Midhja sundon Sarandën, festa kthehet në traditë

Apr 30, 2012 | 13:04
SHPËRNDAJE

Nga “Festa e Midhjes” dje në Sarandë

Çipa konsumon gatimin: Midhja jonë është brenda standardeve.

Festa e midhjes do të kthehet në traditë në Sarandë. Prej dy ditësh në qytet është festuar, ndërkohë që kryebashkiaku Stefan Çipa ka demonstruar i pari konsumimin e midhjes, duke mohuar ngarkesën e saj me bakterin E.Coli. Ai shijoi gatimet me përbërje midhjesh, duke bërë thirrje që të konsumohej nga të gjithë. “Do të festojmë pasi edhe analizat e fundit kanë rezultuar pa ngarkesë. Ne kemi marrë garanci për këtë. Midhja jonë rezulton të jetë brenda standardeve dhe, për rrjedhojë, është e konsumueshme. Për këtë ne bëjmë festën dhe jo vetëm kaq, por do ta kthejmë në traditë”, u shpreh Çipa. Një ditë para Festës së Midhjes, kryebashkiaku Çipa ftoi gjithë bashkëqytetarët të bëheshin pjesë e kësaj veprimtarie të veçantë, që synohet të jetë i përvitshëm me qëllim, sipas tij, promovimin e një prej pasurive natyrore që i ka falur natyra zonës së Sarandës. Ai u kërkoi qytetarëve të bëhen pjesë e kësaj feste, e cila ka për qëllim që të krijojë një traditë për të vlerësuar midhjen”.
Peshkatari i vjetër Sovjet Maska, i rritur me kultivimin e midhjes, mohoi gjithashtu ngarkesat bakteriale. Sipas tij, midhja që rritet në stabiliment, pra me vargje në mes të liqenit të Butrintit, dhe jo ajo që gjendet tek–tuk në anë të bregut, nuk ka ngarkesë. “Dyshoj se për analiza mund të jenë marrë midhje të gurit. Kjo po që është e pakonsumueshme, pasi ndryshon nga ajo e mira që ndodhet në rezervate”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku Çipa, duke ngrënë midhje gjatë festës

Plot 45 vjet më parë, në 1967, në Sarandë u krijua sektori i midhjes me qendër në Manastirin e liqenit të Butrintit. Midhja e Butrintit vetëm në këtë vend ka prodhimtari dhe, si e tillë, bëhet pronë e këtij qyteti. Ky ka qenë edhe qëllimi që Bashkia e Sarandës ka vendosur që Festa e Midhjes të jetë tashmë e përvitshme.
Miq e të ftuar nga vendi dhe jashtë tij, si nga Korfuzi, Kosova, Gjilani, Suhareka etj. u bënë pjesë e festimeve, jo vetëm fizikisht, por edhe me stendat ku ishin ekspozuar prodhimet e secilit vend. Ndërkohë, një stendë e madhe me mbishkrimin e Bashkisë së Sarandës, ekspozoi gatime të shumëllojshme me bazë midhjen. Hotele, restorante të shumta, nga Saranda e Ksamili, por edhe shkolla e mesme ekonomike hoteleri-turizëm “Antoni Athanas” e qytetit kishin ekspozuar nëpër stendat e tyre gatime me midhje dhe ato tradicionale me peshk.
Gjithçka në qytetin e Sarandës mbrëmjen e së shtunës dhe e diela paradite fliste për Festën e Midhjes. Festa nisi me koncertin tek bar–lulishte “Butrinti”, për t’u shtrirë përgjatë shëtitores së qytetit në panairin e kulinarisë. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i shoqëruar edhe nga të ftuarit e veçantë të qytetit bregdetar në këtë festë të re, kaluan stendë më stendë dhe panë e shijuan nga afër specialitetet e kuzhinës me bazë midhjen. Qytetarët sarandjotë ishin të pranishëm gjithashtu dhe shijuan prodhimet e shijshme të gatuara enkas për këtë ditë.

AKU-ja ndaloi konsumimin
Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit konkludoi pak ditë më parë se midhjet ishin me ngarkesë bakteriologjike dhe të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve. Për këtë qëllim u dha urdhër që produkti të mos tregtohej dhe të mos konsumohej deri në një urdhëresë të dytë. Tashmë pritet që AKU-ja të thotë fjalën e saj për vijueshmërinë e analizës së kryer.

SARANDE/ SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura