Nafta arrin rekord të ri, shitet me 195 lekë për litër

Feb 29, 2012 | 11:41
SHPËRNDAJE

Çmimi i naftës u është rikthyer edhe një herë rekordeve, duke shënuar një nivel 195 lekë për litër. Në një pjesë të mirë të pikave të tregtimit të karburantit, çmimet kanë pësuar rritje krahasuar me disa ditë më parë. Ky çmim duket se ka vënë para dilemave qytetarët, duke llogaritur më mirë ecjen sesa karburantin me një çmim super të shtrenjtë. Në fakt, ulje-ngritjet në çmimin e karburanteve prej dy vitesh janë bërë më të shpeshta, por duket se edhe këtë herë atributin për këtë shtrenjtim do ta marrin taksat. Kompanitë kanë përfunduar rezervat që kishin me një çmim më të leverdishëm dhe tashmë ka filluar karburanti i ri, që është importuar me taksë 7 lekë për litër, që është taksa e qarkullimit që u vendos për mjetet. Edhe në bursa çmimi i naftës ka shfaqur një tendencë rritjeje, që gjithmonë u atribuohet vlerësimeve që kompanitë e riskut financiar bëjnë për shtete të rëndësishme apo trazirave dhe deklaratave politike mes vendeve të ndryshme. Në bursën e Londrës ku edhe referohen importuesit shqiptarë për blerjen e tyre, një fuçi naftë dje u shit për 124 dollarë, një nivel super i lartë çmimi. Ndërsa krahasuar me një ditë më parë, çmimi i naftës në këtë bursë ka pësuar rënie. Pak kohë më parë, rritja në tregje iu faturua tensioneve mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat arritën deri aty sa të diskutohej një embargo për naftën iraniane apo një bllokim i Gjirit Persik nga ky shtet, nëse SHBA apo BE do të merrnin iniciativa bllokuese. Të fundit që paguajnë për gjithë këto, janë qytetarët, të cilët vit pas viti po përballen me çmime gjithmonë e më të larta për karburantet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura