Ministrat e prefektët, plan masash për ndotjen akustike

Jul 31, 2012 | 12:54
SHPËRNDAJE
Takimi i ministrave për masat kundër ndotjes akustike

Ministria e Brend-shme, ajo e Mjedisit dhe Ministria e Shë-ndetësisë, në bashkëpunim me prefekturat e vendit, krijuan dje një Task-Force të përbashkët kundër ndotjes akustike në qendrat urbane dhe në zonat turistike, si dhe për masat kundër zjarreve. Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Ministria e Brendshme, ministri Flamur Noka kërkoi angazhim maksimal nga të gjithë faktorët, kryesisht nga Policia e Shtetit, për zbatimin e akteve normative të qeverisë që lidhen me zhurmat në lokale dhe zjarret. Madje, Noka i paralajmëroi vartësit e tij se në rastet kur nuk zbatohet ligji për mbylljen e lokaleve të natës pas orarit të caktuar, që është ora 00:00, do të përballen me masat që parashikon ligji dhe ndëshkime disiplinore. “Akti normativ për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe në zonat turistike e bregdetare, dhe së dyti, për masat suplementare që do të merren për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen nga zjarret në territorin e vendit, duhet të gjejë zbatim rigoroz nga të gjitha strukturat”, u shpreh ministri i Brendshëm. Takimi i djeshëm ishte fillimi i një programi, i cili do të pasohet nga masa të tjera shtesë, që synojnë ngritjen e nivelit të organizimit, të informimit dhe koordinimit mes strukturave përgjegjëse në nivel qendror e vendor për të zbatuar detyrat e lëna nga qeveria.
TASK-FORCE
Në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, së fundi është miratuar nga Këshilli i Ministrave akti normativ mbi “Krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe në zonat turistike e bregdetare”. Ky akt është në vazhdim të detyrave të mëparshme të përcaktuara nga qeveria, në vendimin numër 587, datë 7 korrik 2010, “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane e turistike”. Ministri i Brendshëm që drejtoi takimin e djeshëm, deklaroi se kjo nismë ngarkon dhe shtron përgjegjësi direkte për prefektët, si përfaqësues të qeverisë në zonat përkatëse, të cilët do të jenë edhe drejtues të grupeve Task-Force në zonat turistike. “Por, fakti që drejtimi i kësaj Task-Force bëhet nga prefektët, nuk shmang nga përgjegjësia drejtuesit e tjerë vendorë, të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhjen e këtij problemi shqetësues për banorët, turistët dhe pushuesit”, shtoi ministri Noka.
PLANI I MASAVE
Në takimin ndërministror u kërkua që për të pasur rezultate maksimale, duhet një zbatim rigoroz i kuadrit të plotë ligjor nga të gjithë aktorët dhe faktorët që të marrin masa të menjëhershme për zbërthimin në detaj të aktit normativ dhe procedimin në vijim të tij. Shtabi ndërministror u kërkoi strukturave vendore që të merren masa konkrete për identifikimin e subjekteve në zonat turistike dhe joturistike që gjenerojnë zhurma. Të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme dhe t’u kërkohet zbatimi rigoroz i kuadrit ligjor, si për oraret e funksionimit, ashtu dhe për nivelin e lejuar të zhurmës. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë u kërkua që të zbërthejë dhe të përcaktojë qartë rolin që i ngarkon akti normativ dhe të zbatojnë me urgjence dhe pa asnjë ekuivok detyrat që u ngarkon. Drejtuesit e strukturave të Policisë vendore të vihen në dispozicion të plotë të Task-Forcës në çdo prefekturë, pasi në rast moszbatimi të ligjit do të jenë ata që do të përballen me të dhe me masa të forta ndëshkimore.

PLANI I MASAVE PER NDOTJEN AKUSTIKE
.    Të identifikohen subjektet në zonat turistike dhe joturistike që gjenerojnë zhurma
.    Të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme dhe t’u kërkohet zbatimi rigoroz i kuadrit ligjor, si për oraret e funksionimit, ashtu dhe për nivelin e lejuar të zhurmës
.    Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit të zbërtheje dhe të përcaktojë qartë rolin që i ngarkon ky akt normativ dhe të zbatojnë me urgjencë dhe pa asnjë ekuivok detyrat që u ngarkon
.    Drejtuesit e strukturave të Policisë vendore të vihen në dispozicion të plotë të Task-Forcës në çdo prefekturë
.    Të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit të zbatojnë pa asnjë hezitim kuadrin ligjor, pasi në rast të kundërt, do të përballen me ligjin dhe masat e forta ndëshkimore të parashikuara në të
.    Task-Forca ushtron aktivitetin e saj çdo ditë të javës, duke ndaluar ushtrimin pas orarit të lejuar të veprimtarive të subjekteve, fizike dhe juridike, të cilat janë burim zhurme
.    Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00 deri në orën 00:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00 deri në orën 23:30, sipas normave të lejuara të zhurmës
.    Për mjediset e mbyllura veprimtaria lejohet duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës

ZJARRET
Për situatat emergjente që krijohen për shkak të zjarreve gjatë sezonit turistik, janë marrë masa për shuarjen e tyre me avionë nga ajri, por duke mos lënë pas dorë ndërhyrjen nga toka, dhe për këtë arsye, të gjitha mjetet duhet të jenë në gatishmëri. Në planin e masave parashikohet përgatitja e fletëpalosjeve, e fushatës së sensibilizimit për publikun e gjerë për rrezikun e zjarreve, shkaktarët e tyre, efektet shkatërruese mbi florën dhe faunën, punime silvikulturale në masivet pyjore për reduktimin e masës së lëndës djegëse, hapjen e korridoreve, ngritjen e kullave të vrojtimit, krijimi dhe mbajtja në gatishmëri e infrastrukturës logjistike etj.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura