“Virgine”, sërish “arrest në burg” për Hajri Elezaj

Jul 29, 2011 | 17:54
SHPËRNDAJE
I akuzuari, Hajri Elezaj

TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot nisjen e verifikimit për vendodhjen e të pandehurit, Hajri Elezaj, i implikuar në kontrabandën e naftës Virgine. Një ditë më parë Gjykata e Apelit Tiranë, kishte vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për, Elezajn nga “arrest në shtëpi” në “arrest në burg”.

Sipas Prokurorisë, efektivat e policisë Tiranë, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, ka shkuar në banesën e shtetasit, Hajri Elezaj, për të ekzekutuar vendimin, ndërsa  personi nën hetim nuk është gjendur në banesën e tij, si dhe nuk dihet vendodhja.

“Në këto kushte, kur i hetuari Hajri Elezaj është ndër personat kryesorë në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës Virgine, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë  ka nisur verifikimet për vendodhjen e të hetuarit” -thuhet në deklaratën e Porkurorisë.

Gjykata e Apelit  Tiranë një ditë më parë kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurimit të personit nën hetim Hajri Elezaj, nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest në burg”.

Ndërkohë, gjykata në datën 4 korrik të këtij viti kishte ndryshuar edhe njëherë tjetër masën e sigurisë për Elezajn, nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, bazuar në një raport të mjekësisë ligjore, ku Elezaj me qëndrimin e tij në paraburgim rrezikonte jetën për shkak të problemeve serioze qe ka me frymemarrjen.

Kjo është një tjetër pikë për të cilën Prokuroria ka nisur vërifikimin e kushteve dhe rrethanave që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit të tij, të personave që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit “arrest në Shtëpi” të shtetasit Hajri Elezaj.”-

Prokuroria Shqiptare është e vendosur të hetojë në thellësi dhe gjerësi gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, përfundon deklarata e Prokurorisë.

Biznesmeni Hajri Elezaj është akuzuar nga Prokuroria për kontrabandë me naftën “virgine”, ndërsa skandali i saj, u denoncua nga ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti.

Pas hetimeve të Prokurorisë rezultoi se përgjatë viteve 2007-2009 në kundërshtim me ligjin nafta “virgine” ishte shitur në tregun vendas edhe pse ishte produkt i destinuar për eksport.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura