Në drejtimin e duhur…

Oct 31, 2014 | 12:14
SHPËRNDAJE

ZEF PREÇI

  Më në fund duket se qeveria është duke kthyer vëmendjen drejt disa vendimmarrjeve të rëndësishme të administratës së mëparshme. Përveç diskutimit, ende pa ndonjë konkludim, krejtësisht të justifikuar të një koncesioni shumë të rëndësishëm mbi lumin Drin, këto ditë shtypi shkruante se edhe disa koncesione të tjera po rishikohen me qëllim shfuqizimin e tyre. Fjala është që, pas rishikimit të kontratës me CEZ dhe atij me kompaninë amerikane që merrej me skanimin e mallrave në dogana, pritet që të “filtrohet” edhe koncesioni për administrimin e pullave fiskale, ai për markimin e karburantit, si dhe Lotaria Kombëtare. Pavarësisht entuziazmit për ndëshkimin e korrupsionit të supozuar që ngjallin këto lajme me burim Ekzekutivin shqiptar, personalisht e shoh me shqetësimin ngadalësinë e procesit të “skanimit” të problematikës së akumuluar në menaxhimin e aseteve publike të ekonomisë sonë kombëtare, në disa raste qysh nga fillimi i tranzicionit, ashtu edhe lëshimin në publik nga anëtarë të caktuar të kabinetit qeveritar apo nga z. Rama të akuzave në erë rreth vendimmarrjeve përkatëse të administratës së mëparshme. Kjo situatë, edhe nëse nuk bëhet enkas e për të mbushur boshllëkun mediatik (për të bërë lajm kur nuk ka zhvillime a ngjarje), rrezikon që t’i shndërrojë përpjekjet institucionale për mbrojtjen e interesave legjitime publike në një propagandë boshe për konsumin politik të ditës, apo dhe më keq akoma, në një presion korruptiv ndaj sipërmarrjeve përkatëse (kryesisht të huaja ose me ndonjë partner vendas, kuptohet “politically affiliatwd”…). Kjo, nga ana e vet, çon në dëmtimin e panevojshëm të imazhit të vendit dhe në raste të veçanta edhe në penalizimin e rëndë financiar të shtetit, për të cilin askush nuk mban përgjegjësi (Besoj gjithkujt i kujtohet gjoba prej 20 milionë eurosh që Shqipëria po paguan për investimin e trenit elektrik Tiranë-Durrës, që u anulua vetëm me letrën e tre ministrave gjatë mandatit të parë të z. Berisha, për të cilën, për arsye që nuk dihen publikisht, por që mund të hamendësohen, hesht qeveria aktuale)…
Personalisht mendoj se si për të shkuarën e afërt, ashtu edhe tani, nëse duam vërtet që të mos ndëshkohen padrejtësisht qytetarët e varfër shqiptarë, duhet rishikuar e forcuar ligjërisht roli i të paktën dy institucioneve: a) Avokati i Shtetit; b) Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. Por, nëse bëhet fjalë për emërimin në drejtimin e tyre të personave pa eksperiencë dhe thjesht për promovim personal apo më keq akoma, për qoka politike në favor të interesave okulte të oligarkëve të tranzicionit, kuptohet që nuk pritet ndonjë rezultat ndryshe as në administratën aktuale…
Sa u takon rasteve të përmendura në shtypin e sotëm, mendoj se qeveria gabon që i shpall “non grata” pa studiuar më parë marrëveshjet përkatëse koncesionare, pa analizuar përputhshmërinë me direktivat e BE (mendoj se kjo është baza më e qëndrueshme e kontestimit legjitim të rasteve kur janë cenuar interesat publike) si dhe pa negociuar zyrtarisht me kompanitë në fjalë për amendimin e kontratave përkatëse duke siguruar në këtë mënyrë respektimin e interesave të palëve dhe heqjen e kushteve diskriminuese për palën shqiptare. Paralel me këtë mendoj se qeveria shqiptare duhet të analizojë rast pas rasti raportimet fiktive të vëllimit të investimeve të kryera të disa kompanive të huaja, rritja e të cilave, për arsye të kuptueshme, ka çuar në deformimin e tregut apo më keq akoma, në përfitime korruptive në dëm të buxhetit të shtetit dhe konsumatorëve të mallrave/ shërbimeve të tyre (qytetarëve e bizneseve) nga këto kompani dhe “kundërpartët” e dukshëm dhe të padukshëm politikë vendas të tyre… Po kështu, edhe institucionet rregullatore të tregut dhe të mbrojtjes se konkurrencës duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmin që i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë ekonomisë kombëtare përmes certifikimit të vendimmarrjeve të tilla në dëm të interesave kombëtare e në disa raste edhe të dyshuara si korruptive. Qe të jemi të drejtë në vlerësimin tonë rreth rasteve të dyshuara kur interesat publike janë cenuar përmes vendimmarrjeve favorizuese për kompani të caktuara: përdorimi i fuqisë shtetërore të Ekzekutivit në dobi të një biznesi të caktuar është pa dyshim një formë e sofistikuar e korrupsionit politik dhe shërben thjesht për të zgjatur mbajtjen e pushtetit duke cenuar interesat jetike të qytetarëve… Këtu lind pyetja: a ka vërtet pengesa që maxhoranca të analizojë me transparencë mënyrën se si rregullatorët e tregut, konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve kanë përmbushur rolet e veta kushtetuese, institucionale dhe ligjore? A është pengesë sistemi i shumëpërfolur për të vënë mbi baza të shëndosha ligjore veprimtarinë rregullatore në energjetikë, naftë, në banka, kompanitë e sigurimeve, telefonisë fikse dhe asaj të lëvizshme etj.? Personalisht mendoj dhe besoj se reformimi i këtyre enteve rregullatore është edhe sfida e vërtetë dhe prova më bindëse nëse maxhoranca aktuale ka vendosmërinë, kapacitetet dhe kredencialet e nevojshme publike për të mundësuar funksionimin e ekonomisë së tregut në vendin tonë. Se në fund të fundit, këto janë edhe problemet sistemike që kanë tregjet në vendin tonë… Kuptohet, nëse nuk duam që të bëjmë thjesht makiazhe dhe ndërrime fytyrash që justifikojnë marrjen nën kontroll politik të këtyre enteve rregullatore… Në këtë proces do të bëhet e mundur që përgjegjësit e dukshëm dhe të padukshëm të cenimit të interesave publike përmes kontratave koncesionare të panevojshme, favorizuese për biznese a vende të caktuara, të ballafaqohen me të vërtetat e hidhura të veprimtarisë së tyre dhe të japin llogari sipas ligjit. Ndërkaq, përmirësimi i legjislacionit dhe sidomos i mekanizmave që garantojnë zbatimin transparent të tij mbetet rruga kryesore që mbron interesat publike, përndryshe maksimumi që mund të arrihet është që të ndërrohet vetëm kasta e oligarkëve përfitues vendas dhe miqve të tyre të huaj duke mos ndryshuar asgjë tjetër për qytetarët shqiptarë që besojnë, votojnë e shpresojnë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura