MOVIOLA/ Penallti të sakta në tri ndeshje, java e 35-të e Superiores ishte pozitive për arbitrat

May 10, 2024 | 14:19
SHPËRNDAJE

Java e 35-të ishte mjaft pozitive për gjyqtarët e Superiores, të cilët kanë marrë vendimet e sakta në episodet e rëndësishme të ndeshjeve.

fsg

Të tria penalltitë e akorduara, nga Enea Jorgji në favor të Skënderbeut, Dorian Maletaj në favor të Partizanit dhe Olsion Yzeiraj në favor të Teutës, kanë qenë vendime të drejta, madje pa pasur nevojë as për konsultimin me VAR-in.

Për kartonin e kuq të Albano Aleksit në ndeshjen DinamoEgnatia, kryesori Eldorjan Hamiti është korrigjuar nga VAR-i, pasi fillimisht nuk dha karton për këtë lojtar. Diçka e pazakontë ajo që ndodhi në “klasiken” Tirana-Vllaznia, që përfundoi pa gola, ku nuk pati asnjë rast të diskutueshëm.

DINAMO-EGNATIA 0-1

Gjyqtarë: E. Hamiti, A.Zalla, E.Gjoka (Lezhë); VAR: J.Xhaja (Tiranë), AVAR: O.Kuka (Tiranë)

Kryesori Eldorjan Hamiti ka gjykuar mirë përgjithësisht në këtë ndeshje, por ka dyshime në aksionin e autogolit të Behiratçes, ku duhej ndoshta më shumë ndërhyrja e VAR-it, por kjo nuk ndodhi. VAR–i e korrigjoi arbitrin lezhjan në rastin e kartonit të kuq të Albano Aleksit. Në këtë rast Hamiti gaboi dyfish, sepse nuk dha karton fare për Aleksin, por për Fangajn.

21’ Fernando merr një top dhe avancon në të majtë, duke hyrë në zonën e Dinamos, tenton pasin për Montenegron dhe Behiratçe shkakton autogol. Te Dinamo pretendojnë për një ndërhyrje të gabuar ndaj Mijës dhe pamjet tregojnë se ka një goditje nga prapa të lojtarit blu. Hamiti nuk mendon kështu dhe lejon vazhdimin e lojës, ndërkohë që as VARi nuk ndërhyn. Minimalisht duhej riparë si rast nëpërmjet teknologjisë.

90+2’ – Aleksi ndërhyn ashpër me taka ndaj Zabërgjës. Kryesori Hamiti ndëshkon me karton të verdhë Fangajn, që ishte pjesë e aksionit, duke gabuar dy herë. Pasi thirret nga VAR-i, Hamiti akordon karton të kuq për Aleksin, pasi ndërhyrja e mesfushorit ishte shumë e rrezikshme.

SKËNDERBEU-LAÇI 1-1

Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Doda, E.Ganxhi (Elbasan); VAR: E.Rusta, S.Dyrmishi (Elbasan)

Skënderbeu dhe Laçi ndanë pikët në një barazim në Korçë që erdhi në minutat e fundit. Kjo përballje gjykohej nga arbitri me stemën e FIFA-s, Enea Jorgji, me asistentë Dodën dhe Ganxhin. Në këtë sfidë elbasanasi ishte protagonist në shtesë, ku akordoi një penallti për korçarët, por gjithashtu kishte edhe një pretendim po për 11-metërsh disa minuta më parë.

90’ Rrëmujë në zonën e kurbinasve, ku pas disa dueleve, korçarët pretendojnë për një prekje me dorë nga një lojtar i Laçit, por për gjyqtarin e FIFA-s nuk ka asgjë.

90+5’ Rashica i Skënderbeut ka topin në kontroll brenda në zonë dhe kroson për shokët e skuadrës, por topi ndalet në dorën e hapur të Qatos. Për Jorgjin është penallti dhe lojtarët e Laçit as nuk protestojnë. E dukshme dhe vendim i drejtë nga kryesori.

KUKËSI-PARTIZANI 0-1

Gjyqtarë: D.Maletaj, R.Zajmi (Tiranë), J.Podgorica (Shkodër); VAR: K.Prenga (Laç), I.Myrtja (Shkodër)

Ndeshja mes Kukësit dhe Partizanit, e përfunduar me fitoren e të kuqve falë golit të Mehmetit, u gjykua nga kryesori Dorian Maletaj. Nisur nga fakti se ishte një ndeshje relativisht e qetë, duhet thënë se gjyqtari e menaxhoi mirë dhe nuk ndikoi në rezultatin final, teksa nuk kishte nevojë për VAR-in te 11-metërshi i kryeqytetasve.

51’ Selita ndal me faull Skukën në zonë dhe Maletaj nuk mendohet gjatë për të akorduar penallti në favor të Partizanit. Vendim i drejtë i kryesorit.

87’ Murataj shkel me takë Hilën dhe e lë të dëmtuar lojtarin e Kukësit. Maletaj e ndëshkon me karton të verdhë. Moment i dyshimtë, por gjyqtari e arsyeton me faktin që ndërhyrja e mesfushorit të Partizanit ishte e paqëllimshme.

ERZENI-TEUTA 0-3

Gjyqtarë: O.Yzeiraj, M.Qose, M.Llukmani (Patos) VAR: O.Ferati (Tiranë) AVAR: L.Alla (Lushnjë)

Ndeshja e gjykuar nga kryesori Olsion Yzeiraj nuk pati shumë raste të diskutueshme. Penalltia për Teutën në fund dhe kartoni i kuq i kuq i akorduar për Sadikin janë vendime të sakta prej tij, ndërkohë ka pak dyshime te goli i Dacit.

5’ Daci fiton dyluftimin trup më trup me Ardit Peposhin dhe më pas shënon, por duket se ka një shtyrje të mbrojtësit nga ana e sulmuesit të durrsakëve. Kontakt që nuk mjafton për të dhënë faull nga Yzeiraj.

88’ Sadiki ndal në mënyrë të parregullt Gjinin, i cili po i drejtohej portës shijakase dhe ndëshkohet direkt me karton të kuq nga kryesori, ndërkohë që shkakton edhe penallti. Vendim i saktë nga Yzeiraj në këtë rast.

TIRANA-VLLAZNIA 0-0

Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), E.Burgu (Fushë-Krujë), I.Tartaraj (Fier); VAR: K.Cjapi (Fier); AVAR: A.Beqiraj (Tiranë)

Në sfidën e djeshme kishte diçka të veçantë. Gjatë lojës nuk ka pasur asnjë rast për t’u shënuar për moviolë. Ndeshja ka qenë e rregullt dhe treshja m kryesor Latën dhe ndihmës të tij Burgun dhe Tartarajn, së bashku me VAR-in, nuk kanë pasur asnjë punë. Ndeshja ka qenë perfekte, ndërkohë që dy skuadrat nuk kanë pasur asnjë pretendim. I vetmi problem, nëse mund të quhet i tillë, është një ndërhyrje e Salës ndaj Patrik, por që ishte për të verdhë e jo për karton të kuq.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura