Ndalohen reklamat në e-mail e celular

Jan 31, 2012 | 12:49
SHPËRNDAJE

Flora Çabej

Komisioneri: Si do kontrollohen të dhënat personale nga kompanitë e celularëve dhe shoqëritë e internetit

Zbardhet urdhri: Jo SMS e e-mail automatike për shitjet
Mesazhet telefonike të automatizuara për qëllime promocionale nuk do të na vijnë më në celularë. Edhe posta elektronike nuk do të ketë më e-mail-e të papritura nga subjekte private që tregtojnë produkte. Po kështu, kompanitë celulare dhe kushdo që ka akses në kontrollin e të dhënave personale të individëve, duhet të specifikojnë se cilat janë të dhënat që mund të ruhen duke dhënë arsyet. Udhëzimi i ri për përpunimin, sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale i cilëson këto praktika si të palejueshme. Në të përcaktohen rregullat si do të ruhen të dhënat personale të qytetarëve që kanë komunikim në rrjetet e kompanive celulare apo e-mail. Sipas udhëzimit, ndalohet dëgjimi, shtypja, magazinimi ose lloje të tjera përgjimi ose mbikëqyrjeje të komunikimeve dhe të dhënave qarkulluese në fjalë (sms) nga persona të ndryshëm nga përdoruesit, pa dhënien e pëlqimit të përdoruesve të interesuar, përveç kur janë ligjërisht të autorizuar për të vepruar kështu. “Përdorimi i sistemeve të thirrjeve të automatizuara pa ndërhyrjen e individit, makinat e faksit ose posta elektronike për qëllime të tregtimit të drejtpërdrejtë lejohet vetëm në lidhje me abonentë që kanë dhënë pëlqimin e tyre paraprak”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, kur personi fizik ose juridik merr nga abonentët të dhënat elektronike për postën elektronike, në kuadër të shitjes së një produkti apo një shërbimi, ai mund t’i dërgojë me kusht që abonentëve t’u jetë dhënë mundësia në mënyrë të qartë dhe dukshëm, pa pagesë, për t’i refuzuar fillimisht përdorime të tilla”. Kontrolluesit duhet të vendosin kritere specifike për të vlerësuar se çfarë është e përshtatshme, e mjaftueshme dhe jo e tepërt dhe këto kritere zbatohen për çdo përpunim të të dhënave”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, kontrolluesit nuk mbledhin ose mbajnë të dhëna personale për të cilat ata nuk kanë nevojë, duke arsyetuar se të dhënat mund të përdoren në të ardhmen. Të dhënat në lidhje me abonentët (persona fizikë), të përpunuara brenda rrjeteve elektronike të komunikimit që përmbajnë të dhëna për jetën private ruhen në atë masë dhe kohë që është e nevojshme për ofrimin e shërbimit për qëllime të ligjit dhe për ndërlidhje të pagesave. “Çdo përpunim i mëtejshëm i të dhënave të tilla nga ofruesi i shërbimeve të komunikimit elektronik në dispozicion të publikut, për tregtimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike ose për sigurimin e vlerës së shtuar të shërbimeve, lejohet vetëm nëse abonenti ka dhënë pëlqimin. Pëlqimi të jetë dhënë në bazë të informacionit të saktë dhe të plotë të dhënë nga ofruesi i shërbimeve të komunikimit elektronik në dispozicion të publikut në lidhje me llojet e përpunimit të mëtejshëm që ka qëllim për të kryer. Abonenti ka të drejtën për të mos dhënë ose për të tërhequr pëlqimin e përpunimeve të tilla”, thuhet në udhëzim.

Udhezimi
Konfidencialiteti i komunikimeve

Kontrolluesit garantojnë konfidencialitetin e komunikimeve dhe të të dhënave qarkulluese që kanë të bëjnë me të, sipas qëllimit të një rrjeti të komunikimit publik dhe shërbimit të komunikimit elektronik publikisht të disponueshëm sipas legjislacionit kombëtar. Kontrolluesit ndalojnë dëgjimin, shtypjen, magazinimin ose lloje të tjera përgjimi ose mbikëqyrje të komunikimeve dhe të dhënat qarkulluese në fjalë nga persona të ndryshëm nga përdoruesit, pa dhënien e pëlqimit të përdoruesve të interesuar, përveç kur janë ligjërisht të autorizuar për të vepruar kështu.

Ruajtja e të dhënave
Kontrolluesit e të dhënave të jenë të qartë në lidhje me periudhën e kohës për të cilat të dhënat personale mbahen dhe arsyet përse informacioni është duke u mbajtur. Nëse qëllimi për të cilin merren të dhënat ka pushuar dhe informacioni personal nuk është më i nevojshëm, të dhënat fshihen ose tjetërsohen në një mënyrë të sigurt.
Të dhënat anonimizohen për të hequr çdo të dhënë personale. Në mënyrë që të përputhet me këtë kërkesë ligjore, kontrolluesit e të dhënave caktojnë përgjegjësi specifike dhe vendosin procedurat për të siguruar që dosjet të zbrazen rregullisht dhe se të dhënat personale nuk janë mbajtur më gjatë se sa ka qenë e nevojshme.
Orientimet në lidhje me shërbimin e komunikimit elektronik të publikut kanë të bëjnë vetëm për të dhëna të krijuara ose të përpunuara si pasojë e një komunikimi ose një shërbimi komunikimi dhe nuk kanë të bëjnë me të dhënat që ka përmbajtja e informacionit të komunikuar.
Kontrolluesit që mbledhin të dhëna për një ose më shumë qëllime legjitime nuk mund t’i përdorin ato për ndonjë qëllim tjetër, përveç atyre për të cilin janë mbledhur.

Përdorimi i të dhënave për marketingun e drejtpërdrejtë
Përdorimi i sistemeve të thirrjeve të automatizuara pa ndërhyrjen e individit, makinat e faksit ose posta elektronike për qëllime të tregtimit të drejtpërdrejtë lejohet vetëm në lidhje me abonentë që kanë dhënë pëlqimin e tyre paraprak.
Pavarësisht nga paragrafi 1, kur personi fizik ose juridik merr nga abonentët të dhënat elektronike për postën elektronike, në kuadër të shitjes së një produkti apo një shërbimi, i njëjti person fizik ose juridik i përdor këto detaje të kontaktit elektronik për tregtim të drejtpërdrejtë të produkteve të ngjashme ose të shërbimeve të veta, me kusht që abonentëve t’u jetë dhënë mundësia në mënyrë të qartë dhe dukshëm, pa pagesë, për t’i refuzuar fillimisht përdorime të tilla.
Të dhënat në lidhje me abonentët (persona fizikë), të përpunuara brenda rrjeteve elektronike të komunikimit që përmbajnë të dhëna për jetën private ruhen në atë masë dhe kohë që është e nevojshme për ofrimin e shërbimit për qëllime të ligjit dhe për ndërlidhje të pagesave.
Çdo përpunim i mëtejshëm i të dhënave të tilla nga ofruesi i shërbimeve të komunikimit elektronik në dispozicion të publikut, për tregtimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike ose për sigurimin e vlerës së shtuar të shërbimeve, lejohet vetëm nëse abonenti ka dhënë pëlqimin. Pëlqimi të jetë dhënë në bazë të informacionit të saktë dhe të plotë të dhënë nga ofruesi i shërbimeve të komunikimit elektronik në dispozicion të publikut në lidhje me llojet e përpunimit të mëtejshëm që ka qëllim për të kryer. Abonenti ka të drejtën për të mos dhënë ose për të tërhequr pëlqimin e përpunimeve të tilla.

Survejimi me kamera i pallateve, vetëm me votat e 75% të banorëve

Ndryshojnë rregullat për survejimin me kamera sigurie në ndërtesa, lokale dhe ambiente të tjera publike. Deri tani, nëse një subjekt privat vendoste kamera në çfarëdolloj ambienti, ligji nuk parashikonte sanksione. “Sistemi i video-survejimit nuk duhet të ndërhyjë në jetën private të individëve. Përpunimi i të dhënave me anë të një sistemi video-survejimi mund të lejohet vetëm nëse qëllimi për të cilin është instaluar ky sistem nuk mund të arrihet në një mënyrë tjetër. Instalimi i një sistemi video-survejimi është i ndaluar në dhoma që përdoren ekskluzivisht për qëllime private si tualete, dushe, zhveshje”, thuhet në udhëzimin e Komisionerit. Sipas tij, qëllimi i regjistrimit duhet të specifikohet qartë dhe të jetë në përputhje me interesat ligjore të kontrolluesit. Regjistrimet mund të përdoren vetëm për hetimin e një ngjarjeje që ka sjellë dëmtimin e këtyre interesave të mbrojtur me ligj. “Legjitimiteti i përdorimit të të dhënave personale të regjistruara për qëllime të tjera duhet të jetë i kufizuar vetëm për një interes të rëndësishëm publik”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, në sektorin publik dhe privat që përdoren sisteme video-survejimi, në hyrje të godinave zyrtare dhe të ushtrimit të aktiviteteve tregtare, me qëllim mbikëqyrjen e hyrjeve dhe daljeve për mbrojtjen e sigurisë së njerëzve dhe të pronës, për të mbrojtur sekrete dhe sekrete tregtare kur ky qëllim nuk arrihet në mënyra të tjera, lejohet përpunimi i të dhënave personale me anë të sistemeve të video-survejimit vetëm me vendim me shkrim të organit kompetent zyrtar ose personi tjetër kompetent. Kamerat nuk duhet të pozicionohen dhe të marrin imazhe nga ambiente të cilat nuk përputhen me qëllimin e mbikëqyrjes. Është e ndaluar mbikëqyrja dhe regjistrimi i imazheve në ambiente private, si ambiente sanitare, dhoma zhveshjeje. Kamerat në godinat e pallateve duhet vendosen me miratimin e 75% të banorëve, në zbatim të legjislacionit për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura