Naço: Këshilli i Lartë i Drejtësisë rishkel ligjin
KLD: Qëllimi i ministrit, vënia e tij nën kontroll

Jun 30, 2014 | 19:07
SHPËRNDAJE

UPDATE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë hodhi poshtë sot pretendimet e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço se në mbledhjen e sotme është shkelur ligji.  Sipas KLD-se,  deklarimet e Ministrit të Drejtësisë, bërë publike sot në media, se KLD ka shkelur hapur ligjin, apo thirrjet e tij për “ndihmë” drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve vërteton edhe një herë se qëllimi i tij nuk është përmirësimi i sistemit gjyqësor, por vendosja e tij në kontroll.

Në një deklaratë për shtyp, me heret gjate dites, ministri Naço tha se gjatë mbledhjes së sotme KLD vijoi të shkelë ligjin me marrjen e një vendimi që përmbyll nje proces të nisur në mënyrë të kundërligjshme.

“Procesi i antiligjor i nisur që me shpalljen e vendeve vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe i përfunduar me votimin e ditës së sotme, përveçse është në kundërshtim me ligjin, mbetet thellësisht i politizuar, për sa kohë që u konfirmuan si kandidatura fituese, njerëz që kanë shërbyer në funksione politike.”- tha Naço.

Ndërkaq, KLD thotë se përkundrejt pretendimeve të Ministrit të Drejtësisë se KLD ka shkelur ligjin, gjejmë rastin të informojmë opinionin publik se vendimmarrja e sotme apo dhe ajo e datës 11 Prill 2014, me anë të së cilës janë shpallur vendet vakant, janë kryer në respektim të plotë të Kushtetutës e cila i ka atribuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të drejtën e patjetërsueshme të propozimit për emërim apo edhe të transferimit të gjyqtarëve nëpër gjykata.

I gjithë kuadri ligjor në fuqi, thotë KLD, në zbatim të Kushtetutës, i ka dhënë Këshillit dhe jo Ministrit të Drejtësisë autoritetin e duhur për të qenë administruesi i sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht i kontrollit të tij përsa i përket gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit. 

Sipas KLD, ka qenë Ministri i Drejtësisë në veprimtarinë e tij, që nuk ka respektuar detyrimet për të propozuar shpalljen e vendeve vakant, jo vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, por dhe në të gjithë gjykatat e vendit, duke shtyrë gjykatat drejt një anormaliteti në funksionimin e tyre.

Ndërkaq, sipas ministrisë së Drejtësisë, në kushtet e moskryerjes së detyrave funksionale, si dhe në vijimin e shkeljeve të ligjit nga ana e këtij këshilli, Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi duhet të ndërhyjnë në mënyrë të mënjëhershme për të ndaluar shkeljet flagrante të ligjit nga ky institucion.

 “Kur nuk ka sundim të ligjit as në KLD, nuk mund të ketë drejtësi në Shqipëri dhe padrejtësia do të mbretërojë. Reforma e nisur nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim profesional me partnerë kombëtar dhe ndërkombëtar, do të vazhdojë të synojë, që : “Ndërtesat” e sistemit drejtësisë, ku as Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk bën përjashtim, do të ringrihen vetëm me “gurët” e Ligjit dhe jo të politikës.”- përfundon deklarata e Ministrisë së Drejtësisë.

DEKLARAT E MINISTRISE SE DREJTESISE 
DEKLARATA E KESHILLIT TE LARTE TE DREJTESISE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura