Miliona në dëborë për Kim Jong Il (fotogaleri)

Dec 29, 2011 | 12:27
SHPËRNDAJE

Kortezhi, 40 kilometra, rruga e rrethuar nga njerëz që vajtonin në histeri .

Një funeral shtetëror i organizuar në mënyrë strikte në çdo detaj, si ai i themeluesit të Koresë Veriore.

Koreja e Veriut ka kryer dje funeralin e liderit të saj suprem, Kim Jong Il, me një “koreografi” tejet të rregullt, ku miliona njerëz dhe ushtarakë qanin në mënyrë histerike mes ngricës. Sipas raportimeve, ceremonia e përcjelljes u shty për disa orë për shkak të dëborës së dendur, ndërsa qytetarët u mobilizuan për të pastruar rrugën nga dëbora, për kalimin e kortezhit. Dje, autoritetet deklaruan dje se vendi ishte nën “kujdesin e ngrohtë” të djalit më të ri të liderit, Kim Jong Un. Pasardhësi Kim ka ecur ngadalë pranë makinës së funeralit të babait të tij duke mos e fshehur vajtimin përgjatë rrugës drejt varrezave në Phenian. Pamjet live nga kryeqyteti i Koresë së Veriut rrallë transmetohen për botën jashtë mureve të vendit, por kësaj radhë u lejuan. Funerali i menaxhuar në mënyrë strikte në çdo detaj përçoi mesazhin se familja e parë e kishte ende situatën nën kontroll me gjithë vdekjen e njeriut më të fuqishëm mes tyre. I veshur më pallto të zezë, i riu Kim lëvizte lehtë kokën për të evituar dëborën dhe ngriti lart krahun e tij të djathtë për të përshëndetur për herë të fundit “liderin e dashur” të vdekur. Dhjetëra mijëra njerëz kanë qëndruar në temperatura ngrice duke qarë e duke mbështetur njëri-tjetrin ndërsa kryhej parada-funeral. Ushtarët qëndronin në vija të rregullta me kokat e përulura, ku shumë prej tyre iu dukeshin lotët që u rridhnin nëpër faqe. “Si mundet që qielli të mos qajë?” tha një ushtar që nderonte nën dëborë për Televizionin shtetëror korean. “Të gjithë njerëzit po qajnë me lot gjaku”, – shtoi ai. Ashtu si i ati i tij në vitin 1994, Kim Jong Il, arkivoli ishte mbështjellë me një flamur të kuq. Një limuzinë mbante një portret të madh të Kim duke qeshur dhe ushtarët e ndiqnin makinën e varrimit pa i prishur rreshtat. Videoja u shoqërua me muzikë ushtarake. Kortezhi ishte i shoqëruar me një slogan gjigant ku vlerësoheshin idetë revolucionare të “Kim Il Sung”, babai i Kim Jong Il. Rruga që ndoqi kortezhi ishte rreth 40 km e gjatë dhe besohet se zyrtarët më të lartë nuk kanë ecur më këmbë gjatë gjithë rrugës.  Pas liderit të ri, Kim Jong Un, ecte Jang Song Thaek, kunati i Kim Jong Il dhe zv.kryetar i Komisionit Nacional të Mbrojtjes. Ai pritet të ndajë pushtetin me Kim Jon Un.

Pse vdiq Kim Jong Il
Kim Jong Il vdiq nga një infarkt më 17 dhjetor në moshën 69-vjeçare, pasi qeverisi për 17 vjet me një diktaturë represive. Për njëmbëdhjetë ditë që nga vdekja e Kim, qindra mijëra koreanoveriorë kanë kryer respektit ndaj tij rreth orës. Ata kanë vizituar vendet ku ishte vendosur fotografia e liderit dhe kanë vendosur lule në temperatura ngrice, në mënyrë teatrale, njëlloj si në funeralin e babait të Kim Jong Il në vitin 1994. Trupi i Kim ishte vendosur në një arkivol të qelqtë që u vizitua nga djali i tij pesë herë.

Përgatitja
Disa nga fotot që duhej të tregonin pikëllimin e koreanoveriorëve në funeral janë dërguar një ditë përpara nga media shtetërore për t’u siguruar që do të jenë në dispozicion për agjencitë e lajmeve, për ilustrimin dhe mbulimin e tyre në botë. Të veshur me të zeza, gratë e Koresë së Veriut mbanin nga një fjongo të bardhë në kokë duke plotësuar kështu traditën e mbajtjes zi në këtë vend. Mes njerëzve që qanin ishin edhe një grup fëmijësh, të cilët janë fotografuar duke qarë mes njerëzve të tjerë që bënin veprime histerike, si klasa punëtore dhe ushtarë të gradave të ndryshme.

Kush është lideri i ri koreanoverior
I ri dhe i patestuar, Kim Jong Un ka marrë përsipër lidershipin e Koresë së Veriut. Media shtetërore e ka përshëndetur atë si komandantin suprem dhe “lider të shtetit, ushtrisë dhe partisë”. Megjithatë, deri tani, zv.kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të partisë në pushtet, Kim pritet të marrë detyrën në krye të këtij institucioni të fuqishëm në vendin komunist duke i prekur të gjitha majat e pushtetit. Nuk dihet shumë për të riun Kim, i cili deri para vdekjes së të atit u ishte shmangur ekspozimeve. Madje nuk dihet as mosha e tij e saktë, e cila është mbajtur sekret ndërsa babai i tij, Kim Jong Il dhe regjimi i tij autokrat po e përgatisnin për ta bërë të aftë për t’i transferuar fuqinë. Kim u emërua vitin e kaluar një gjeneral me katër yje dhe zv.kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë së Punës. I edukuar në Zvicër, besohet se ai flet shumë mirë anglisht dhe gjermanisht dhe ngjan shumë fizikisht me gjyshin e tij, themeluesin e Koresë së Veriut, Kim Il Sung. I riu Kim pritet të ndjekë të njëjtën mënyrë qeverisjeje si babai i tij, duke e mbajtur pushtetin me forcë dhe me një ligj të ashpër në vendin që ka një nga ushtritë më të më mëdha në botë dhe bën vazhdimisht presion me programin e armëve nukleare. Pas ceremonisë mortore, Kim Jong Un pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e ushtrisë me 1.2 milionë trupa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura