Moti i keq, policia paralajmëron qytetarët

Jan 31, 2012 | 18:04
SHPËRNDAJE
Foto Ilustruese

Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë Evropën Lindore ditët e fundit pritet të godasin edhe vendin tonë. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak ditën e nesërme dhe në vazhdim i gjithë vendi do të përfshihet nga reshjet  e dëborës dhe të shiut, si dhe temperaturat do të shkojnë disa gradë nën zero.

Kjo është konfirmuar edhe nga  Policia Rrugore, e cila nëpërmjet një komunikate për shtyp ka paralajmëruar drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes si dhe të respektojnë normat e përcaktuara në aktet ligjore pasi gjatë ditëve në vijim pritet një përkeqësim i situatës së motit, ku priten reshje shiu dhe dëbore.

Policia ka marrë masa për vënien në efiçencë të plotë të shërbimeve të policisë rrugore në të gjithë vendin.

Për parandalimin e aksidenteve rrugore, policia porosit përdoruesit e rrugës që të tregohen të kujdesshëm, si dhe të respektojnë normat e përcaktuara në aktet ligjore, veçanërisht për:

1. Respektimin e normave të shpejtësisë.

2. Mospërdorimin e pijeve alkoolike.

3. Përdorimin e rripit të sigurimit.

4. Shmangien e parakalimeve të gabuara.

5. Përdorimin e kaskave mbrojtëse.

6.  Përdorimin e dritave jo verbuese.

7.  Përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore.

Policia u kërkon qytetarëve që për çdo rast mund ta kontaktojnë atë nëpërmjet numrave telefonikë pa pagesë 129, si dhe numrit 126.

Nga informacionet e marra nga shërbimet e Policisë Rrugore gjendja e rrugëve në vend momentalisht është e tillë;

Në Kukës, aksi rrugor Topojan – Shishtavec është i pakalueshëm, ndërkohë Topojan – Kukës i kalueshëm me zinxhirë. Kalohet me zinxhirë aksi Ujmisht. Lusen – Bushtricë-Kala Dodës në drejtim të Peshkopisë, si dhe aksi Shëmri. Qafë Shllak. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore të këtij qarku.

Akset rrugore Peshkopi – Sllovë – Kala e Dodës,  Reç – Zall – Dardhë – Aras

Muhurr – Peshkopi janë të kalueshme me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka shtresa akulli. Po ashtu akset Bulqizë – Shupenz – Ostren dhe Stëblevë – Librazhd  janë të  kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë  aksi Aras – Lurë është i  pakalueshëm, po punohet për pastrimin e këtij aksi. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në rrethin e Malësisë së Madhe ka dëborë në zonat e thella, lëvizet  me zinxhirë në aksin Koplik – Razëm. Po ashtu dhe në akset Bogë – Theth, Salcë

Vermosh, po punohet për pastrimin e tyre.

Në rrethin e Pukës, akset Fushë Arrës – Qafë Mali- Qafë Shllak,  Qafë Mali – Dardhë  dhe Fushë Arrës – Iballë janë të kalueshme me zinxhirë. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në akset në zonat e thella të Mirditës në drejtim të Lurës kalohet me zinxhirë.

Aksi Librazhd – Bulqizë momentalisht është i kalueshëm me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka dhe shtresa akulli. Aktualisht po punohet për pastrimin e këtij aksi.

Në segmentin rrugor Korçë – Qafa e Qarrit,  lëvizja e automjeteve bëhet me zinxhirë; po ashtu dhe në akset rrugor Korçë – Boboshticë – Dardhë dhe Korçë – Voskopojë qarkullohet me zinxhirë.

Në segmentin rrugor Vlorë – Llogora, lëvizja e automjeteve në disa segmente që kanë shtresa akulli dhe vetëm gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, bëhet me zinxhirë, ndërsa gjatë orëve të mesditës kalohet pa zinxhirë. Aktualisht po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura