Shuhet Leka Zogu I,pretendenti i fronit mbretëror

Nov 30, 2011 | 11:44
SHPËRNDAJE
Një nga paraqitjet e fundit publike te Mbretit Leka Zogu I, gjate firmosjes se peticionit kunder regjistrimit me baze e etnije dhe fetare

TIRANE- Nderron jete ne moshen 72 vjecare pretendenti i fronit mbreteror, Leka Zogu I. Pas nje kohe trajtimi ne spitalin Neorokirurgjik ne Qendren Spitalore Universitare ne Tirane, Leka Zogu I nuk ka mundur te kaloje gjendjen kritike ne te cilen ndodhej dhe ka vdekur ne reanimacionin e pavionit, sot ne oren 08.45 minuta.

Ne nje deklarate te Oborrit Mbreteror, nga ambientet e jashte te spitalit, u njoftua per lajmin e vdekjes, si pasoje e rendimit te gjendjes ditet e fundit.

“Sot në orën 08:45 në klinikën e neurologjisë ka pushuar zemra e naltmadhënisë Leka Zogu I. Naltmadhënia pushoi së marri frymë nga vuajtja e zemrës dhe mushkrive. Të premten, 25 Nëntor pësoi arrest kardiak dhe funksioni i zemrës ishte i pamjaftueshëm për të mbajtur në punë organet jetësore. Prej disa ditesh mbreti jetonte nepermjet intubimimit. Falenderojmë mjekët për shërbimin e specializuar. Familja mbretërore ngushëllon popullin shqiptar për humbjen e mbretit legjitim”- tha zedhenesi.

Nga ana e familjes mbretërore u bë një falënderim i veçantë për ekipin mjekësor nën drejtimin e prof. Mentor Petrela, dr. Kliti Pilika, stafin qe u kujdes per te, ministrin e Shendetesise dhe qeverine per angazhimin e treguar.

Rreth ores 11.00 trupi i pajete u largua nga spitali drejt rezidences mbretetore, ne pergatitje per zhvillimin e ceremonise mortore.

Leka Zogu I ishte shtruar në reanimacionin e Qendrës Universitare në Tiranë qysh prej datës 15 nëntor, nën mbikëqyrje mjekësore non-stop.

Leka Zogu I lindi më 5 Prill 1939 në Tiranë, dy ditë para pushtimit fashist të Shqipërisë.

 

Diagnoza

Nga ana e mjekut Mentor Petrela, diagnoza u përmblodh në pak fjalë, duke argumentuar se mbreti mjekohej për vuajtje multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive. Pas dite pas shtrimit, Petrela beri me dije se mbreti vuante në mënyrë kronike nga dëmtime të disa organeve, të cilat për shkak të moshës, kanë përkeqësuar funksionimin e tyre. Prej vitesh pretendenti për fronin mbretëror ka shfaqur probleme me rrugët e frymëmarrjes dhe tendenca e anoreksisë së theksuar.  Nga ana e familjes mbretërore, gjithçka iu la në dore mjekëve shqiptarë dhe vetë doktor Mentor Petrelës, i cili prej vitesh kujdesej për shëndetin e mbretit.

Një ditë pas shtrimit të Leka Zogu I në spital, kanë vijuar edhe vizitat e krerëve të shtetit, siç ishte vizita e Presidentit Bamir Topi apo e Kryeministrit Sali Berisha, vizita të cilat ishin edhe të shkurtra për shkak të gjendjes së mbretit në ato ditë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura