Në lojë, 100 milionë lekë! Llogaritë e Partizanit për dy vendet e para

May 8, 2024 | 9:27
SHPËRNDAJE

Partizani ka edhe dy mundësi për arritur objektivin minimal, që është vendi i dytë, por edhe për të synuar kreun e renditjes. Aktualisht para të kuqve renditen Vllaznia me një pikë më shumë dhe Egnatia me dy pikë më shumë të grumbulluara. Praktikisht, që “demat” të renditen në vendin e dytë ose të parë, do të duhet të presin gabimet e Vllaznisë dhe Egnatias në këto dy beteja të fundit të këtij sezoni.-900-0-1713644050xpartizani-661

AVANTAZHET – Shtysa kryesore që i bën të kuqtë të arrijnë një prej dy vendeve të para është avantazhi i barazimit në gjysmëfinalen e titullit. Pra në rast se Partizani renditet në vendin e parë ose të dytë, në gjysmëfinale do të mund të kualifikohej edhe me barazim. Në të kundërt, do t’i nevojitej vetëm fitorja. Milionat janë gjithashtu një arsye e rëndësishme për dy vendet e para. Kryesuesi pas 36 javësh shpërblehet nga FSHFja me 100 milionë lekë të vjetër, ndërsa vendi i dytë me 70 milionë. 50 milionë merr vendi i tretë, ku Partizani ndodhet aktualisht. “Demat” kërkojnë edhe 50 të tjera.

KALENDARI – Plani për dy javët e fundit favorizon ndjeshëm në letër Partizanin. Të kuqtë sot sfidojnë Kukësin dhe të shtunën luajnë në shtëpi kundër Erzenit. Të dyja këto skuadra kanë rënë matematikisht nga kategoria dhe luajnë pa motiv. Surprizat nuk përjashtohen, por mundësia është e vogël. Egnatia ndeshet këtë javë me Dinamon dhe në sfidën e fundit do të ketë përballë Tiranën. Edhe Vllaznia s’e ka të lehtë, pasi sfidon sot bardheblutë dhe të shtunën Skënderbeun.

LLOGARITË – Fakti që janë dy ndeshje të lehta në letër, na bën të marrim si të mirëqenë se Partizani merr 6 pikë kundër Kukësit dhe Erzenit. Për të arritur vendin e dytë, të kuqve do t’i duhej vetëm një barazim i Vllaznisë në një nga dy sfidat e mbetura. Nga ana tjetër, për vendin e parë gjërat janë disi më të komplikuara, pasi duhet të gabojë edhe Egnatia, madje duhet t’i “rrëshqasë këmba” shumë. Të kuqtë do të renditeshin të parët nëse Vllaznia do të merrte maksimumi 4 pikë në dy ndeshjet e mbetura dhe Egnatia 2 pikë në rastin më të mirë (për Partizanin) kundër Dinamos dhe Tiranës.

Në rast pikësh të barabarta mes “demave” dhe rrogozhinasve, ata që renditen më lart janë këta të fundit për avantazh në ndeshjet direkte. Nga ana tjetër, nëse të kuqtë e mbyllin me pikë të barabarta me Vllazninë, renditen mbi shkodranët. Kalendari është premtues për “demat”, që po fituan ndeshjet e tyre, kanë shanse të mëdha që zënë një vend në dyshen e parë, e privilegjuar nga milionat dhe nga skema e këtij kampionati. Nga ana tjetër, në rast gabimi kundër Kukësit ose Erzenit, do të duhej një kombinim “i çmendur” rezultatesh që Partizani të kalonte Vllazninë dhe/ose Egnatian.HHHHFGJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura