Meta: Vizita e Fyle, mundësi për statusin para zgjedhjeve

Jan 31, 2013 | 11:56
SHPËRNDAJE
Kreu i LSI, Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, theksoi dje se vizita e programuar e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle në Shqipëri, duhet të bashkojë të gjithë faktorin politik për të tejkaluar ngërçin. Meta theksoi se dy partitë kryesore duhet të tregojnë maturi politike dhe të miratojnë tri ligjet para zgjedhjeve të 23 qershorit. “Vizita e pritshme e Komisionerit për Zgjerimin, z.Stefan Fyle, është një mundësi e artë për politikën shqiptare për të bashkuar të gjitha energjitë dhe përpjekjet për të kaluar këtë moment stanjacioni lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo është një mundësi, e cila duhet të miradministrohet nga ana e politikës shqiptare, sidomos e dy forcave kryesore parlamentare, sepse e rrit në maksimum mundësinë e marrjes së statusit përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, gjë që është në interes të të gjithë vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. LSI, me këtë rast, përforcon apelin e saj për dialog, për fleksibilitet dhe për ndërtimin e atyre urave bashkëpunuese që bëjnë të mundur që këto tri akte të miratohen dhe që statusi i vendit kandidat të mund të sigurohet përpara zgjedhjeve të 23 qershorit”, deklaroi dje kreu i LSI-së. Gjatë konferencës për shtyp, Meta iu përgjigj dhe interesit të gazetarëve lidhur me koalicionet e mundshme në zgjedhjet e 23 qershorit, me parti si FRD apo PBDNJ. “Lëvizja Socialiste për Integrim, duke respektuar marrëveshjen aktuale me Partinë Demokratike, e ka bërë të qartë se për koalicionet e ardhshme elektorale do të prononcohet në kohën e duhur Konventa Kombëtare e LSI-së si organi më i lartë dhe suprem i saj”, theksoi ai. Kreu i LSI-së komentoi dhe vendimin e Ministrisë së Jashtme për shpalljen “non grata” të deputetit të “Agimit të Artë”, Kristos Papas, për të cilin tha se ka cenuar sovranitetin e Shqipërisë. “Iniciativa e bërë publike edhe nga media mendoj se ka qenë e paevitueshme, për shkak se përfaqësuesi i partisë neonaziste greke ka cenuar në mënyrë flagrante sovranitetin e Shqipërisë dhe njëkohësisht ka injoruar ekzistencën e saj”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura