“Berlini”, Bushati: Mundësi për fonde

Aug 31, 2014 | 10:02
SHPËRNDAJE

Rama dhe Bushati në Berlin
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e vlerëson Konferencën e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor si një mundësi të mirë për të rritur financimet për këtë rajon.

Në një intervistë për Top Channel, Bushati shpreson që vendet e rajonit të përfitojnë nga fondet që deri më sot i përfitojnë vetëm vendet anëtare të BE-së. “Të mos harrojmë se hendeku mes BE-së dhe Ballkanit nuk është zvogëluar dhe ne shpresojmë se në të ardhmen do kemi kanalizim të fondeve që sot për sot janë të aksesueshme vetëm nga vendet e BE edhe drejt Ballkanit. Kjo do përshpejtojë rrugën e Ballkanit drejt BE-së, por edhe do përmirësojë situatën ekonomike në Shqipëri dhe gjithë rajonin”, shprehet Bushati. Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, premtoi pas takimit me kryeministrat e 8 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin financime prej 12 miliardë eurosh për vendet këtij rajoni gjatë periudhës 2014- 2020. Këtë deklaratë Barroso e bëri gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Kancelaren gjermane Merkel dhe Kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Ndërkohë që Bashkimi Europian do të luajë rolin e vet udhëheqës nëpërmjet ndihmës së vet dhe të mbështetjes nëpërmjet instrumentit të paraanëtarësimit me një shumë prej 12 miliardë eurosh, parashikuar për periudhën 2014-2020. Këto nuk janë vetëm qëllime të mira, është diçka më tepër sesa thjesht një qëllim i mirë”, tha Barroso.

Sipas Presidentit të Komisionit Europian, këto financime do të prekin projekte rajonale. “Të paktën 20% e këtij financimi do të shënjestrojë projekte rajonale, por, më thelbësisht, vetëm fakti që ne i kemi mbajtur angazhimet tona financiare në nivele të larta, edhe në kohë të një krize financiare në Europë, është një dëshmi e mirë e përkushtimit të Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare për këtë rajon”, tha Barroso. Presidenti i Komisionit Europian tha se tashmë Ballkani Perëndimor ndodhet shumë pranë BE-së. Ashtu siç tha Kancelaria Merkel, edhe Barroso kërkoi nga kryeministrat e rajonit forcimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura