Modeli i “parajsës” tatimore për Shqipërinë

Jul 31, 2012 | 13:05
SHPËRNDAJE

EDUART GJOKUTAJ*
BESNIK NUREDINI*

Zbatimi i legjislacionit tatimor të diferencuar për zona të ndryshme dhe favorizimet fiskale që përdoren në to, është i njohur jo vetëm për studiuesit e ekonomisë. Zonat me taksa të ulëta ose pa taksa të caktuara (parajsat tatimore), kanë një zanafillë të organizuar të tyre në fund të shekullit të 19-të në protektoratet e Britanisë së Madhe. Për të krijuar zona të favorshme, që njerëzit të mbronin paratë e tyre, iu dha pavarësi ekonomike disa vendeve si Gjibraltari, Hong Kongu apo Ishujt e Kanalit. Suksesi ekonomik i këtyre zonave  zgjeroi në shekullin e 20-të hartën e tyre edhe në kontinente të tjera. Prej këtij modeli individët e pasur ktheheshin në rezidentë fiskalë duke përfituar lehtësirat që ishin të sanksionuara për transferime të pasurive dhe parave (tabela 1).
Në vitet ‘50 ndryshoi konceptimi e terminologjia dhe u përdorën termat ndërkombëtarë offshore, tax havens. Ky sistem funksionon në mënyrë optimale për disa vende.  Në ditët e sotme numërohen me qindra vende dhe zona që zbatojnë parimet e parajsave fiskale. Monako është një nga destinacionet e miliarderëve të botës. Edhe pse ka lehtësi në tatimin mbi të ardhurat për jorezidentët, në këtë vend aplikohet një TVSH në shkallën 30% për mallrat e luksit dhe restorantet, duke parë se të pasurit i kanë objektin kryesor të transaksioneve të tyre.
Parlamentet e këtyre vendeve miratojnë ligje për të ndihmuar industri të caktuara të ekonomisë që të jenë konkurruese me ekonominë rajonale e botërore. Nga ana tjetër, ato ndihmojnë qeverisjen për të rritur nivelin e administrimit fiskal duke luftuar informalitetin, evazionin dhe korrupsionin.
Në këto zona ka përjashtime nga tatime të caktuara direkte apo indirekte, por qëllimi kryesor i gjithë sistemit të krijuar është thithja e pasurive dhe likuiditeteve të njerëzve më të pasur duke u garantuar sigurinë dhe komoditetin e bazuar te pasuria e tyre.
Më të pasurit e botës kanë zbatuar avantazhin e rregullave të zonave të lira ekonomike apo parajsave tatimore për të transferuar mbi 229 triliardë lekë (konvertuar nga ana jonë) nga vendet e tyre drejt këtyre zonave që stimulojnë këto transferime. Kjo shumë është më shumë se 70% e ekonomisë europiane aktualisht.
Në një plan global, duke parë statistikat, llogaritet se gjysma e tregtisë botërore kalon nëpërmjet vendeve të tilla. Ndërkaq, më shumë se gjysma e aseteve bankare dhe rreth 33% e investimeve direkte të shoqërive shumëkombëshe janë në këto vende. Vitet e fundit në mediat botërore është përhapur një përshtypje se këto vende janë duke u mbyllur apo kufizuar në numër për shkak të problemeve që hapin për evazionin tatimor apo shmangien tatimore. Në fakt, statistikat ekonomike botërore flasin se po ndodh e kundërta. Zona të tilla janë me një zhvillim të fortë ekonomik dhe po rriten shpejt. Konkluzioni paraprak na tregon se më pak se 1% e popullsisë botërore zotëron 16% të aseteve.
Këto fakte nuk tregojnë se zona të tilla janë në këtë nivel zhvillimi si rastësi e fatit. Britania e Madhe është një qendër që ka krijuar dhe mban lidhje me këto zona dhe provon faktin se ish-perandoria e botës ka menduar për të ardhmen e zonave me distancë të largët nga ajo. E njëjta mënyrë funksionimi është edhe për të gjitha zonat e tjera që kanë lidhje me ish-perandori apo shtete të fuqishme të kohës.
E përbashkëta e këtyre zonave dhe vendeve është se ato janë kthyer në “magnete” të parasë dhe pasurive. Në ditët e sotme ajo që ndodh në një parajsë fiskale është  zbatimi i një sistemi tatimor me taksa të ulëta, apo pa disa taksa, dhe në këmbim të këtij sistemi pritshmëria është e madhe për një zhvillim ekonomik me qeverisje të mirë dhe nivel të ulët korrupsioni. Kjo klimë bën të mundur tërheqjen e vëmendjes së individëve dhe shoqërive shumëkombëshe për të përfituar nga këto kushte konkurruese me vendet e tjera për tipa të ndryshëm tatimi dhe për kategori të ndryshme individësh dhe kompanish.
Ka arsye të ndryshme pse mund të kërkosh edhe për zona gjeografike dhe ekonomike në Shqipëri t’i shtohen numrit të këtyre zonave në hartën rajonale dhe globale. Një arsye është vetë niveli aktual i informalitetit dhe pesha prej më se një dekade që mbajnë në prodhimin e brendshëm dhe të ardhurat buxhetore. Përmendim zona si Dibra, Kukësi apo rajone brenda zonave, si:  Hasi, Tropoja, Skrapari, Gramshi etj., që në raportin të ardhura tatimore ndaj PBB janë me nga 0.01% në 0.03%. Vetëm këtë tregues po të kemi parasysh, është një arsye e shtuar për rikonceptim menaxhimi tatimor.
Arsyeja tjetër është pamundësia për administrim më të mirë fiskal, për arsye historike, kulturore, drejtimi politik i investimeve buxhetore dhe niveli aktual i zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor. Nisur nga ky nivel, zbatimi i parimeve të zonës së lirë ekonomike (e ngjashme me parajsën fiskale) si përshkruhet në legjislacionin shqiptar do të rriste interesin e kompanive dhe individëve të huaj dhe vendas, duke nxitur transferimin e aftësive për përdorimin e teknologjisë në popullsinë lokale. Të konkurrosh me vendet e industrializuara në disa sektorë është e kushtueshme dhe mund të rezultojë pa efektivitet për ekonominë. Një arsye e tretë është e mbështetur mbi faktin e mungesës së zonave me karakteristika të tilla në Europën Juglindore dhe Ballkan.
Zbatimi i parimeve të zonës së lirë ekonomike do ta kthente në efektiv prodhimin vendas, konkurrues në rajon dhe me mundësi të mira marketingu edhe në tregun global. Zonat e lira ekonomike duhet të lidhen ngushtësisht me aktivitete dhe industri specifike (minierat, turizmi malor, shëndetësor, rritjen e blegtorisë  unike, siç është delja rude, dhia e Matit etj.) dhe jo me gjithë ekonominë zonale. Përjashtimet apo lehtësirat duhet të lidhen ngushtësisht me iniciativa të tjera të mëparshme apo që priten të merren, si pjesë e një mbështetjeje të gjerë për zhvillimin ekonomik. Shembujt e ditëve të sotme mund të kërkohen në të gjitha kontinentet dhe zonat e lira ekonomike apo parajsat tatimore. Kjo temë është një debat i nxehtë në politikën botërore edhe  midis  kandidatëve për Presidentin e ardhshëm të SHBA-ve.
*Përgjegjës sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve
*Zv.drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura