Ndjekje penale kryepolicit të Bashkisë

Feb 26, 2011 | 12:25
SHPËRNDAJE

Ai akuzohet se ka kundërshtuar vendimin e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për dorëzimin e armëve të policëve bashkiakë. Padia është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës para disa ditësh dhe mësohet se për njoftimin e të akuzuarit është vënë në dijeni juristi i Bashkisë së Tiranës. Sipas organit të akuzës, Dajti akuzohet se ka refuzuar të zbatojë urdhrin për dorëzimin e armëve, pas ngjarjeve që ndodhën gjatë demonstratës së 21 janarit. Refuzimi i urdhrit nga ana e Policisë Bashkiake, është argumentuar ndër të tjera edhe me faktin se policët e Bashkisë së Tiranës duhet të jenë të pajisur me armë, pasi kanë në mbrojtje objekte të rëndësisë së veçantë dhe institucione ku ndodhen vlera të konsiderueshme monetare. Burime pranë Bashkisë së Tiranës thanë dje se aktualisht efektivat e policisë janë të çarmatosur, por armët nuk janë dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ashtu siç thuhej në shkresën e drejtorit Saimir Muçaj, të datës 1 shkurt 2011. Mësohet se janë çarmatosur 27 policët bashkiakë që mbanin armë zjarri të tipit pistoleta dhe armët janë siguruar në një kasafortë, deri në dhënien e ndonjë urdhri të dytë. Për këtë arsye, Ministria e Brendshme ka vendosur të padisë në Prokurorinë e Tiranës drejtorin e Policisë Bashkiake, Zyhdi Dajti, i cili nuk ka zbatuar urdhrin për dorëzimin e armëve.
VENDIMI I ÇARMATIMIT
Më datë 27 janar 2011, Policisë Bashkiake të Tiranës i është hequr e drejta për mbajtjen e armëve të zjarrit. Për këtë vendim, Policia Bashkiake u njoftua me një shkresë të datës 1 shkurt 2011, të drejtorit të Policisë së Tiranës, Saimir Muçaj, që i kërkonte kryepolicit të Bashkisë, Zyhdi Dajti, dorëzimin e armatimit që kishin në përdorim vartësit e tij. Madje, mësohet se një shkresë e ngjashme u është dërguar edhe disa bashkive dhe komunave të tjera, në rrethe të ndryshme të vendit. Menjëherë pas kësaj shkrese, Zyhdi Dajti iu përgjigj drejtorit Muçaj me një shkresë tjetër, ku shpjegonte arsyet se përse policët bashkiakë duhet të jenë të armatosur. “Ashtu sikundër pajisja me armë e Policisë Bashkiake nuk është atribut i Policisë së Shtetit, por është atribut i ligjit të saj organik, edhe heqja e së drejtës për mbajtje, apo pajisje me armë e oficerëve të Policisë Bashkiake nuk është absolutisht atribut i Policisë së Shtetit”, thuhej ndër të tjera në shkresën që Zyhdi Dajti i dërgoi si përgjigje Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Por pavarësisht kësaj, burime nga Bashkia e Tiranës thanë se vendimi i ministrit të Brendshëm është zbatuar pjesërisht, pasi asnjë efektiv i Policisë Bashkiake aktualisht nuk është i armatosur. Bëhet e ditur se 27 pistoleta që kishin në përdorim policët, janë siguruar në kasafortë dhe asnjëra nuk është në përdorim.

 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura