaur. Ministri tha se nga data 1 shtator nisin regjistrimet në të gjitha shkollat profesionale të vendit. Shkolla e mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier, u jep mundësi nxënësve të marrin një arsimim profesional dhe njëkohësisht jep njohuri dhe aftësi praktike që i nevojiten një fermeri, veterineri dhe tekniku të mesëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura