Ndriçim Kulla, mirënjohje për kontributorin e atyre vlerave që na bëjnë të jemi krenarë

Apr 18, 2022 | 10:31
SHPËRNDAJE

ALBERT VATAJ

Janë të paktë ata intelektualë dhe krijues, hulumtues dhe zelltarë të paepur, puna dhe përkushtimi i të cilëve është ofruar me kaq pasion dhe përgjegjësi të lartë kombëtare, me aq ngulm sfidues dhe triumf ngadhënjyes, sa vepra e “Mjeshtrit të Madh”, Ndriçim Kullës, i cili është nderuar me dekoratën e epërm të mirënjohjes, “Nderi i Kombit”.

Albert Vataj
Albert Vataj

Ky vlerësim i merituar për Ndriçim Kullën është nder dhe mirënjohje për kontribuuesin e vlerave dritonjëse që na bëjnë të jemi krenarë. Gjithashtu, është konsideratë dhe motivim për ata të gjithë, që zgjodhën librin si testament dhe dijen si forcë besimi. Atë përmes së cilave ne udhëpërshkojmë kohën kur shpirtrat e mëdhenj skalitën dritën, urëbashkojmë brigjet që na ndajnë me emra dhe vepra, me vlera dhe virtyte që mëkuan shqiptarinë dhe shqipen, farkëtuan gjenialitetin e mendimit shqiptar, fisnikëruan atributet e naltësuara në akte kombëtare dinjiteti.

Gjithë kjo gjeneratë mendimtarësh të kurajshëm dhe iluministësh virtuozë ka ardhur përmes një zbulese të hyjt dritimi dhe një thjeshtësie të sinqertë komunikimi, nga ai që e shndërroi pasionin e shqiptarizmës në mision, nga Ndriçim Kulla. Shkrimtari, studiuesi, publicisti, botuesi, dijetari dhe i devotshmi, Ndriçim Kulla, edhe pse ka një galeri të bujartë titujsh, me të cilët ai ka ngritur atë rrugëkalim nga një cak njohës te një prag krenues, të vlerave të identitetit tonë kombëtar, sot ishte po kaq i prekur dhe i emocionuar, si një rishtar në shugurimin e tij në udhën e hyjt të shërbestarit, kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u shpreh se: “Vlerësoj me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një ndër personalitetet aktualë më të spikatur të letrave shqipe, studiuesin, krijuesin, publicistin dhe botuesin e mirënjohur, Ndriçim Kulla, i cili si rrallëkush në dekadat e fundit ka shpalosur me veprimtarinë e tij vlerat më të spikatura kulturore, letrare dhe shkencore me rëndësi kombëtare.

Nderimi i tij është shprehje mirënjohjeje ndaj kontributit të vyer dhe arritjeve të shquara në paraqitjen dhe botimin e veprave të dijetarëve të elitës letrare dhe filozofike të mendimit shqiptar, duke u shndërruar në një shembull unik të qëndresës dhe forcës së karakterit ndaj diktaturës, si dhe të përkushtimit në shërbim të demokracisë dhe kulturës kombëtare. Vlerësimi për Ndriçim Kullën është gjithashtu dëshmi e respektit, e obligimit dhe e nderimit, për gjithçka ky personalitet, por edhe çdo studiues, krijues dhe botues shqiptar, ka bërë ndaj kauzës së atdheut dhe kulturës sonë kombëtare”.

Presidenti Meta duke dekoruar intelektualin, Ndriçim Kulla
Presidenti Meta duke dekoruar intelektualin, Ndriçim Kulla

Ndiçim Kulla, i vendosur dhe besimplotë, luftoi duke iu kundërvënë pengesave dhe vështirësive, persekutimit dhe ëndërrvrarëve, kohës së linçimit dhe atmosferës toksike të keqkuptimit dhe injorimit. Nuk e mposhti asnjë trazim dhe nuk e ndali asnjë pengesë, por si një sfinks, u ngrit mbi hirin e zjarreve dhe iu dha vetëmohues një përkushtimi të lartësuar në qëllim. Punoi, punoi, punoi shumë dhe u përpoq pafund, të promovojë emra dhe vlera të identiteteve pak ose aspak të njohura, duke i nxjerr ata nga terri i anatemës dhe mohimit, për t’i shpërfaqur në dritën e ditëlartësuar të nderimit dhe mirënjohjes.

Sot, kur flitet gjithnjë e më pak për dijen, mendimin, historinë e iluminizmit shqiptar, atë çfarë ishte dhe mbeti rrugëtimi i vetëdijes sonë ndër shekuj, sot kur libri më shumë se si një urëbashkim ndërkohësh e breznish, është katandisur në një mekanizëm vetkënaqësie dhe narcizmi, është dikush që ende beson te përpjekjet dhe puna titanike e ngadhënjyesit të vlerave dhe veprës. Ai është Ndriçim Kulla, një prej atyre kapaciteteve krijuese dhe promovuese, me të cilat përfaqësohemi denjësisht ne si kulturë dhe mendimi shqiptar si ndërmendje.

Fryti i një punë të gjatë dhe sfilitëse kërkimore, seleksionuese dhe kataloguese është sendërtuar në librat studimorë dhe biografikë, në tekste të vëllimshme që rreken të rishkruajnë mendimin shqiptar, të ribëjnë nga themelet historinë e dijes dhe dritës, të na begatojnë ëndjen tonë për njohje dhe vlerësim me kolana dhe kolosë, me identitete dhe integritete që mbeten tharmi i atij krenimi që sot Ndriçim Kullën e mëkojnë me bekimin dhe mirënjohjen e një çmimi të madh, “Nderi i Kombit”.

Për Kullën, procesi krijues është vërtet i pakuptueshëm gati misterioz te shkrimtari dhe studiuesi apo çdo krijues. Duhet të më mirëkuptoni, kjo nuk është ndonjë gjë e re e thënë nga unë se nuk e them unë për herë të parë. Por unë, në vetveten time, kam kuptuar se librat udhëtojnë te njeriu fillimisht me copëra fragmente të ndryshme si ide të copëtuara dhe ngadalë përqendrohen duke krijuar mbarsjen e një kompozicioni të bashkuar.

Sigurisht, kjo strukturë nuk lind në një hapësirë boshe dhe të papërfytyrueshme, por lind në truallin e një përgatitjeje kulturore dhe të disa ngacmimeve që zakonisht t’i jep si dhuratë jeta e gjithsecilit. Në planet e mia krijuese kam disa ide që më ngacmojnë përditë dhe paralelisht me disa vepra që tashmë kanë parë dritën e botimit kam punuar edhe për to”.

Ky udhërrëfim na njeh me labirintin që përshkon shpirti krijues i Kullës dhe njëherash na njeh me gurin e rëndë që supet e tij prej Prometeu bartin për ta çuar në majë, në atë majë prej nga ai zbret dhe ringjitet për të dëshmuar se mëkuesit e dritës përpara se të jenë Perëndi në kalendarin mitologjik, ishin dhe janë ngulm vetëmohuese drejt qëllimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura