Meta: Të miratojmë Gjykatën e Lartë dhe reformën parlamentare

Sep 30, 2012 | 11:42
SHPËRNDAJE

Krerët e së majtës shqiptare kanë dhënë mesazhet e tyre gjatë qëndrimit në Bruksel. Pas takimit me komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle, kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar pothuaj të gjitha prioritetet e BE-së. Meta është takuar dhe me Hans Svoboda dhe drejtorin për Zgjerim, Stefano Sanino. “Pjesa më e madhe e 12 prioriteteve janë plotësuar, pavarësisht se mbeten ende disa çështje të rëndësishme, sikundër është ligji për Gjykatën e Lartë, miratimi i rregullores për procedurat parlamentare, por unë shpresoj që në ditët që kanë mbetur, këto çështje me konsensus e vullnet të zgjidhen dhe Komisioni të ketë mundësinë që të bëjë një propozim sa më pozitiv për Shqipërinë”, u shpreh Meta. Ndërsa kreu socialist, Edi Rama, apeloi për një monitorim të rreptë të partive socialiste europiane gjatë zgjedhjeve të 2013-s. “Jemi plotësisht të vetëdijshëm, siç është plotësisht, besoj, i vetëdijshëm edhe Komisioni, pasi e ka shkruar të zezë mbi të bardhë që problem i Shqipërisë nuk janë, në fund të fundit, ligjet, por është mungesa e zbatimit të ligjit, dhe në funksion të një integrimi që duhet të reflektohet në cilësinë e jetës së qytetarëve, në procesin demokratik në Shqipëri, në institucione që duhet t’u shërbejnë qytetarëve, është, pa dyshim, e domosdoshme që Komisioni, Bashkimi Europian, Partia Socialiste Europiane të vigjilojnë për të mos lejuar që i gjithë ky proces dhe i gjithë ky kontribut i opozitës në këtë proces, të mos shpërdorohet e të kthehet në një proces që nuk ka impakt në jetën e qytetarëve shqiptarë”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura