Murinjo shkund Realin: Mbyteni Levandovskin

Apr 30, 2013 | 12:36
SHPËRNDAJE

Zhoze Murinjo nuk dorëzohet për kualifikimin. Ai ka besim që lojtarët e tij mund të realizojnë një përmbysje të paharrueshme dhe të sigurojnë finalen e Ligës së Kampioneve. Nëse nuk arrihet një gjë e tillë, portugezi e merr vetë dështimin. Gjithsesi, u vë ultimatum lojtarëve që të mos luajnë ndaj Dortmundit sikur të ishte një miqësore…
Sa shanse i jepni Realit tuaj për t’u kualifikuar?
Kur e nis ndeshjen me një humbje 4-1, është shumë e vështirë të bësh llogari matematikore.
Do keni tjetër stil loje apo ndryshime titullarësh për këtë sfidë?
Në fund të ndeshjes në Gjermani, ju (gazetarët) më pyetët se çfarë u kisha thënë lojtarëve. Në fakt, nuk u thashë gjë, por gjatë këtyre ditëve u kam folur shumë dhe u kam treguar se çfarë gabuan dhe se çfarë duhet të ndryshojnë.
Jeni në sezonin tuaj të tretë në Madrid dhe të gjithë ju kanë parë si trajnerin që do i dhuronit skuadrës Champions-in e dhjetë në histori. Nëse eliminoheni, është dështimi i Murinjos?
Nëse një skuadër zhgënjen, dështimi është i trajnerit. Jo vetëm në Madrid, por në çdo klub. Gjithsesi, unë jam i qetë. Rekordi i 100 pikëve është i Realit, zhgënjimi është i imi. Nëse nuk shkojmë në finale, fajtor jam unë.
Çfarë i mungoi skuadrës suaj në Dortmund?
Ndodh shpesh që futbolli të jetë i padrejtë, duke fituar skuadra që nuk e meritojnë. Nuk ndodhi kështu në Gjermani, pasi Dortmundi e meritoi fitoren. Në këto raste, duhet të pranosh realitetin.
Para ndeshjes së kaluar gjysmëfinale e bëtë publik formacionin. Do e bëni sërish një gjë të tillë?
Sigurisht që jo. Në ndeshjen e parë, formacioni im ishte thuajse i parashikueshëm, përveç formës së Di Marias. Ndërkohë, tashmë gjërat janë ndryshe. Mund të luajmë me lojtarë që nuk kanë luajtur më parë, ose me një skemë që nuk kemi praktikuar më parë. Kristiano Ronaldo është në formë të mirë, ndërsa Arbeloa dhe Marselo nuk janë të gatshëm për shkak dëmtimi.
Sipas medias, Klop ka deklaruar se ju i keni rrëfyer që do shkoni te Çelsi…
Së pari, e ardhmja ime nuk varet nga ajo që ndodh nesër (sot). E respektoj Klopin, njerëzit i lexojnë gazetat, por nuk e kam thënë një gjë të tillë.
Nga se varet përmbysja?
Vetëm nga futbolli. Është një ndeshje ku duhet të shënojmë shumë gola dhe kemi 90 minuta në dispozicion. Është e mundur që t’ia dalim mbanë. Lexova në media që një person shumë i pushtetshëm në futboll (Bekenbauer) deklaroi se një skuadër e caktuar (Barcelona) do përdorë mënyra të parregullta për të tentuar kualifikimin. Kur e thashë unë një gjë të tillë tri vite më parë, e gjithë bota futbollistike m’u vu kundër. Gjithsesi, te Reali nuk ndodhin këto gjëra. Ne jemi shumë të pafajshëm, madje aq naivë sa Levandovski shënoi plot katër gola dhe nuk i shkaktuam asnjë faull.
Pse i cilësoni të pafajshëm lojtarët tuaj?
Nëse në 90 minuta nuk arrin t’i shkaktosh asnjë fuall lojtarit që të shënon katër gola, kjo është më se e dukshme për përkufizimin që u bëra lojtarëve të mi. Kristano Ronaldon e mbytën, duke i shkaktuar pesë faulle në 10 minutat e para. Duhet të kishim bërë të njëjtën gjë. Gjithsesi, në ndeshjen e nesërme (sot) do jemi agresivë, kompaktë dhe të motivuar maksimalisht.

Klop: Ëndrrat arrihen vetëm nga të aftët
Jurgen Klop dhe Borusia kanë një ëndërr dhe do të përpiqen që ta realizojnë këtë sezon në Champions. Trajneri i verdhezinvje shprehet se, që qëllimi i tyre të bëhet realitet, duhet të tregohen shumë të saktë. “Për ne të mund të arrijmë një titull të tretë në dy vite do të jetë e vështirë, por do ta provojmë. E dimë se Murinjo ka parë rezultatet e mëparshme dhe që ne luajmë mirë. Çdo skuadër në këtë aktivitet ëndërron të jetë në finale. Ne e dimë se jemi një ekip shumë i mirë, por ekipet me talentet më të mira individuale nuk fitojnë gjithnjë, ka rëndësi talenti kolektiv. Ëndrrat realizohen vetëm nëse je i zoti”, tha trajneri i Borusias. I pyetur për besimin e ‘galaktikëve’ se mund të realizojnë përmbysjen, trajneri gjerman tha se ende s’ka mbaruar gjithçka. “Ata e besojnë diçka të tillë dhe kështu do ta paraqesin veten në fushë. Ne i befasuam tifozët tanë në gjysmëfinalen e parë dhe të gjithë e dinë se si luajmë. Por të shikojmë ç’do të ndodhë. Madridi do të provojë çdo gjë. Ne s’jemi në finale, por rezultati i parë ishte më i mirë seç e mendonim. Do luftojmë në këtë takim me të gjitha forcat tona”.

S.Ramos
Serxhio Ramos dëshiron që të rregullojnë gabimet e ndeshjes së parë, duke përmbysur gjithçka. “Ishte një ndeshje për t’u harruar ajo që ndodhi në Gjermani, por ne mund të rikuperojmë gjithçka. Luajmë në fushën tonë dhe jam i bindur që do realizojmë një ndeshje të shkëlqyer”, u shpreh Ramos. – “Vendimet i merr trajneri. Unë do bëj më të mirën time, kudo që të ma kërkojnë. Do ishte bukur që në fund të ndeshjes të festonim kualifikimin në finale, pasi do ishte një përmbysje historike”, përfundoi ai.

Kush rrezikon finalen
Borusia e Dortmundit, e cila ka më shumë shanse të sigurojë finalen e Champions-it, ka më pak shqetësime sa u përket lojtarëve që rrezikojnë pezullimin. Trajneri Jurgen Klop ka vetëm një futbollist të rrezikuar dhe është mesfushori Kevin Groskrjoc, i cili mund të jetë në stol për ndeshjen e sotme. Ndërkohë, Reali i Madridit ka dy futbollistë dhe pikërisht Serxhio Ramosin dhe Mikael Esienin, të cilët janë vetëm një karton larg limitit të lejuar. Gjithsesi, më e rëndësishme për spanjollët do ishte përmbysja, sesa ruajtja nga kartonët…

Historia, Reali mban frymën te 3 përmbysjet
Reali beson te përmbysja, pasi të njëjtën humbje e ka pësuar në raundin e tretë të ish-Kupës së Kampioneve në sezonin 1975-1976 kundër anglezëve të Derbi Kantri. Mirëpo, më 5 nëntor 1975, në “Bernabeu”, Reali i Madridit fitoi me të njëjtin rezultat në kohën e rregullt dhe e përmbysi në shtesë duke fituar 5-1. Dy mrekullitë e tjera kanë ndodhur në finalet e ish-Kupës UEFA. Në sezonin 1984-1985, në raundin e tretë, “galaktikët” u shokuan në Belgjikë duke u mundur 0-3 nga Anderlehti, por më 12 dhjetor 1984 ndodhi mrekullia e dytë, turpëruan 6-1 Anderlehtin. E vetmja përmbysje ndaj gjermanëve dhe e fundit për ta ka qenë në raundin e tretë të ish-Kupës UEFA 1985-1986. Reali humbi 5-1 kundër ish-Gladbahut të Hejnkesit në Gjermani, por ia doli mbanë në “Bernabeu” të fitonte pastër 4-0 dhe prerë biletën për në çerekfinale.

Formacionet e mundshme
Real Madrid (4-2-3-1): D.Lopez, Koentrao, S.Ramos, Varane, Esien, K.Alonso, Modriç, Ozil, Di Maria, Ronaldo, Higuain.
Trajner: J.Mourinjo

Dortmund (4-2-3-1): Vaidenfeler, Shmelcer, Humels, Subotiç, Pizçek (Groskrojc), Gyndogan, Bender, Rojs, Gëce, Blazikovski, Levandovski. Trajner: J.Klop

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura