Emërime të reja në KESH, OST dhe Albpetrol, reagon Berisha: Kokëdhima mori naftën e vendit

Sep 30, 2013 | 19:38
SHPËRNDAJE

TIRANE-  Pas emërimit të drejtuesve të rinj në disa prej institucioneve të Ministrisë së Energjitikës, ish kryeministri i vendit, Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se i ka dhënë naftën e vendit, deputetit socialist, Koço Kokëdhima.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Berisha e cilëson këtë si një ditë të zezë në historinë e kleptokracisë.

“Kreu i kupolës së miliarderëve dhe de fakto nënkryetar i PS, Koço Kokëdhima merr naftën e vendit. Rama emëron drejtor të Albpetrolit, drejtorin e gazetës Shekulli dhe klubit Apollonia të Fierit të Koço Kokëdhimës. Kjo është ditë e zezë në historinë e kleptokracisë Rama -Kokëdhima. Qytetare dhe qytetarë ja si po përdorin votën, besimin tuaj, kleptokratët në pushtet dhe ky është vetëm fillimi!”- shkruan Berisha në Facebook.

Ndërkaq, me ane të një njoftimi per mediat, ministria bëri me dije se vendimi për emërimin e krerëve të këtyre institucioneve eshte marre në mbledhjen e Këshillave Mbikëqyrës përkatës.

Në krye të Koorporatës Elektroenergjitike (KESH) është emëruar Agron Hetoja, në krye të Kompanisë Albpetrol sh.a. është emëruar Endri Puka, ndërsa në krye të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) është emëruar Ëngjell Zeqo.

Nderkohe Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka firmosur emërimet e drejtuesve të disa institucioneve në varësi të kësaj ministrie.

Kështu Adrian Çela është emëruar Kryeinspektor në Inspektoratin Qendror Teknik (IQT), Viktor Doda Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH), Rrapush Tola është emëruar drejtor i Repartit Inspektim Shpëtim-Miniera (RISHM) dhe Dael Dervishi është emëruar Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura