Meta:Takimi Berisha-Rama do shpejtonte procesin

May 31, 2012 | 12:35
SHPËRNDAJE

TIRANË- Kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke përsëritur vlerësimin e tij për kandidaturën e maxhorancës për president ka deklaruar se një takim Berisha-Rama do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit.

Gjatë një deklarate për mediat, Meta është ndalur në cështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke e cilësuar atë si jopartiake dhe mundësi shumë të mirë për të realizuar një konsensus të gjerë që është i domosdoshëm për jetën politike dhe institucionale.

“Është për të ardhur keq kur dëgjojmë paragjykime të pamenduara mirë që në vend t’i shërbejnë procesit të ndërtimit të një konsensusi ndihmojnë për të krijuar mure të panevojshme, është e rëndësishme të hiqet psikologjia e refuzimit apo bllokimit. Duhet të ecim drejt një figure që paraqet vlera të konsoliduara dhe i shërben funksionimit të institucionit të presidentit dhe besoj se duke u cliruar nga paragjykimet i kemi mundësitë të ecim në rrugën e duhur dhe ta kurorëzojmë me sukses raundin e dytë”- tha Meta.

Sipas tij, procesi i nisur me vonesë ka defekte dhe ndër to Meta përmend mungesën e deritanishme të një takimi mes Berishës dhe Ramës.

“Kam kërkuar të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe kam apeluar për takim Rama-Berisha në mënyrë që paragjykimet që burojnë nga distanca të shkrihen e të ecët në rrugë të mirë një zgjedhje dinjitoze e presidentit të ri dhe mbyllje e reformave. Një takim Berisha Rama do ndihmonte përshpejtimin e procesit, nuk kemi pse të humbasim ditë e javë në një situatë pritje se cdo minutë është e çmuar, vendi ka nevojë për shumë reforma”- tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura