Monodrama për Nënë Terezën për çmimin “Aktori i Europës”

Jul 5, 2011 | 10:41
SHPËRNDAJE

Pas interpretimit në skenën e Teatrit “Istref Begolli” në Pejë, në Festivalin Ndërkombëtar “Monoakt”, regjisorja dhe aktorja Klodiana Kadillari përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtare “ Aktori i Europës” në Prespë, Maqedoni për të vazhduar më pas në një tjetër festival ndërkombëtare, në atë të “Monodramës” në Kumanovë. Edicioni i nëntë i Festivalit të Teatrit Ndërkombëtare, “Aktori i Europës”, i cili zhvillohet në datat 6 deri 11 korrik në Prespë të Maqedonisë, ka përzgjedhur pikërisht monodramën “Pikëllim dhe Dashuri” të autorit Fahri Hysaj të përfaqësojë Shqipërinë në këtë eveniment kulturor.  Ishte pikërisht kryetari i festivaleve teatrore ndërkombëtare të Maqedonisë, Blagoj Stefanovski, i cili bëri dhe përzgjedhjen e shfaqjes kushtuar Nënë Terezës. Në këtë festival konkurrohet për çmimin e madh “Aktori i Europës”. Artistja Klodiana Kadillari tregon se ndihet e privilegjuar dhe e vlerësuar për ta përfaqësuar Shqipërinë në këtë aktivitet, ku sipas saj janë përzgjedhur performancat më të arrira dhe më të vlerësuara nga shtetet përfaqësuese dhe sigurisht këtu është mes aktoreve më të mirë të Europës. Artistja nuk le pa përmendur një tjetër emocion, gjatë punës me regjisorin Fahri Hysaj për filmin dokumentar “Një rrëfim për nënën”, kushtuar Nene Terezës, ku Kadillari ka interpretuar në rolin e Gonxhe Bojaxhiut në moshën 18-vjeçare.
Monodrama “Pikëllim dhe dashuri” ka marrë një çmim inkurajues në Festivalin e të Rinjve në Shqipëri, 2010. Premierën e shfaqjes e ka pasur në Shkup, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Monodrama është mbështetur në letrat origjinale të Nënë Terezës, marrë nga vepra e Don Lush Gjergjit, “Nëna e dashurisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura