Festivali, nata gala mbledh ikonat e këngës në 50 vite

Dec 29, 2011 | 12:38
SHPËRNDAJE

Rita, Juli dhe Frederik Ndoci, së bashku me prezantuesit e festivalit

Jubileu i 50-të ngjit në skenë artistët që i mungojnë festivalit prej vitesh.

Kjo ishte dita më gazmore e provave. Jo sepse nuk kishte tension gare, por sepse ishte një ditë takimi. Këngëtarët më në zë të para e pas viteve ’90 ishin mbledhur dje paradite në sallën e Pallatit të Kongreseve për të provuar për natën “Gala”, e cila iu kushtua e gjitha atyre. Motrat Juli e Rita Ndoci kanë ardhur nga Gjermania. Ato ndoshta kanë më shumë mall se të tjerët. I takojnë të gjithë, përqafohen e fillojnë e pyesin për jetën, për fëmijët… Janë të gëzueshme, të qeshura dhe me shkodranishten karakteristike bëjnë hoka me të gjithë. Nxjerrin aparatet fotografikë, kush celularët e bëjnë foto me të gjithë. Kjo ditë kush e di kur do të përsëritet… Po ka ardhur edhe Alida Hisku. Edhe ajo nga Gjermania. Ka lënë gjithçka për të ardhur, madje do kishte dashur që organizatorët të ishin kujtuar më herët për ta. Ajo do ta kishte gjetur një zgjidhje. Por ka ardhur edhe Tonin Tërshana, David Tukiqi, Bashkim Alibali, Mefarete Laze, Kozma Dushi, motrat Irma dhe Eranda Libohova, Manjola Nallbani… Ja ku ia beh edhe Aurela Gaçe, e cila sapo ka sjellë në jetë vajzën e saj Grejs (Grace). Të gjithë e pyesin për vajzën dhe i urojnë jetë të gjatë… Dy këngë shumë të dashura për të e ndanë për pak nga vogëlushja: “Fati ynë shpresë e marrëzi”, një kompozim i Ferdinand Dedës, të cilën ajo e solli në skenë në duet me Elton Dedën dhe “Jetoj”, një kompozim i Adrian Hilës, në duet me Mariza Ikonomin. Por nuk mund të mungonin edhe miqtë nga Kosova. Ata që i sollën ca ngjyrime të tjera festivalit të pas viteve ’90. Sabri Fejzullahu, Gili e Mihrije Braha ishin të ftuarit e veçantë të kësaj mbrëmjeje. Ndonëse këngët e tyre nuk ishin fituese, për kontributin që kënga kosovare ka dhënë për muzikën e lehtë e meritonin të ishin në këtë festë të këngës.
Nata e tretë e festivalit kishte më pak tension se dy netët e mëparshme. Këngët ishin të regjistruara. Më në fund një ditë pushim për orkestrantët. Por atmosfera ishte edhe më e gëzueshme. Ishin plot 29 këngë. Mes tyre, 26 fituese e 3 si tribut për muzikën kosovare. Ishin nga këngët më të bukura e të dashura për publikun, i cili nuk mund të mos këndonte bashkë me këngëtarët. Një natë emocionesh, ku të rikthyerit ndanë me publikun jo vetëm këngët-hite, por edhe ndjesitë që krijonte ringjitja në skenën e Festivalit.

Tonin Tërshana
Suksesi i këngëtarit nuk janë çmimet
Bora e viteve e ka zbardhur krejt. Harta vijash i mbulojnë fytyrën, por për t’u ngjitur në skenë nuk ka moshë. Për vite me radhë Tonin Tërshana do të ishte një nga këngëtarët meshkuj më të preferuar në Shqipëri. Zëri i butë e bënte atë të preferuarin e autorëve, por edhe të publikut. Të ngjitej në skenën e festivalit për të ishte një rast i jashtëzakonshëm. “Janë emocione të mëdha, sepse është një jubile 50-vjeçar. Kam gati 20 vjet që nuk marr pjesë në festivale, pasi detyrimisht do të zëvendësoheshim nga të rinjtë. Por edhe pse jam kaq në moshë, prapë më duket sikur emocionin e kam njëlloj si vitet e mëparshme. Do i falënderoja organizatorët e festivalit që na kujtuan edhe ne të vjetërve. Për mua është një kënaqësi e veçantë, sepse kisha nevojë për këtë emocion. Gati-gati i kisha harruar dhe më duket sikur po këndoj për herë të parë”, thotë Tërshana, pasi ka zbritur nga skena e Pallatit të Kongreseve, ku këndoi këngën “Erdh pranvera”. Një këngë gati 40-vjeçare e kompozuar nga Pjetër Gaci dhe tekst të Fatos Arapit. Një këngë shumë e suksesshme asokohe. Edhe pse fitues i disa çmimeve të para, Tërshana thotë se suksesi i një këngëtari nuk qëndron te çmimet, por te popullariteti që ka fituar kënga dhe ai ia ka arritur këtë sukses.

Sherif Merdani: Që nëna është më e rëndësishmja, ma mësoi qelia
Mes të rikthyerve në 50-vjetorin e festivalit nuk mund të mungonte edhe Sherif Merdani, një nga ata që e ka pësuar për muzikën gjatë viteve të diktaturës. Plagët i ka ende të hapura, por ai mundohet të gjejë edhe ato pak nuanca gri në errësirë. “Mes gjithë këtyre kolegëve që këndojnë sot në këtë natë gala, unë ndihem njeriu më i privilegjuar, sepse më ka rënë rasti të këndoj për njeriun më të dashur në jetën tonë. Njeriu më i dashur në jetë nuk qenka as gruaja, as djali, as vajza, as babai, as miku… Njeriu më i dashur qenka nëna, ndaj dhe unë këndoj “Këngën e nënës”. Më e çuditshmja është se këtë mesazh mua ma ka dhënë një kriminel. Po, po, kryetari i degës në Librazhd, pasi më dënoi padrejtësisht 10 vjet, hyri një ditë në dhomën e izolimit, më qëlloi me grusht me sa fuqi që kishte dhe më tha: Ku i ke ato vajzat që të shoqëronin, ku i ke ata shokët që të qerasnin, ku i ke miqtë që të merrnin me makinë nëpër koncerte? Të kanë braktisur të gjithë, vetëm ajo nëna të vjen këtu me një çantë të vjetër, që sjell nja dy tesha dhe ushqime…”. Vërtet më kishin braktisur të gjithë, vetëm nëna vinte..”, thotë Merdani.

Alida Hisku: Ndihem si në festivalin e 13-të
Alida Hisku ka ardhur nga Gjermania për këtë natë. E përshkon energjike tej e mbanë skenën e Pallatit të Kongreseve, atë skenë, ku do të kishte dashur të ngjitej shumë vite më parë. Nëse e pyet për emocionet, ato nuk i mungojnë, me gjithë karakterin e saj të hedhur. Kënga “Vajzat e fshatit tim” e kthen në ato kohëra, kur ajo ishte një këngëtare e suksesshme, me gjithë moshën e saj fare të re. “Emocionet e festivalit të 13-të janë edhe sot e kësaj dite”, thotë ajo, teksa zbret nga skena, duke lënë pas jehonën e duartrokitjeve. “Dëshira ime ka qenë të këndoja në skena të mëdha, për sa më shumë publik. Kjo më gëzon, sepse është hera e parë që këndoj në këtë skenë dhe është një ditë e veçantë për mua”. Një gëzim i pamasë i saj është që takoi sërish kolegët e dikurshëm, të cilët do kishte dashur t’i takonte më parë. “U deshën 50 vjet festival që ne me shumë nostalgji të mblidheshim nga të gjitha anët e botës? Në këto momente emocioni nuk do të doja të kritikoja, aq më tepër që nga kritikat e kam pësuar e jetën dhe karrierën time”, thotë këngëtarja, që nuk hezitoi aspak të merrte avionin e të vinte në Tiranë me rastin e 50-vjetorit të festivalit. “Ku është dëshira, është edhe një rrugëzgjidhje”, thotë ajo.

Ishte 13 vjeç kur këndoi “Globi rrotullohet”
David Tukiqi: Dhuratë për ditëlindje
Megjithëqë kohët ka ndryshuar e fëmijët e sotshëm kanë të tjerë idhuj, nuk janë të paktë ata që e dinë këngën “Globi rrotullohet” të kënduar nga David Tukiqi, kur ai ishte vetëm 13 vjeç. Në 50-vjetorin e Festivalit të RTSH-së, kompozitori Tukiqi e këndoi edhe një herë këtë këngë, edhe pse tashmë nuk është më një djalë i vogël me pantallona të shkurtra…
Ishit vetëm 13 vjeç kur e kënduat këtë këngë dhe i riktheheni sërish pas kaq shumë vitesh, si rri kjo këngë tek Davidi i rritur?
Është më se e natyrshme që këtë këngë ta këndoj sërish edhe tani, ndonëse nuk jam më i vogël. Por një glob mund t’i dhurohet gjithkujt, ndihem shumë mirë që e këndoj, pasi mendoj që është një perlë në gjithë atë gjerdanin e këngëve më të bukura të festivaleve. Është një këngë e kompozuar nga Nikolla Zoraqi e me tekst të Fatos Arapit dhe orkestruar nga Robert Radoja. Është një këngë e veçantë që unë mendoj se ka ngelur. Ky është 50-vjetori i festivalit dhe mendoj që edhe në të 100-tin festival, ajo prapë do të këndohet.
Ky rikthim ju dha mundësinë të takonit edhe kolegë që nuk i kishit parë prej vitesh, apo jo?
Po, po, takova shumë prej tyre dhe ishte kënaqësi e veçantë, por shumë e rëndësishme për mua është edhe që nuk ngjitem në skenë vetëm si këngëtar, por një nga këngët fituese, ajo e festivalit të 26-të mban kompozimin tim. Kështu që kam dy gëzime në një ditë edhe si këngëtar, edhe si kompozitor. Dhe kënga titullohet pikërisht “Dy gëzime në një ditë” e dikur e ka kënduar Nertila Koka.
Si po ju duket festivali, mendoni se mes tyre do të ketë të atilla që do të këndohen si “Globi” juaj?
E kam ndjekur festivalin, më pëlqen shumë. Është direkt dhe kjo është diçka shumë e madhe, sepse këngëtari edhe jep, por edhe merr nga publiku. Është një komunikim i ndërsjellë dhe shumë mirë që i erdhi dita të bëhej sërish direkt. Mua më vjen keq që “Globin”, edhe pse e kam kënduar para 10 ditëve, më duhet ta sjell në “play back”, sepse jo të gjithë janë në gjendje që t’i këndojnë këngët e asaj kohe direkt. Meqë ende ndihme mirë nga zëri do të doja të këndoja direkt, sepse të jep një emocion dhe një gjendje që nuk ta jep studioja. Direkt mund të japësh më shumë, ashtu si edhe mund të të shpëtojë diçka, nëse nuk je në formën e duhur. Por edhe kjo ka të bukurën e saj. Megjithatë kjo është një këngë që e kam kënduar vetëm para 10 ditëve, e meqë ishte një rregull për të gjithë e për të mirën e të gjithëve, unë e pranoj me kënaqësi.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura