“Monstra e Laprakës”, ja telefonatat ditën e rrëmbimit

Apr 30, 2013 | 11:37
SHPËRNDAJE
Ardian Prrenjasi duke treguar vendin ku ka hedhur trupin e 11-vjeçarit ne Sharre

Monstra e Laprakës, Ardian Prrenjasi, i dyshuar për përdhunimin e një 10-vjeçari dhe vrasjen e Julian Çelës, djalit të zhdukur që në nëntor 2012, nuk ka kryer biseda të dyshimta gjatë muajve të fundit. Grupi i hetimit ka administruar të dhënat e tabulateve telefonike për vitin 2013 që nga janari deri më 17 mars, kur Ardian Prrenjasi ra në prangat e policisë. Ndërkohë, të dhënat e telefonatave të vitit 2012 janë kërkuar nga prokuroria, por mësohet se ende janë në përpunim. Me vëmendje të veçantë është verifikuar nga hetuesit lista e telefonatave të datës 17 mars 2013. Sipas dëshmisë së 10-vjeçarit të përdhunuar, atë ditë Ardian Prrenjasi ka kryer disa telefonata me persona të panjohur rreth orës 09:00-10:00, të cilëve u ka thënë “do iki në Greqi”, “e kam bërë gati, ejani ta merrni” etj. Djali i mitur ka thënë se gjatë kohës që i ka kryer këto biseda, Ardian Prrenjasi ka përgatitur edhe një çantë me disa rroba. Pikërisht për shkak të dyshimeve për trafik ose për persona bashkëpunëtorë të tij, telefonatat e Ardian Prrenjasit më 17 mars 2013 janë verifikuar me imtësi. “Krahas këqyrjes së telefonit celular me thirrjet e fundit është analizuar edhe lista e telefonatave, nga ku nuk del të ketë pasur komunikim me persona të dyshuar”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, komunikimet e vetme kanë qenë me numrin 068…529, konkretisht tri thirrje të bëra në këtë numër deri rreth orës 10:00. Më pas aparati celular i Ardian Prrenjasit rezulton të jetë fikur. Nga verifikimet që janë kryer për numrin ku monstra ka kryer tri thirrjet, është konstatuar se numri në fjalë i përket pikërisht babait të 10-vjeçarit, të cilin Ardian Prrenjasi po e mbante në banesë. I ati i djalit të mitur që ishte zhdukur pasditen e 16 marsit kishte dërguar numrin e celularit në dy televizione, duke kërkuar që ta kontaktonte kushdo që kishte informacion për fëmijën e tij të zhdukur. Pikërisht në TV dyshohet se Ardian Prrenjasi ka parë numrin në fjalë, të cilit i ka dërguar thirrje me numër të fshehur, por që nuk ka arritur të komunikojë me të në asnjë rast. “Fjalët që përshkruhen nga fëmija 10-vjeçar dyshohet se janë shqiptuar nga Ardian Prrenjasi duke bërë sikur po fliste me dikë jashtë shtëpisë. Këtë veprim e ka kryer për të frikësuar ose gënjyer fëmijën 10 vjeç, që vazhdimisht bërtiste dhe kërkonte të lihej i lirë për t’u kthyer në shtëpi”, tha një hetues. “Nga hetimi nuk rezulton që atë ditë të ketë pasur komunikim me persona të tjerë”, shpjeguan burimet e Akuzës. Sipas tyre, pak ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur edhe dosja penale e një fëmije të zhdukur në vitin 2004 në Elbasan, ngjarje e cila po hetohet si krim i mundshëm i kryer nga Ardian Prrenjasi. Ndërkohë, në landfillin e Sharrës vazhdojnë kërkimet për trupin e Julian Çelës, 11-vjeçarit të zhdukur në nëntor 2012, që dyshohet se është vrarë nga Prrenjasi.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura