Në Muze ekspozojnë të gjithë

May 20, 2011 | 10:47
SHPËRNDAJE
Nga ekspozita aktuale në hollin e Muzeut Kombëtar

Ndonëse skelat në ngjyrë të verdhë që prej muajsh zënë fasadën e Muzeut Historik Kombëtar apo shkallët e gërryera e me rrethim, e bëjnë këtë institucion pak mikpritës, ndonjëherë të shtyn kureshtja për të futur kokën e për të parë se çfarë ndodh brenda godinës hijerëndë.Vetëm 24 orë nga Dita Ndërkombëtare e Muzeve, mirëseardhjen e parë në MHK ta jep një ekspozitë me punë dore, realizuar me fije leshi. Manekinë të veshur me fustane në rrjetë të punuar në grep a shtiza, në ngjyrë blu, të gjelbër, madje ka edhe kuq e zi e me shqiponjë si flamuri kombëtar. Në mure janë varur ca punime të çuditshme, të punuara me fije të së njëjtës familje. Ka koka maçokësh e luanësh, lepurushë veshgjatë, peizazhe e gjithfarë krijimesh shumëngjyrëshe. Nuk mungojnë as vitrinat me rroba fëmijësh e doreza. Çdo gjë e punuar me fantazi. Por pa i hequr asnjë gjë mjeshtërisë së stilistes në moshë, e cila edhe gjatë orëve të ekspozimit e kalon kohën duke punuar me shtiza, pikëpyetja që të shpon ballin është: Ç’do kjo ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar? Pavarësisht se puna me dorë është karakteristike në Shqipëri, nuk është se kjo ekspozitë ka shumë lidhje me institucionin, i cili ka si qëllim të tregojë diçka mbi historinë e këtij vendi. Por kjo ekspozitë nuk është e vetmja që nuk ka lidhje me Muzeun Historik. Sa herë që ka kërkesa dhe paraqitet rasti, në hollin e tij hapen gjithfarëlloj ekspozitash, që nga pikturat delikate kineze me bojëra uji, posterat po nga Kina e largët, sixhade nga Irani, piktura të piktorëve amatorë, apo profesionistë… Me pak fjalë, holli i Muzeut Historik Kombëtar i pranon të gjithë. Thua se është një galeri ku mund të ekspozojë kushdo, mjaft që të paguajë qiranë e sallës.
Pavijonet
Cili do të ishte reagimi i një të huaji që hyn në Muzeun Kombëtar Shqiptar dhe e gjen veten përpara artit kinez, apo iranian, apo polak.. Patjetër që do të mendonte se ka ngatërruar destinacion. Por edhe nëse përmendet dhe vijon rrugëtimin më tej, nuk është se e pret ndonjë gjë më e mirë. Shumë prej pavijoneve që të presin më tej janë të parifreskuara qysh në vitin 1981, kur është ndërtuar MHK. Është i njëjti stil në vitet e komunizmit, asgjë nuk mban erë bashkëkohësie. Stenda, stenda pa fund nën një dritë të keqe, që nuk të thonë asgjë. Shumë pak objekte, veç atij arkeologjik dhe ikonografik, të cilat nuk mund të rrëfehen ndryshe. Një nga çuditë është pavijoni filatelik. Në stenda përshkruhet historia e pullave shqiptare. Pavijoni me ngjyrë të verdheme, i cili fare mirë mund të rrinte gjetiu, për shembull në ambientet e Postës Shqiptare, nuk të ofron ndonjë grishje. E në fakt, këtë e tregon edhe numri i madh i vizitorëve – Asnjë! Po ne kemi edhe një Pavijon Pavarësie, Rilindjeje, Mesjete, po kemi edhe një për Luftën Antifashiste… madje kemi një kënd goxha të mirë për “Familjen mbretërore”, me fotografi e objekte të Mbretit Zog e të pasardhësve të tij… Por nuk ka as edhe një dëshmi për 50 vjet socializëm. Pavijoni i dikurshëm i socializmit, ku tani do të ngrihet pavijoni i Etnografisë, u zhduk menjëherë pas ndryshimit të sistemeve. Pavarësisht nga emocionet negative që kjo periudhë mund t’i shkaktojë një shumice shqiptarësh, ajo është një hark kohor gjysmë shekullor që ka kaluar vendi ynë dhe nuk mund të fshihet nga historia. Por nuk kemi asgjë as nga ana e errët e socializmit, nga diktatura, nga propaganda, burgosjet, persekutimet… Është në plan ngritja e Pavijonit të Gjenocidit dhe priten vetëm të përfundojnë procedurat e tenderimit. Ashtu si është në plan i gjithë rinovimi i tij me një projekt spanjoll, por që nuk dihet se kur mund të marrë jetë. Muzeu Historik Kombëtar mund të vizitohet me një frymë. Objektet për t’u parë nuk të marrin shumë kohë. Vizitori ngjit e zbret shkallët e kthehet sërish në holl, ku të pret ekspozita e radhës. Dje ishte ajo me punime leshi, nesër, ku i dihet….

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura