Meta: Para çështjes së taksave na duhet një model i ri ekonomik

May 31, 2013 | 12:03
SHPËRNDAJE
Kreu i LSI, Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi të zhvilluar në Shkodër me sipërmarrës, tha se ekonomia shqiptare kërkon një model të ri ekonomik. “Situata ekonomike është e mjegullt. Kjo shprehet sidomos në rënien e dërgesave të emigrantëve tanë, të cilat kanë pësuar një rënie drastike. Dhe kjo pastaj shprehet edhe në shumë tregues të tjerë, në rritjen e borxhit, në rritjen e deficitit tregtar e kështu me radhë. Ndaj për ne është imediate që përpara se të diskutojmë për taksat, të diskutojmë dhe të angazhohemi për një model të ri ekonomik, i cili bazohet jo thjesht te konsumi, i cili është financuar deri më tani nga të ardhurat e emigracionit, por që bazohet te prodhimi në vend. Dhe akoma më tepër te një ekonomi që jo vetëm prodhon, por edhe eksporton”, tha Meta. Sipas tij, çështja e taksave është një çështje që duhet parë në funksion të këtyre objektivave, pra të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në prodhim, të bazuar në eksport, të bazuar në produkte “Made in Albania” dhe sigurisht që të gjitha politikat e tjera tatimore duhen vënë në funksion të këtyre objektivave. “Sepse në qoftë se dikush nuk prodhon ose dikush nuk shet, për çfarë do ta tatosh? Në qoftë se një njeri nuk siguron një të ardhme, nuk ka një rrogë, atëherë për çfarë do ta tatosh, çfarë do të paguajë?”, tha ai. Sipas tij, kjo krizë në Europë duhet ta shikohet si një mundësi për të tërhequr sa më shumë investitorë, sidomos italianë, por edhe të vendeve të tjera, të cilët për shkak të rritjes së politikës së taksave në këto vende synojnë t’i transferojnë fabrikat e tyre, aktivitetet e tyre, në vende më të afërta, dhe kuptohet që Shqipëria është një vend ideal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura