Monopolet rrisin çmimet e ushqimeve

Feb 26, 2011 | 12:10
SHPËRNDAJE

Ky hetim u deklarua nga vetë Autoriteti në muajt e fundit të vitit të kaluar, duke përfshirë tregun e sheqerit, vajit dhe orizit.
Hetimi tek ushqimet
Autoriteti i Konkurrencës, në raportin vjetor 2010 thekson se hetimi paraprak në tregun e sheqerit, vajit dhe orizit u hap pas indikacioneve për kufizim të konkurrencës. “Pas përpunimit të të dhënave të vlerësimit të treguesve të konkurrencës, u konstatua se rritja e fortë e çmimeve në tri tregje të produkteve ushqimore dhe shkalla e lartë e përqendrimit të tyre japin indikacione të mjaftueshme për kufizime të mundshme të konkurrencës në këto tregje dhe për këto arsye Komisioni i Konkurrencës miratoi propozimin e sekretariatit për hapjen e hetimit paraprak, respektivisht në tregjet e importit dhe tregtimit me shumicë të sheqerit, orizit, tregtimit me shumicë të vajit vegjetal”, thuhet në raportin e Autoritetit. Ky hetim, i cili fillimisht u parashikua të mbyllej në muajin janar, është shtyrë për shkak se kompanitë nuk kanë ofruar informacionin e kërkuar dhe pritet që të mbyllet brenda 3-mujorit. Rritja e çmimeve për produkte ushqimore duket se në bazë ka aludime të forta për monopole, ku tregu është përqendruar në shumë pak duar, çka kufizon konkurrencën dhe bën që çmimet të janë të unifikuara duke mos lënë shumë mundësi zgjedhjeje.
Tregu i bulmetit
Tregu i shitjes së bulmetit ka qenë gjithashtu pjesë e monitorimeve të Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit të kaluar. Ky monitorim erdhi menjëherë pas rritjes së çmimit të disa produkteve, si kosi apo qumështi, por që në fund kjo rritje ka rezultuar, për shkak të vendosjes së akcizës për ambalazhet. “Gjatë fundit të muajit gusht 2010, disa ofrues të produkteve të bulmetit rritën çmimin e produkteve qumësht dhe kos, kryesisht të ambalazhit të qumështit në shishe plastike 1.5 litra dhe kos 400 gr. Sektori i Analizës dhe Studimeve ndërmori një monitorim për këto dy produkte, ku në fund të monitorimit u konstatua se rritja e çmimeve të produkteve qumësht dhe kos nga disa ofrues të këtyre produkteve është pasojë e vendosjes së akcizës për ambalazhet plastike dhe nuk rezultuan sinjale të shkeljes së mundshme të ligjit”, thuhet në raportin e Autoritetit. Ndërkaq, një tjetër monitorim i rëndësishëm ishte ai në tregun e importit të grurit i cili erdhi në vazhdën e shtrenjtimit të çmimit të bukës. Monitorimi i vazhdueshëm i këtij tregu duket se do të mbetet kryesor në vijim, pasi kjo është një nga pikat që specifikon Konkurrenca në raportin vjetor të saj. Ajo që autoriteti vëren në këtë raport, është edhe rritja e numrit të ankesave e cila për vitin e kaluar ishte 11. Këto ankesa përfshinin tregjet e gazit, komunikimeve elektronike, përpunimit të qumështit, ruajtjes dhe sigurisë fizike.

Monitorimet gjatë 2010

1. Studimi i tregut të shërbimeve bankare
Monitorimi i tregut të shërbimeve bankare ka filluar në vjeshtën e vitit 2009 dhe përfundoi në tremujorin e parë të vitit 2010. Nga vlerësimi i treguesve të transparencës, u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kishin të publikuara kushtet e punës. Bankat nuk i njoftonin klientët, kur ndryshonin kushtet e punës për kontratat e shërbimit.
2. Studimi i tregut farmaceutik
Tregu farmaceutik është vlerësuar disa herë nga Autoriteti i Konkurrencës në mënyrë të fragmentuar. Monitorimi në këtë treg pati dy objektiva: 1) vlerësimin e legjislacionit mbi të cilën funksiononte tregu i barnave, me/pa rimbursim dhe vlerësimi i strukturës së tregut të importit të medikamenteve dhe analiza e konkurrencës.
3. Monitorimi i tregut të produkteve ushqimore
Rritja e indeksit të çmimeve për disa produkte ushqimore gjatë vitit 2010 u bë shkak për fillimin e një monitorimi të tregut të sheqerit, orizit dhe vajit ushqimor. Qëllimi i monitorimit ishte evidentimi i strukturës së tregut dhe vlerësimi i trendit të çmimit të importit të këtyre produkteve
4. Monitorimi në tregun e profesioneve të lira
Sekretariati ka monitoruar dhe analizuar kushtet e tregut, lidhur me kufizimin e konkurrencës në tregjet përkatëse të profesioneve të lira, si: shërbimi i noterisë, avokatisë, farmacistëve, stomatologëve, ekspertëve kontabël të autorizuar dhe kontabilistëve të miratuar.
5. Monitorimi në tregtimin e pajisjeve fiskale
Autoriteti i Konkurrencës, duke marrë shkas nga kronikat dhe prononcimet e ndryshme në median vizive dhe të shkuar, në lidhje me problematikën e procesit të tregtimit të pajisjeve fiskale realizoi një monitorim në tregun e tregtimit të pajisjeve fiskale për të parë nëse kishte elemente të kufizimit të konkurrencës. Komisioni vlerësoi se në këtë treg nuk ka shkelje të ligjit.
6. Tregu i importit të karburanteve
Monitorimi i tregut të importit të karburanteve vlerësoi tendencën e tregut të importit të karburanteve për muajt janar-gusht. Nga vlerësimi i të dhënave nuk u konstatuan shenja të dukshme të kufizimit të konkurrencës, si pasojë e sjelljes së ndërmarrjeve në treg. Procesi i monitorimit të këtij tregu është i vazhdueshëm.

 

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura