Montefiore: Vizita në dhomën ku u vra Mehmeti

Feb 29, 2012 | 12:55
SHPËRNDAJE

Gjatë promovimit të librave të Monfefiores një vit më parë në Tiranë

Shkrimtari në “Financial Times”, mbresat nga Shqipëria.

Takimi me Kryeministrin Berisha dhe promovimi i 5 librave nga shtëpia botuese “55”

Shkrimtari dhe historiani Simon Sebag Montefiore, në rubrikën e vet periodike në të përditshmen prestigjioze “Financial Times”, në numrin e 24 shkurtit, është ndalur tek pesë botimet e librave të tij në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “55”, si dhe tek takimi që pati me Kryeministrin Sali Berisha gjatë promovimit të tyre. “I adhuroj turnetë për promovimin e librave, sepse më pëlqen të qëndroj në hotele apo vende të mrekullueshme, sepse këto udhëtime janë magjiplota, thotë shkrimtari Montefiore. Por kurrë nuk e kisha menduar se Shqipëria do të ishte vendi ku do të zhvillohej turneu më fantastik për promovimin e librave të mi. E konsideroj mjaft befasuese që Shtëpia Botuese 55 botoi brenda dy muajsh pesë nga librat e mi në gjuhën shqipe. Një punë e shkëlqyer e të gjithë stafit të saj. Teksa po zbrisja nga avioni, vijon rrëfimin për vizitën e tij disaditore në Shqipëri, njëri nga historianët më të rëndësishëm të këtij shekulli, ekipe gazetarësh e kameramanësh vërshuan drejt meje. Kryeministri i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, një ish-kardiolog i hirshëm, i cili udhëhoqi revolucionin kundër despotit Enver Hoxha, më nderoi me pjesëmarrjen e tij në prezantimin e librave. Prej kohësh jam magjepsur nga Mbreti Zog (që qe në krye të Shqipërisë gjatë viteve 1922-1939), si edhe nga Hoxha që udhëhoqi vendin për 40 vjet, derisa vdiq në vitin 1985. Rrethi i ngushtë i Hoxhës jetonte në një kompleks të quajtur “Blloku”, sepse ai sundonte nga një zonë e izoluar e Tiranës; vilat e kobshme të Bllokut tani janë shndërruar në klube nate me emra të tillë si Vila Vogue. Në vitin 1981, Hoxha vrau Kryeministrin Mehmet Shehu, që jetonte jo shumë larg tij, në vilën 30. Kjo e fundit mbetet ende rezidencë e Kryeministrit. Kështu, kur u ulëm për darkë me Berishën në vilën 30, nuk rezistova dhe i kërkova Kryeministrit të shihja dhomën ku u vra Shehu. – Sigurisht, – më tha ai me mirësjellje dhe më shoqëroi lart për të vëzhguar nga afër dhomën ku ndodhi krimi. Për mua si historian, vende të tilla janë interesante. Kur po merresha me kërkimet rreth figurës së Stalinit, kam qëndruar në disa nga dhomat e gjumit të tij në Abkazi. Në Berlin kam qëndruar mes luksit të Sohos, ish-zyrat e Byrosë Politike Gjermanisë Lindore. Në ish-dhomën e Stalinit fjeta shumë keq, ndërsa në Soho më zuri gjumi menjëherë”.
Në shqip janë botuar pesë libra të Montefiores; “Stalini”, “Stalini i ri”, “Sashenka”, “Katerina dhe Potemkini” si dhe botimi i tij më i fundit dhe më i vlerësuari “Jeruzalemi”. Duke u ndalur tek ky botim, Montefiore rrëfen për “Financial Times” se “disa lexues të librit tim rreth Jerusalemit thonë se aty jepet argumenti më i mirë kundër fesë, ndërsa të tjerë pohojnë se ky koncept lartësohet. Që librat e çdo lloji të bëhen të suksesshëm në treg, duhet të pasqyrohen gjerësisht nga media. Pak ditë më parë mora papritur një lumë mesazhesh nga miq amerikanë, që kishin parë emisionin “Today” që transmetohet në kanalin televiziv “NBC”: Libri i preferuar i Bill Klintonit për këtë vit ishte “Jerusalemi”. Në klasifikimin amerikan të Amazon, libri ngjiti 100 vende. Ja çfarë ndikimi ka një politikan!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura