Nani: Ronaldo gënjen për penalltinë

Jun 30, 2012 | 14:29
SHPËRNDAJE

Portugalia nuk gjen paqe. Kampi luzitan vazhdon të prodhojë polemika, edhe pse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga kthimi i tyre në shtëpi. Nani ka akuzuar kapitenin Kristiano Ronaldo se ai ka gënjyer publikisht për debatin e ekzekutimit të penalltisë në ndeshjen me Spanjën, duke thënë se nuk ishte trajneri Bento ai që e caktoi sulmuesin e Realit të pestin në radhë për të gjuajtur penalltinë. 27-vjeçari u sulmua nga shtypi vendas se duhet të kishte gjuajtur më herët nga pika e bardhë, por shansi për t’u vendosur përballë shokut të skuadrës Iker Kasijas, nuk i erdhi kurrë, pasi përpara tij nga 11 metrat gaboi mbrojtësi Bruno Alvesh. Lojtari më i shtrenjtë në botë në historinë e futbollit këmbënguli se ishte tekniku Paulo Bento ai që kishte vendosur radhën e ekzekutimit, por ish-shoku i tij edhe te Mançester Junajtid, Luis Nani, ka një tjetër të vërtetë. “Është Kristiano Ronaldo ai që e kërkoi ta gjuante i pesti penalltinë, ndërsa unë i thashë trajnerit se nuk e kisha problem radhën. Për mua nuk kishte asnjë problem, sepse penalltitë janë të gjitha fat dhe ne nuk e merituam të eliminoheshim në këtë mënyrë”, tha mesfushori i djathtë i Aleks Fergusonit. Gjatë ekzekutimit të penalltive, edhe vetë ish-ylli i Sportingut u përfshi në një keqkuptim të çuditshëm. Fantazisti 25-vjeçar u afrua të gjuante penalltinë e tretë, e cila në radhë i takonte Bruno Alveshit.

Ronaldon e ndjek tersi, humbet edhe avionin
Për Kristiano Ronaldon është një moment “jo”. Pas eliminimit të Portugalisë nga shorti i penalltive në gjysmëfinale me Spanjën, ylli i Kombëtares luzitane nuk ka mundur dot të kthehet në Lisbonë së bashku me skuadrën. Kapiteni e ka humbur avionin që nisej nga Donetsku drejt kryeqytetit portugez. Sulmuesi i Realit kishte shkuar në barin e aeroportit për të blerë një briosh dhe një kafe vetëm pak minuta përpara nisjes së avionit të skuadrës. 27-vjeçari është detyruar të presë disa orë, duke iu bashkuar skuadrës në shtëpi me avionin e radhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura