Në Apel, Berluskoni rrezikon burgun për evazion fiskal

Jul 31, 2013 | 14:26
SHPËRNDAJE

Gjykata Supreme e Apelit do të japë sot ose nesër vendimin nëse Silvio Berluskoni do të vuajë apo jo dënimin për evazion fiskal. Prokurorët e çështjes e akuzojnë si ideatorin e mashtrimit me fondet e Mediaset-it dhe pretendojnë se kanë të gjitha faktet për ta shpallur fajtor. Ky vendim mund të ketë pasoja për gjithë Italinë nëse konfirmohet fajësia. Gjyqi nisi dje me një interes tepër të lartë nga mediat dhe publiku, aq sa u kërkua që emocionet të liheshin jashtë sallës së gjyqit. Berluskoni, tashmë i akuzuar dhjetëra herë, mund të dënohet për herë të parë në procesin e quajtur “Mediaset”. Në dy instancat e mëparshme, 76-vjeçari u dënua me katër vjet burg dhe me ndalim të funksioneve publike për pesë vjet. Meqë Berluskoni e ka kundërshtuar çdo vendim të deritanishëm gjyqësor, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Apelit, vendimi është pezulluar. Tani Gjykata e Kasacionit në Romë ka radhën për ta zgjidhur çështjen në instancë të fundit. Nëse Gjykata Supreme italiane e Apelit e konfirmon verdiktin e fajësisë, Berluskoni tri herë Kryeministër do të dënohej për herë të parë me një vendim që hyn në fuqi. Gjyqtarët e gjykatave më të ulëta në Milano e konsideruan të vërtetuar se Berluskoni ka kryer evazion fiskal me transaksionet e koncernit të tij mediatik “Mediaset”. Por vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen politike personale të Berluskonit. Nëse Berluskoni duhet të dorëzojë mandatin e tij në Senatin e Romës, kjo mund të ketë pasoja edhe për qeverinë italiane. Partia e Berluskonit, Populli i Lirisë (PdL), është partneri kryesor në koalicionin e Kryeministrit socialdemokrat Enriko Leta. Një nga pasojat mund të jenë zgjedhjet e reja, një manovër e rrezikshme kjo për këtë vend të dobët të eurozonës, i cili ndodhet që prej më shumë se dy vjetësh në recesionin më të thellë që nga viti 1945 dhe që vuan nga një papunësi e lartë. Sipas mediave italiane, për shkak të moshës së tij 76-vjeçare, Berluskoni me shumë gjasë nuk do të dërgohet në një qeli burgu, por në arrest shtëpie. Kjo nëse Gjykata Supreme e Apelit merr vendimin kundër tij. Kundër Berluskonit po zhvillohen edhe disa procese të tjera.

Çështja “Rubi”
Berluskoni, ish-kryeministër i Italisë, është dënuar rreth një muaj më parë nga Drejtësia italiane me shtatë vite burg për të shumëpërfolurën çështjen “Rubi”. Vendimi u mor nga Gjykata e Milanos, e cila e ka dënuar politikanin italian më shumë sesa vetë Akuza kishte kërkuar ndaj tij (6 vite burg maksimumi). Berluskoni është shpallur fajtor për shkak të marrëdhënieve seksuale me një prostitutë të mitur dhe abuzimit të pozitës së tij për të mbuluar çështjen në fjalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura