Nevoja për një ligj të ri për kufijtë detarë

Mar 20, 2015 | 12:34
SHPËRNDAJE

ARTUR MEÇOLLARI

   Pas incidentit të parë të kanalit të Korfuzit më 15 maj 1945, qeveria e Shqipërisë vendosi kufizime mbi regjimin e kalimit paqësor nëpër detin e saj territorial për anijet e luftës, kufizime të cilat binin në kundërshtim me të drejtën zakonore ndërkombëtare të detit.  Në vitet ’70, Shqipëria formalizoi me ligj këto kufizime si dhe deklaroi pretendimin për 15 milje detare të gjerësisë së detit territorial, të dyja në kundërshtim me konventat e OKB-së mbi të Drejtën e Detit 1958 (LOS 1958). Gjithashtu, në këtë periudhë Shqipëria ndërtoi për herë të parë sistemin e vijës bazë me metodën e kombinuar, nga i cili matet deti territorial.
Shqipëria ka marrë pjesë në mënyrë aktive si në fazën e negocimit të LOS 1958, ashtu edhe të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit 1982 (UNCLOS 1982). Në ndryshim nga pozicioni ndaj LOS 1958, Shqipëria nuk ishte firmëtare e UNCLOS 1982, më 10 dhjetor 1982 në Montegobay. Pretendimet e tepruara të Shqipërisë të shpallura përpara dhe gjatë fazës së negocimit të UNCLOS 1982, si dhe pengesat ideologjike tashmë të thelluara pas prishjes me Bllokun Lindor, bënë që qeveria komuniste e Shqipërisë jo vetëm të refuzonte firmosjen e UNCLOS 1982, por ta denonconte atë si një mekanizëm të OKB-së në shërbim të imperializmit amerikan dhe socimperializmit sovjetik.
Raportet e Shqipërisë me UNCLOS 1982 dhe pretendimet e saj të tepruara do të ishin objekt i Departamentit të Shtetit të SHBA dhe do të përfshinin Shqipërinë në “Programin e lundrimit të lirë”, synimi i të cilit ishte zvogëlimi i pretendimeve të tepruara të shteteve bregdetare dhe rritja e lëvizshmërisë operacionale të anijeve të Forcave Detare të SHBA. Me Dekretin Nr. 7366, datë 24.3.1990 dhe Marrëveshjen me Italinë për delimitimin e shelfit kontinental, marrëveshje që legjitimoi vijën bazë të Shqipërisë, Shqipëria kishte kapërcyer kundërshtitë me SHBA dhe formalisht kishte pranuar UNCLOS 1982. Por, do të duheshin edhe 13 vite të tjera, që pikërisht më 24 prill 2003, me miratimin e ligjit Nr. 9055, Shqipëria të aderonte në UNCLOS 1982.
Mbas vitit 1990, marrëdhëniet e Shqipërisë me UNCLOS 1982 janë parë në tërësi si një raport i përgjithshëm kredibiliteti me të drejtën dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe SHBA dhe më pak si një traktat me influencë direkte në sigurinë kombëtare të Shqipërisë. UNCLOS 1982 përbën një paketë ligjore me fleksibilitet të mjaftueshëm, aplikimi i së cilës me pragmatizëm lejon maksimizimin e hapësirave detare të ushtrimit të sovranitetit dhe të drejtave sovrane të shteteve bregdetare. Në rastin tonë, mungesa e artikulimit qartë të një politike kombëtare të detit nuk ka mundësuar që Shqipëria të shfrytëzojë fleksibilitetin e parimeve të UNCLOS 1982 si një instrument efektiv për interesat e saj kombëtarë detarë. Konventa mund të mos jetë zgjidhja perfekte për çështjet e sigurisë kombëtare detare të shtetit bregdetar, por ajo u jep përgjigje shumë çështjeve të sigurisë detare dhe kundërshtive ndërkombëtare dhe ka fituar kredibilitet absolut në zgjidhjen e tyre.
Vija bazë e Shqipërisë, pavarësisht se është pranuar tashmë, ajo ka mangësi, por jo esenciale, përmirësimi i të cilave në thelb nuk përbëjnë përfitime strategjike nga ana e shtetit Shqiptar dhe si të tilla mund të përmirësohen në çdo moment. Kështu, vija bazë nuk është e drejtë në brendësi të kanalit të Korfuzit dhe formulimi i saj nuk paraqitet në përputhje me kërkesat e nenit 16 të UNCLOS 1982. Bregdeti i Shqipërisë në brendësi të kanalit të Korfuzit, në gjirin e Tetranisit dhe të Butrintit, lejon aplikimin e nenit 10 të UNCLOS 1982, si gjire të ligjshme, dhe në pjesën tjetër, nenin 7, si vijë bregdetare me të thelluara dhe ishuj pranë bregdetit.
Vija e drejtë bazë e Shqipërisë ka ekzistuar qysh nga viti 1970 dhe e pakundërshtuar nga fqinjët tanë detarë. Por ajo përkohësisht u shfuqizua gjatë kohës së negocimit të marrëveshjes detare me Greqinë, fakt që i krijoi Greqisë avantazh në përcaktimin e vijës delimituese.  Më pas, në vitin 2012, vija e drejtë bazë u rivendos nëpërmjet rikthimit të nenit 3 të ligjit nr. 8771, të shfuqizuar në vitin 2008, por kjo nuk e zgjidhi çështjen e konfuzionit në legjislacionin kombëtar mbi detin. OKB qysh në vitin 2003 ka paraqitur kërkesën për paraqitjen e disa të dhënave nga ana e Shqipërisë, të cilat përbëjnë edhe detyrim nga aderimi në UNCLOS 1982. Shqipëria edhe sot mbas 12 vjetësh nuk i ka thyer përgjigje OKB-së, pasi legjislacioni aktual nuk është hartuar në formën e kërkuar nga UNCLOS 1982.
UNCLOS 1982 në nene të veçanta përcakton kërkesat mbi përcaktimin e elementeve të hapësirave detare. Nga pikëpamja formale, vija e drejtë bazë duhet të jetë e shprehur në koordinata gjeografike, e miratuar nga legjislacioni kombëtar, si dhe të jetë e depozituar te sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në këtë format. Shteti bregdetar ka detyrimin gjithashtu, kur kufiri detar nuk përcaktohet me marrëveshje, të deklarojë me ligj kombëtar pretendimin mbi gjerësitë e hapësirave detare (detit territorial, zonës ekonomike ekskluzive, zonën në vazhdim dhe shelfit kontinental). Po ashtu, këto deklarime duhet të depozitohen pranë sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Legjislacioni aktual detar i Shqipërisë nga pikëpamja formale nuk plotëson kërkesat e UNCLOS 1982, pasi vija e drejtë bazë e Shqipërisë në ligj nuk paraqitet me koordinata gjeografike, por me toponime. Nga pikëpamja procedurale, përcaktimi i kufijve tokësorë bëhet me marrëveshje, kurse kufijtë detarë mund të përcaktohen në mënyrë të kombinuar, me ligj kombëtar dhe marrëveshje ndërkombëtare. Kjo përbën një arsye të fortë përse ligji për kufijtë detarë në Shqipëri duhet të jetë i veçantë.   
Në praktikën e shteteve bregdetare, për shkak të natyrës së përcaktimit të kufijve detarë, si dhe bazës ligjore të tyre, praktikohet me ligj të veçantë. Si Italia, edhe Greqia kanë ligje specifike për hapësirat detare dhe vijën e drejtë bazë. Edhe Mali i Zi, pavarësisht se është një shtet i ri – vetëm nëntë vjet, në vitin 2007 ka miratuar ligjin Nr. 17 “Mbi të drejtën e detit”, të cilin e ka ndryshuar dy herë, në vitin 2008 dhe 2011. Ligji i Malit të Zi është edhe më kompleks, pasi ai jo vetëm që përcakton kufijtë detare, por trajton edhe juridiksionin kombëtar e menaxhimin e tyre. Në ndryshim nga Mali i Zi, Italia dhe Greqia, Kroacia përcaktimin e kufijve detarë e ka përfshirë në Kodin Detar.
Forcat Detare qysh në vitin 2011 kanë propozuar një projektligj të veçantë “Për kufijtë detarë të RSH” ose përfshirjen e tij në Kodin Detar, por që nuk u mor kurrë në konsiderate. Për shkak të natyrës së ligjit dhe bazës ligjore, Shqipëria duhet të ketë një ligj specifik për kufijtë detarë. Iniciativa ligjore për një ligj të ri për kufij detarë, si dhe administrimi i procesit, duhet të jetë plotësisht nën kontrollin e qeverisë, pasi ligji përcakton kufijtë shtetërorë dhe ka implikime ndërkombëtare. Për nga natyra dhe rëndësia, ai është i njëjtë me marrëveshjet për delimitimin e hapësirave detare. Shikimi i mundësisë për ndryshimin e Kushtetutës, me synimin që ligjet dhe marrëveshjet për kufijtë detarë të Republikës së Shqipërisë të bëhen në përputhje me nenin 81(2) të Kushtetutës së Shqipërisë (me dy të tretat), është më i pranueshëm. Një marrëveshje për kufijtë detarë, e arritur dhe e miratuar nga palët, nuk mund të negociohet më.
Marrëveshja detare me Greqinë e vitit 2009, përveç arsyeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e shfuqizimit të saj, ishte edhe produkt i një baze ligjore të cunguar mbi kufijtë detare dhe të shfuqizuar gjatë marrëveshjes. Aktualisht Shqipëria ka të delimituar vetëm kufijtë e shelfit kontinental me Italinë. Delimitimi i të gjitha hapësirave detare me fqinjët është në interes të Shqipërisë, por edhe një tendencë e shteteve bregdetare në ditët e sotme. Për delimitimin e hapësirave detare në të ardhmen Shqipëria do të duhet të arrijë edhe të paktën pesë marrëveshje të tjera në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.  Është në interes kombëtar të Shqipërisë që përpara fillimit të negociatave për delimitimin e hapësirave detare si me Greqinë, ashtu edhe me Malin e Zi e ndoshta me Italinë, të ketë një ligj për kufijtë e saj detarë, të plotë, pragmatist dhe në përputhje me UNCLOS 1982.

Te dhenat
Republika e Shqipërinë minimalisht, pa marrë në konsideratë kundërshtitë për hapësirat detare me fqinjët detarë, zotëron:
1.    Deti kombëtar rreth 6099 km2. Nga të cilat:
a.    Rreth 1315 km2 det të brendshëm
b.    Rreth 4783 km2  det territorial.  
c.    Kjo përbën rreth 21% të sipërfaqes tokësore.
2.    Deti me të drejta sovrane rreth 5145 km2 (shelf kontinental dhe zonë ekonomike ekskluzive). Kjo hapësirë përbën rreth 18% të sipërfaqes tokësore.
3.    Hapësira detare e Republikës së Shqipërisë rreth 11243 km2 ose 39,1% të sipërfaqes së territorit tokësor. Kjo përllogaritje nuk merr në konsideratë kundërshtitë për rreth 470 km2 me Greqinë dhe Malin e Zi, ende të pazgjidhura.

*Kapiten i rangut të parë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura