MSA, Kosova do trajtohet si entitet, jo si shtet sovran

Apr 30, 2013 | 11:47
SHPËRNDAJE
Nga protestat në Serbi kundër marrëveshjes me Kosovën

Pas marrëveshjes së Brukselit, Kosova pret të marrë datën e MSA-së, ashtu siç i është premtuar nga Komisioni Europian, por pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, kanë ngritur shqetësim për këtë proces. KE u ka dërguar një memorandum sqarues shteteve anëtare të BE-së, duke siguruar se vendimi për hapjen e negociatave për MSA për Kosovën “nuk duhet të interpretohet si njohje nga ana e shteteve anëtare në rastet kur ato nuk e kanë bërë një hap të tillë më parë”, sipas KTV. Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Stefan Fyle, u shpreh optimist se 5 vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë, nuk do ta pengojnë procesin. Sipas deputetëve në BE,  Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit është e mundur si një lloj marrëveshjeje që BE-ja ka me “etnitete, të cilat nuk janë shtete sovrane”. Si shembuj kanë përmendur Hong Kongun, Makaon, Tajvanin dhe autoritetet palestineze, me të cilat BE-ja ka disa lloj marrëveshjesh.
“Tradhtarët” e Serbisë
Qindra qytetarë kanë protestuar sërish kundër marrëveshjes për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të negociuar në Bruksel. Protestuesit, të organizuar nga ultranacionalistët serbë, mbanin në duar postera me portretet e Presidentit Tomisllav Nikoliç, Kryeministrit Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiç, të paraqitur me qeleshen tradicionale shqiptare në kokë. Ata thërrisnin “tradhti” dhe “tradhtarë”.
Daçiç kundër referendumit  
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha dje se mospranimi i marrëveshjes së Brukselit do të kishte pasoja të mëdha për Serbinë. Ai u kërkoi serbëve të Kosovës ta pranojnë marrëveshjen dhe të bëhen pjesë e zbatimit të saj, duke theksuar se shumica e qytetarëve në Serbi janë kundër mbajtjes së referendumit. Kryeministri serb pohoi se Serbia i ka provuar të gjitha mënyrat me Kosovën dhe nuk ia ka dalë dot. Sipas Daçiç, ata që kundërshtojnë marrëveshjen dhe kërkojnë referendum, duhet ta dinë se shumica mendon ndryshe, prandaj edhe ata duhet t’i nënshtrohen vullnetit të shumicës dhe të bëhen pjesë e zbatimit të marrëveshjes. Daçiç ka deklaruar se marrëveshja nuk është ideale, por ajo duhet të pranohet unanimisht.

Krasniqi
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se referendumi që po përpiqen të mbajnë autoritetet serbe për marrëveshjen e Brukselit është jokushtetues. Krasniqi shtoi se rezultati i një referendumi të tillë në veri nuk duhet të njihet nga askush. “Me Kushtetutë dhe ligje, asnjë shtet nuk mund të mbajë referendum në shtetin tjetër dhe gjithashtu e dini se edhe qeveria serbe ka mendime të kundërta në dallim me qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës. Pra, me Kushtetutë nuk mund të mbahet”, tha Krasniqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura