Naço thërret tryezën për Drejtësinë, PD me ekspertë

Oct 31, 2014 | 12:40
SHPËRNDAJE

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, do të mbledhë sot tryezën e radhës për reformën në Drejtësi. Por pavarësisht se në rendin e ditës është parashikuar pjesëmarrja e opozitës, përfaqësimi i saj do të jetë thjesht në nivel teknik. Burimet thanë se do të jetë Ivi Kaso që do të përfaqësojë platformën e PD-së në këtë tryezë. Ndërkohë që në programin e tryezës ishte parashikuar dhe pjesëmarrja e Oerd Bylykbashit, edhe pse kjo pjesëmarrje ishte e lënë me nënvizimin e pakonfirmuar. Burimet nga PD thanë se në këtë tryezë nuk do të ketë një përfaqësim në nivel deputetësh. Ndërsa mësohet se ka pasur dhe një komunikim zyrtar mes kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe ministrit të Drejtësisë. Dhe duke parë se paneli do të drejtohet nga zëvendësministrat, por dhe nga formati i kërkuar, opozita do të japë mendimin e saj nëpërmjet ekspertëve. Po ashtu pjesëmarrës do të jenë nga organizatat ndërkombëtare të përfshira në reformën ligjore në Shqipëri, institucioni i Presidentit, si dhe të strukturave të tjera të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Pikat ku do të përqendrohen folësit do të jenë mbi reformimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Prokurorisë dhe Këshillit të Prokurorisë, Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar dhe Reformimin e Organizimit të Sistemit Gjyqësor. Ndërsa temat që do të trajtohen nga palët do të shërbejnë për organizimin e një drafti të plotë ligjor mbi sistemin e drejtësisë në vend. Takimi që do të mbahet sot në Ministrinë e Drejtësisë vjen pas forumit të organizuar nga Presidenti i Republikës dhe Ministria e Drejtësisë më 6 tetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura