Naimi dixhital në faqen e Bibliotekës Kombëtare

May 27, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Nëse njerëzit nuk shkojnë në bibliotekë, atëherë është kjo e fundit që troket në shtëpinë e tyre. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka gjetur një mënyrë krejt të veçantë për t’i bërë homazh një prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare në 170-vjetorin e lindjes, por edhe për t’i ardhur sa më pranë lexuesit.

naimi

Dy ditë më parë, BKSH prezantoi editimin dixhital të veprave të Naim Frashërit, të cilat mund të shfletohen dhe shkarkohen tashmë, nga kushdo, përmes faqes zyrtare të BKSH-së (www.bksh.al). Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Biblioteka Kombëtare i dhuroi lexuesit një nga tragjeditë e Shekspirit: “Othello – Arapi i Venedikut”, përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga Fan S. Noli.

E tanimë, biblioteka dixhitale, e cila i është gjendur pranë lexuesit përmes disa periodikësh, hartash e librash albanologjikë, pasurohet me veprën e plotë të Naim Frashërit. Janë plot 16 tituj veprash: “Dëshira e vërtetë e shqipëtarëvet” (1904), “Bagëti e Bujqësija” (1886), “Lulet e verësë” (1890), “Istori e Shqipërisë” (1899). “Fletore e Bektashinjvet” (1908), “Dituritë për mësonjëtoret të para” (1888), “Qerbelaja” (1898), “Shqipëria” (1902), “Istori e përgjitheshme për mësonjëtoret të para” (1886), “Vjersa për mësojëtoret e para” (1886), “Istori’ e Skënderbeut” (1898) “Mësime” (1894) si dhe “Gjithësija: (1895). Krahas tyre, do të publikohet edhe përkthimi nga Naim Frashëri i këngës së parë të “Iliadhë” (1896).

Arkivi Dixhital i Bibliotekës Kombëtare së fundmi është pasuruar me shërbimin më të ri, “LIBRA”, dhe siç njoftohet nga BKSH, në të, do të publikohen në format elektronik libra të vyer të fondit arkivor të BKSH, duke u ardhur në ndihmë të gjithë studiuesve dhe përdoruesve të saj.

Deri më sot, lexuesi ka mundur të shfletojë në variantin elektronik koleksione të rralla periodikësh, si “Albania”, (1896-1913); “Dituria” (1909-1929), “Hylli i Dritës” (1921-1944) dhe “LEKA” (1929-1944), “Kalendari Kombiar” dhe “Përlindj’e Shqipëniës”. Në këtë fond janë përfshirë edhe vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare, dorëshkrime, harta dhe periodikë, të shekujve XV-XIX, në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura