Ministri Peleshi viziton zonat e përmbytura në Durrës: Forcat e Armatosura janë në terren, por duhen nxjerrë mësime

Jan 27, 2021 | 15:13
SHPËRNDAJE

Lumi Erzen është tërhequr në shtratin e tij, por shumë shtëpi mbeten ende nën ujë në njësinë administrative Katund i Ri në bashkinë e Durrësit. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ishte në zonën e përmbytur për të parë nga afër situatën, i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

permb 2

Ministri i Mbrojtjes deklaroi se situata është përmirësuar, ndërsa siguroi gatishmërinë e FA dhe vuri theksin te mësimet që duhen nxjerrë me qëllim që reshjet e dendura dhe dalja nga shtrati i lumit Erzen të kenë sa më pak pasoja.

“Le të themi e kemi kaluar pikun, situata sot është duke u përmirësuar, reshjet kanë mbaruar, uji po tërhiqet por ka ende familje nën ujë. Unë dua të falenderoj forcat tona të ushtrisë që kanë qenë në gatishmëri që ditën e parë, kanë evakuuar disa familje që janë strehuar në Konvalishencë, një pjesë tjetër te familjarët e tyre, një pjesë që nuk kanë pranuar të dalin, por që nuk kanë qenë në rrezik sepse kur ka rrezik pranon apo nuk pranon familja evakuimi është i detyruar. Do vazhdojmë të jemi këtu në gatishmëri ndonëse pritet që dy ditët në vazhdim pritet të ketë mot të mirë. Jemi të pajisur, kemi mjete kalueshmërie të lartë, kemi mjete të vogla lundruese, gjeneratorë dhe gjithçka tjetër që nevojitet, forca njerëzore, forcat e ushtrisë. Duhet thënë që kur ka raste të tilla duhet të nxjerrim dhe mësime. Emergjenca kërkon një reagim multiinstitucional dhe të gjithë shoqërisë. Ajo që shohim këtu fillon origjinon nga zënia dhe bllokimi i kanaleve, shkarkimeve nga dinamika informale e ndërtimeve në vite të cilës tani nuk i kthehemi më dot pas. Madje e kemi përballur me shumë guxim me legalizime, këtu procesi legalizimeve ka ecur mirë ama bashkë me legalizimin duhet të kemi vëmendje ndaj urbanizimit. Ne marrim detyra tona, komuniteti duhet të marrë detyrat e veta, kemi patur edhe debate me disa banorë, nuk mund t’i kërkojmë llogari bashkisë kur kanali shkarkues e bllokon për të bërë një copë rrugë.”- u shpreh ai.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi kërkoi bashkëpunim nga banorët e zonës për të liruar dhe zhbllokuar kanalet e niveleve të treta

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako falënderoi Forcat e Armatosura për angazhimin në terren dhe njoftoi se me përmirësimin e situatës do të nisë edhe vlerësimi i dëmeve.

Gjatë ditëve të fundit, Forcat e Armatosura kanë evakuuar disa familje në Katundin e Ri, një pjesë prej të cilave janë strehuar në Konvaleshencën e Durrësit. Në Shkodër vijon prej 3 javësh transporti i banorëve të Obotit, ndërkohë që ditën e djeshme janë evakuuar edhe disa krerë bagëti.

Gjithashtu, efektivët e FA me 4 pompa të fuqishme thithëse, po ndihmojnë për shkarkimin e rezervuarit në fshatin Plan të bashkisë Tropojë.

Nga ana tjetër, FA është e angazhuar edhe në shpërndarjen e pakove ushqimore nga Rezervat e Shtetit për banorët e prekur nga përmbytjet.

permb 1permb 2 permb 3
permb 5 (2) permb 9

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura