Mosdiskriminimi, sfidë dhe angazhim për Shqipërinë

Feb 26, 2011 | 13:25
SHPËRNDAJE

NORIMASA SHIMOMURA

Vëmendja jonë e veçantë kundrejt mosdiskriminimit, promovimi i barazisë gjinore dhe pjesëmarrja, burojnë nga fryma dhe vlerat e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe nga Konventat e tjera të Kombeve të Bashkuara. Ne kemi shumë besim se trajtimi i këtyre çështjeve është një faktor kyç për zhvillimin, prosperitetin dhe paqen për të gjithë.
Shqipëria është një vend që ka nënshkruar shumë instrumente të OKB-së, që garantojnë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi, duke përfshirë Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave dhe së fundmi, Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Gjithashtu, si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, Shqipëria është e angazhuar me përmbushjen e standardeve dhe të qasjeve të BE-së dhe të Këshillit të Europës lidhur me mosdiskriminimin, duke përfshirë trajtimin e barabartë të burrave dhe grave, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe mbështetjen për shoqërinë civile.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara e ndihmojnë Shqipërinë në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga këto standarde ndërkombëtare. Gama e gjerë e ndihmës që ofrohet nga PNUD-i ndjek qasjen ndaj zhvillimit të bazuar tek të drejtat e njeriut, ndërkohë që e ndërthur këtë me punën specifike për mbrojtjen nga diskriminimi.
Ligji shqiptar për mbrojtjen nga diskriminimi është miratuar vitin e shkuar. Ai përfshin bazat themelore dhe standardet e korpusit ligjor të OKB-së dhe të BE-së. Si i tillë, ai ofron një kuadër gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor, i cili mbështet përpjekjet tona të përbashkëta për promovimin e përfshirjes sociale.
Kategoritë kryesore të detyrimeve sipas ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, përfshijnë së pari mbrojtjen nga diskriminimi, qoftë në mënyrën si janë shkruar ligjet, qoftë në praktikë; së dyti, nxitjen e barazisë përmes masave të veçanta pozitive; së treti, garantimin e akomodimit dhe lehtësive të arsyeshme për personat me aftësi të kufizuar; dhe së katërti, ofrimin e mjeteve juridike të fuqishme dhe të pavarura për të kërkuar ndreqjen e shkeljes.
Mbi bazën e këtij ligji është ngritur gjithashtu edhe institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Funksionimi efikas i këtij institucioni të ri varet nga miratimi i një kuadri rregullator, i cili do të lejojë marrjen e ankimeve për diskriminim si dhe ndreqjen e shkeljes kur pretendimi pranohet. Edhe gjykatat dhe gjyqtaret e pavarur luajnë një rol kyç në këtë drejtim.
Ndërsa vetë ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, ofron mbrojtje për këdo. Ligjet e tjera përkatëse duhet të harmonizohen në të njëjtën linjë për të siguruar mbrojtje gjithëpërfshirëse kundër diskriminimit. Këto iniciativa ligjore kërkojnë vullnet politik dhe angazhim të qeverisë, të shoqërisë civile dhe të aktorëve nga sektori privat.
Miratimi i këtij kuadri ligjor siguron de jure në Shqipëri mbrojtjen nga diskriminimi. Megjithatë, mbetet shumë punë për t’u bërë përtej miratimit të këtij kuadri ligjor, në mënyrë që të garantohet mbrojtja de fakto nga diskriminimi. Zhdukja e diskriminimit në praktikë – në vendin e punës, në shkolla, në hapësirat publike si p.sh. baret dhe restorantet, brenda proceseve politike, në media etj., është një proces që vazhdon për disa vjet dhe që kërkon mbështetjen dhe angazhimin e shumë aktorëve.
Dhe më e rëndësishmja, lufta ndaj diskriminimit nënkupton ndryshimin e qëndrimeve dhe të mentaliteteve me kalimin e kohës, pasi këto janë shpesh shkaqet themelore të diskriminimit. Ndërgjegjësimi i qytetarëve shqiptarë se diskriminimi është i papranueshëm dhe joproduktiv, është një hap i rëndësishëm në trajtimin e diskriminimit në praktikë. Disa prej mënyrave për ta arritur këtë përfshijnë fushatat edukative dhe të ndërgjegjësimit, si dhe zhvillimin e kapaciteteve të zyrtarëve të qeverisjes qendrore dhe lokale, të aktorëve të tjerë.
Lufta kundër diskriminimit nuk kryhet duke vepruar të veçuar. Puna e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi plotëson përpjekjen e vazhdueshme të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për nxitjen e përfshirjes sociale në Shqipëri. Ky aktivitet i përbashkët i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale është një fillim i mirë për bashkëpunimin e qëndrueshëm midis këtyre dy institucioneve.
Në fund, do të doja të ritheksoja se miratimi i ligjit është një hap i madh përpara, por që të arrijë të realizohet qëllimi i këtij ligji, nevojiten përpjekje të bashkërenduara midis çdokujt dhe shoqërisë në përgjithësi, duke përfshirë institucionet shtetërore, partitë politike, sektorin privat dhe qytetarët e thjeshtë.
*Drejtor i PNUD-it në Shqipëri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura