“Ndrea Prendi u gjakos më 21 janar”

Nov 2, 2012 | 12:01
SHPËRNDAJE
Valide Meta në gjyq

Dëshmitarët e avokatëve, oficeri i Gardës: Protestuesit na sulmuan me gurë e bomba “Molotov”

Mjekja e Gardës në gjyq: Pati plagë në kokë, humbi kontrollin.

Gjykata e Tiranës u njoh dje me dëshminë e mjekes që i dha ndihmën e parë Ndrea Prendit, ish-kreut të Gardës, pas plagosjes së tij në demonstratën e 21 janarit 2011. Mjekja Vaide Meta ishte thirrur si dëshmitare e mbrojtjes në procesin gjyqësor në ngarkim të Ndrea Prendit, Agim Llupos dhe Margarit Kumes, të akuzuar për vrasjet e ndodhura në demonstratë. Sipas mjekes, Ndrea Prendi ishte plagosur rëndë, por ai nuk kishte pranuar të shkonte në spital. Po dje gjykata dëgjoi edhe dëshminë e gardistit Dritan Osmani, një nga personat që ndihmoi Prendin në sekondat e para pas plagosjes.
Dëshmia e mjekes VAIDE META
Av. Genc Gjokutaj: Cila ishte detyra juaj më 21 janar?
Meta: Nga shefi i shëndetësisë, Gjergj Ndreka, më ishte dhënë urdhër të isha e gatshme në Kryeministri gjatë orëve të demonstratës. Në orën 12:00 ishim te Kryeministria. Kishim një autoambulancë dhe një infermier. U vendosëm te pjesa e pasme e Kryeministrisë, te parkingu.
Av. Gjokutaj: A ka pasur gardistë të plagosur?
Meta: Ka pasur shumë të plagosur. Na u thye xhami i autoambulancës nga gurët dhe ne u spostuam më në thellësi. Kam mjekuar rreth 75-80 veta, përfshi edhe ata që ishin dëmtuar nga gazi lotsjellës. Një pjesë e mirë kishin dëmtime me mjete të forta në këmbë.
Av. Gjokutaj: Po Ndrea Prendi erdhi të mjekohej?
Meta: Kur po mjekoja oficerin Dashamir Shehu, që kishte një të çarë në pjesën e pasme të kokës, u lajmërova në telefon nga oficeri i drejtimit që të paraqitem dhe të takoj gjeneral Ndrea Prendin. Lashë infermierin të vijonte mjekimin dhe u drejtova për te dera, te hyrja e Kryeministrisë, nga ana e Piramidës. Te shkallët më thirri dikush: “Doktoreshë, doktoreshë”. Aty pashë gjeneralin të ulur pranë shkallëve. Ishte shumë i gjakosur. Aq sa nuk po shquaja ku e kishte plagën në fytyrë. Ishte një plagës sipër vetullës. Plaga e gjatë rreth 3-4 centimetra. I bëra mjekim për ndalimin e hemorragjisë. Ata aty më thanë që ta shikoja me kujdes se më parë i kishte rënë të fikët. I mata tensionin. Ishte i ulët. Kishte dhe vështirësi në frymëmarrje. Fillimisht mendova se kishte gëlltitur gjak, por pastaj mendova se duhet ta kishte nga gazi lotsjellës. Plaga kërkonte qepje. E këshillova të shkonte në spital, por gjenerali nuk pranoi. “Jam mirë, jam mirë”, tha. Kur u çua pati një humbje të ekuilibrit, por më pas u qetësua. Pastaj vazhdova mjekimin te holli. Në holl erdhi dhe disa herë të tjera, pasi pati vazhdim të hemorragjisë.
Av. Gjokutaj: Po të tjerë?
Meta: Gazmend Ahmetaj kishte një plagë të thellë. Mua m’u duk si plagë plumbi. Kam mjekuar edhe Dashamir Shehun, që veç çarjes pas koke, pati edhe një në vetull.
Av. Cerepi: Po Agim Llupon e keni mjekuar?
Meta: Po, kishte plagë në këmbë. Por të nesërmen unë isha në Kryeministri dhe Agimi më tha se kishte dhimbje koke. I mata tensionin dhe e kishte të lartë. Ai kishte shumë hematoma në pjesën poshtë krahëve.
Prokuroria: A janë shënuar emrat e të plagosurve, a ka statistikë?
Meta: Po, të gjithë emrat janë shënuar.
Dëshmia e gardistit DRITAN OSMANI
Av. Gjokutaj: Ç’detyrë kishit më 21 janar 2011?
Osmani: Jam efektiv i Gardës. Më 21 janar kam qenë specialist në departamentin e informimit dhe të analizës. Atë ditë kam qenë në oborrin e Kryeministrisë pasi u përdor gazi lotsjellës.
Av. Gjokutaj: Keni konstatuar sulm ndaj gardës?
Osmani: Kam konstatuar goditje me gurë nga protestuesit drejt gardistëve. Janë përdorur edhe bomba “Molotov”.
Av. Gjokutaj: Ka pasur të dëmtuar?
Osmani: Po, ka pasur plot të dëmtuar. Dëgjoja edhe klithmat e tyre. Është dëmtuar edhe Ndrea Prendi. Unë isha në gjunjë, në pozicion mbrojtjeje. Pas meje dëgjova një zë të fortë “oh” dhe rënien në tokë të një personi. Kolegu im, Ilir Duraku, vrapoi aty. Pashë që ishte Ndrea Prendi. Ai e kapi në një krah dhe instinktivisht unë e kapa nga krahu tjetër. Ishte edhe një pistoletë “Berretta” aty afër vendit ku ra Prendi. I thirrëm, por ai ishte pa ndjenja. Kolegu i hoqi kaskën që mbante në kokë dhe pamë që ishte i gjakosur. Deshëm ta çojmë në spital, por ai reagoi dhe tha: “Jo, jo. Jam mirë”. Pastaj erdhi një doktoreshë aty.

Prendi: U plagosa gjatë protestës

Komandanti i Gardes Ndrea Prendi

TIRANE – Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, aktualisht i pandehur nga Prokuroria për vrasje në procesin e 21 janarit, ka dhënë deklarime para trupit gjykues duke shpjeguar edhe plagosjen që i ka ndodhur teksa ndodhej në detyrë në ruajtjen e Kryeministrisë. Prendi ka shpjeguar se është ndodhur brenda rrethimit të Kryeministrisë, përkrah kolegëve të tij më 21 janar, kur ka pasur një sulm intensiv nga ana e protestuesve. “Në këtë kohë, në këtë zonë të nxehtë të sulmeve, kam qenë i pranishëm me uniformë dhe skafandër në kokë, si dhe me armën e brezit. Në këtë situatë, unë dhe efektivët e Gardës në këtë zonë, për një moment kam hapur zjarr në ajër. Në këtë kohë jam goditur rëndë në kokë dhe nga goditja me intensitet të lartë kam humbur vetëdijen. Kur jam përmendur, kam kuptuar se po ndihmohesha për të mbajtur ekuilibrin. Më thanë se isha rrëzuar në gjunjë. Ky moment ka qenë i shkurtër. Më pas kam qëndruar dhe për një farë kohe si i mpirë, dhe vetëm kur fillova të ndieja se në fytyre po më rridhte gjak, u kujtova se isha goditur rëndë”, ka dëshmuar Prendi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura