Ndryshon pagesa për pastrimin, tarifat për parkim

Dec 30, 2011 | 11:46
SHPËRNDAJE

Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave do të paguhet bashkë me pagesën e ujit të pijshëm. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të miratuar dy ditë më parë, për kategorinë familjare detyrimi do të paguhet në 12 këste. “Përkatësisht do të jetë në shumën 417 lekë për çdo familje. Ky detyrim do të evidentohet në faturën e konsumit të ujit”, thuhet në vendim. Sipas tij, kategoritë e përjashtuara nga pagesa e tarifës, ku përfshihen pensionistët, veteranët, invalidët e punës e luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbrit dhe të sëmurët tetraplegjikë dhe paraplegjikë, për të mundësuar këtë përjashtim duhet të dorëzojnë pranë zyrave të agjentit tatimor dëshminë e gjendjes së tyre. “Konkretisht, duhet të dorëzojnë dokumentin që vërteton kushtin që të jenë kryefamiljarë dhe pa persona të tjerë madhorë, përveç bashkëshortit ose bashkëshortes në certifikatën familjare”, thuhet në vendim. Veç tyre, duhet të paraqitet libreza e veteranit ose invalidit të luftës apo dëshmi të tjera që vërtetojnë statusin. Po kështu, Këshilli ka miratuar edhe vendimin për miratimin e termave kryesorë të kontratës koncesionare mbi parkimet nëntokësore në sheshin “Italia”. Kjo në funksion të strategjisë së transportit në qytetin e Tiranës, i cili është lidhur ngushtësisht me parkimin. Parkimi i ri i është dhënë me koncesion një kompanie private, e cila ka marrë 101 pikë pas hapjes së procedurave tenderiale. Numri maksimal i parkimeve do të jetë 1009 vende, ndërsa tarifat do të variojnë nga kohëzgjatja e lënies së automjetit në parkim.

TARIFAT E PARKIMIT
. 1 orë
150 lekë

. 2-4 orë
54 lekë ora

. 4-8 orë
48 lekë ora

. 8-12 orë
44 lekë ora

. Biletë ditore
361 lekë

. Bileta nate
351 lekë

. Biletë mujore
10 833 lekë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura