Meta: Duhet hetim i plotë nga Prokuroria

Jul 31, 2014 | 11:27
SHPËRNDAJE

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta
Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, deklaroi dje se vjedhja e ndodhur në Bankën e Shqipërisë nuk duhet të përdoret për të dëmtuar reputacionin e institucionit më të rëndësishëm bankar, pasi sipas tij vetë punonjësit e Bankës denoncuan vjedhjen e 713 milionë lekëve në katër vite. Meta më tej inkurajoi institucionet e Drejtësisë të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të ndëshkojnë maksimalisht autorët për këtë akt të rëndë kriminal. “Nuk duhet të harrojmë që kjo ngjarje është identifikuar dhe është denoncuar në Prokurori nga vetë strukturat e Bankës, pra nga drejtuesit e saj. Dhe unë jam i bindur që Prokuroria, e cila po heton tashmë për këtë çështje dhe Gjyqësori, do të realizojnë një hetim të plotë për të vënë para përgjegjësisë maksimale të gjithë personat e implikuar dhe do të ketë mbështetjen tonë të plotë për të zbardhur këtë akt kriminal, por edhe për të dhënë ndëshkim maksimal për autorët”, theksoi Meta. Më tej, kreu i Legjislativit u shpreh se Banka e Shqipërisë, pavarësisht kësaj ngjarjeje, do të vazhdojë të luajë rolin e rëndësishëm të stabilitetit makroekonomik dhe financiar. “Kjo ngjarje nuk mund të cenojë rolin e Bankës së Shqipërisë si një faktor shumë i rëndësishëm që ka qenë deri më tani për stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit dhe jam i bindur se do të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen. Është një ngjarje që nuk duhet të përdoret për të dëmtuar reputacionin e Bankës së Shqipërisë. Sepse e theksoj, është një vjedhje, e cila është identifikuar dhe është denoncuar nga vetë strukturat e Bankës dhe drejtuesit e saj në Prokurorinë e Përgjithshme. Jam i sigurt që do të nxirren të gjitha përgjegjësitë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, ashtu sikurse duhet të nxisim drejtësinë për të dhënë dënimin maksimal, që askujt të mos i shkojë në mendje për të kryer veprime të tilla”, tha Meta. Guvernatori Ardian Fullani është takuar dje në mesditë edhe Kryeministrin Edi Rama në zyrën e tij. Nuk dihen detajet e kësaj vizitë, të Guvernatorit Fullani në godinën e Kryeministrisë, dhe ky takim është zhvilluar larg syrit të mediave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura