Muzeu në duart e dy ministrive, kyçet për sezonin

Feb 29, 2012 | 12:06
SHPËRNDAJE

Muzeu Arkeologjik në Durrës

DURRES/ Shtyhet afati i rikonstruksionit.

Ndërpriten punimet për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Turistët që do të vizitojnë këtë vit Durrësin, nuk do të kenë mundësi të shohin Muzeun Arkeologjik, pasi ai nuk është ende gati. Gjatë përurimit të punimeve u premtua se punimet do të mbylleshin në muajin qershor të këtij viti dhe për sezonin veror muzeu do të ishte gati për të pritur vizitorët e tij. Por për shkak të vonesave që janë bërë gjatë rikonstruksionit, qershori duket shumë afër dhe në të nuk është bërë as gjysma e punës. Sipas kreut të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Ermion Arapi, njëkohësisht drejtorit të këtij muzeu, pezullimi i punimeve ka ardhur si pasojë e problemeve të shkaktuara me zhvendosjen e objekteve që i përkasin Qendrës Studimore Albanologjike (QSA). Zyrat e QSA-së dhe objektet që ajo ka në inventarizim, ndodhen në ambientet e Muzeut Arkeologjik. Kjo qendër, që selinë e ka në Tiranë, aktualisht nuk ka hapësira të lira për t’i vendosur objektet, si ato të studiuara tashmë ashtu dhe ato që janë ende në proces studimi. QSA-ja është lajmëruar për zhvendosjen e objekteve që në kohën kur nisën punimet për rikonstruksionin e muzeut, por mungesa e fondeve dhe hapësirave nuk ka mundësuar spostimin e tyre. Sipas Arapit, “objektet që ka në inventarizim kjo qendër, (disa prej tyre janë të ekspozuara në katin e parë të muzeut), janë të një rëndësie të veçantë, për këtë qëllim lëvizja apo transporti duhet kryer me kujdes të madh për të evituar dëmtimin apo prishjen e tyre”. Meqenëse Muzeu Arkeologjik është nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, ndërsa QSA-ja nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, mosrakordimi i punës mes këtyre dy dikastereve ka sjellë për pasojë vonesa të panevojshme. Por, sipas Arapit, është gjetur një rrugë e mesme, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. “I kemi bërë kërkesë Ministrisë së Kulturës për të marrë një fond shtesë për ndërtimin e një magazine, në anën e prapme të muzeut, magazinë në të cilën do të sistemohen gjithë objektet e kësaj qendre. Nëse nuk do të marrim një përgjigje pozitive nga Ministria, do të bisedojmë me firmën që ka marrë përsipër rikonstruksionin e muzeut, për të ndërtuar magazinën me fondin që lihet mënjanë në raste ngjarjesh të papritura e që llogaritet në vlerën 3% të investimit. Vonesat për përfundimin e punimeve të rikonstruksionit duket se do të shtyjnë afatet e përurimit të tij. Ndonëse është premtuar se muzeu do të hapej në muajin qershor, Arapi shprehet skeptik për këtë afat. Ai thotë se muzeu mund të përfundojë plotësisht me të tri katet e tij të vizitueshme vetëm nga fundi i vitit, që përkon me 100-vjetorin e pavarësisë. Fondi prej rreth 100 milionë lekësh i akorduar nga qeveria shqiptare do të mundësojë rikonstruksionin e plotë të muzeut dhe rikonceptimin e kateve dhe objekteve të ekspozuara.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura