Nenet kufizuese për mediat, ligji dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Jun 30, 2012 | 14:20
SHPËRNDAJE

Lëvizja Vetëvendosje, të premten ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Kodin Penal të Kosovës për t’u shqyrtuar nga organi më i lartë në vend nenet e 37, 38 dhe 39, dhe dëmin që këto nene i shkaktojnë lirisë së medias. Kodi penal u miratua një javë më parë në Kuvendin e Kosovës, i cili ka marrë kritikat e Presidentes, Kryeministrit, përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, si dhe organizatave mediatike në mbarë botën. Dërgimin e Kodit Penal në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë deputetja nga lëvizja Vetëvendosje, Alma Lama, e cila u shpreh se qëllimi i këtij  veprimi është që të mësohet përfundimisht nëse nenet e miratuara janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Sot kemi ardhur për të dërguar nenet këtu në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të marrim vesh përfundimisht nëse këto nene janë apo jo në përputhje me Kushtetutën. Lëvizja Vetëvendosje e ka ngritur që herët këtë çështje. Kemi thënë se janë në kundërshtim me Kushtetutën, jo vetëm me nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe me nenin 10 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, e cila gjithashtu është pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Ne shpresojmë në një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese, sepse besojmë se këto nene cenojnë rëndë lirinë e mediave në Kosovë”, tha ajo. Mbetja në fuqi e këtyre neneve, shkaktoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura