Mesazhi jo i kujdesshëm i Ramës në Gjakovë

Nov 30, 2012 | 11:47
SHPËRNDAJE

ROMEO HANXHARI

Politologë të shquar kanë mbështetur idenë, sipas së cilës,  mënyra se si liderët politikë i menaxhojnë momentet e inercisë sentimentale të komunitetit të tyre dëshmon se sa të qëndrueshëm dhe të përgatitur për përgjegjësi të mëdha ata janë. Në këtë këndvështrim, është e dukshme se këto javët e fundit janë euforike dhe nostalgjike për kombin shqiptar në tërësi, për shkakun se po përpiqemi të përjetojmë me krenari një përvjetor me ngarkesë të fortë emocionale. Po ashtu, fakt është që ne më shumë po lidhemi me nostalgjinë se sa me të tashmen, për shkak sepse po na frustron progresivisht si komb ndjesia se një pjesë e lidershipit tonë politik po keqpërdor besimin tonë për pretekste që na pengojnë në marrjen e statusit. Prandaj nostalgjia dhe euforia patriotike për të shkuarën na justifikohet kur bëhet fjalë për marrëdhënie brenda nesh. Por, ama, ne nuk mund të jemi euforikë kur bëhet fjalë për marrëdhënie ndërshtetërore. Kjo sepse mendimi i përgjithshëm ndërkombëtar se Shqipëria është një vend që në çdo rrethanë ka punuar për stabilitetin në rajon, është ndoshta e vetmja meritë e jona në këtë kapërcyell të trazuar shekujsh, dhe ndoshta i vetmi kontribut origjinal i yni si shtet në komunitetin e vendeve moderne. Ndaj ne nuk mund të kemi luksin të luajmë me të, në asnjë lloj rrethane, aq më pak elektorale.
Duke shpresuar të jem totalisht i gabuar, do të doja të ndaja me shoqërinë së cilës i përkas një konstatim të cilin do të marr guximin ta quaj shqetësim. Qëllimi është të bërtas një thirrje pranë të gjithë klasës politike që na përfaqëson në nivele të ndryshme, që ajo të menaxhojë me kujdes dhe me respekt maksimal ato elemente pozitive të imazhit tonë shtetëror apo kombëtar, për të cilat të gjithë pjesëtarët e komunitetit tonë shqiptar kanë investuar në mënyrën dhe masën përkatëse, duke qenë pjesë e një suksesi të përgjithshëm. Askujt, absolutisht askujt prej liderëve tanë politikë nuk i lejohet të keqpërdorë këtë imazh. Ata duhet të kuptojnë se të udhëheqësh e të përfaqësosh një shtet apo një komb nuk është privilegj apo argëtim, por është një peshë e rëndë përgjegjësie që kërkon mundim Sizifi dhe pjekuri Sokrati që të mbahet siç duhet. E pra, duke shpresuar se gaboj në këtë ndjenjë, më duhet të bëj një shembull se sa lehtë liderët tanë mund të krijojnë probleme për imazhin e Shqipërisë. Gjatë ceremonisë së ekspozitës së bukur të flamujve në Gjakovë, kryetari i nderuar i opozitës së Republikës së Shqipërisë, pra kryeministri në hije i këtij vendi, gjatë shkëmbimit të dhuratave të kortezisë me Kryeministrin e Kosovës ia shpjegoi në këtë mënyrë audiencës domethënien e dhuratës që ai i bëri Thaçit: “Ju e shikoni dhe vetë, nga vetë dhuratat që ne shkëmbyem, që prapë Hashimit i mbeti lufta, ndërsa mua dashuria”. Në gjuhën diplomatike unë nuk e di se si mund të interpretohet ky prononcim, por unë vetë u shqetësova kur e dëgjova. Sepse e kuptova siç në shqip do të kuptohej: që “nga dhurata që unë i dhashë atij, Thaçit i mbeti lufta”, dhe pra që “unë Thaçit i dhurova luftën”. Nëse shqipja është njësoj për të gjithë shqiptarët, atëherë ky i mësipërmi është një mesazh të paktën i çuditshëm, për të mos thënë i rrezikshëm, sidomos për ata që monitorojnë me kujdes çdo mesazh të Kryeministrit në hije të Shqipërisë. Sepse në tërësi është një mesazh që ose do të klasifikohej si një “gaffe” e pafajshme nga euforia, ose si një dorashkë që i hidhet stabilitetit në rajon. Natyrisht që edhe unë mendoj se është varianti i parë më i mundshmi, por ama, diplomatëve u duhet të marrin në konsideratë edhe atë të dytin, dhe kjo nuk është ajo që duhet për këtë vend. Për të qenë i sinqertë deri në fund, dhe kjo mund të jetë diçka subjektive, duhet të them me dashamirësi se personalisht unë nuk e gjeta të përshtatshme as dhuratën që zoti Rama i bëri zotit Thaçi, një hartë të Shqipërisë etnike, sepse mendoj se për të respektuar zotin Thaçi ne duhet të jemi aq modestë sa të kujtohemi që atë lloj harte ai e ka vizatuar me kohë vetë, madje me plumba pushke e jo me lapsa me ngjyra. …Për më tepër, edhe ajo dhuratë është një kumt që mund të interpretohet në nivel diplomatik. Gjithsesi, për t’u kthyer te mesazhi verbal i mësipërm, mua ai më la shijen e diçkaje që thuhet pa u peshuar dhe thjesht për hir të batutës që del në shteg, dhe kjo nuk është aspak mirë duke pasur parasysh rëndësinë e personalitetit që e tha. E, nëse ka qenë e planifikuar, ashtu siç në fakt do të duhej të ishte normalisht çdo gjë që një kryeministër në hije i një vendi i thotë Kryeministrit në detyrë të një vendi tjetër, aq më keq. E pra, si qytetar i ndjeshëm i këtij vendi me politikë të brishtë, qëllimi im me këtë qëndrim publik nuk është denigrimi, por thjesht kujtesa që në tërësi figurat politike e publike të tregohen të kujdesshme dhe të përgjegjshme, veçanërisht në politikën e jashtme, në të cilën ne, për hir të së vërtetës, nuk jemi esnafë, por ku destabilizues të paktën nuk kemi qenë kurrë. Kjo na bën që edhe pse kemi të drejtën tonë të përjetojmë euforinë e nostalgjisë patriotike, të kemi shpresa se nuk do të zbrazim me një shkelm enën që kemi mbushur me sakrifica për gjithë këta vjet.
*Universiteti i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura