Mesazhe italiane për zgjedhjet shqiptare

Feb 28, 2013 | 12:49
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

Zgjedhjet italiane, rezultatet e tyre kanë dhënë shumë mesazhe për të gjithë: për italianët vetë, për europianët, për tregjet globale, për botën. Mes këtyre mesazheve ka disa që janë më të vlefshme se të gjitha për ne shqiptarët. Jemi në zgjedhje pas disa muajsh, dhe në këtë perspektivë ato mund të kenë vlerë qoftë për klasën politike për të kuptuar më mirë preferencat e zgjedhësve, si duhet të sillen me ta, qoftë dhe për vetë zgjedhësit që të kuptojnë fuqinë e tyre për të ndryshuar rendin e gjërave. Po flasim për ato mesazhe që janë etnikisht neutrale, dhe jo për ato që ndikohen nga rrethanat kombëtare të zhvillimit të zgjedhjeve dhe jetës politike.
Sistemi ynë, jo vetëm ai zgjedhor, e ndalon në gjenezë një Grillo shqiptar
Mesazhi i parë lidhet me sistemin zgjedhor dhe aftësinë e tij për të sjellë ndryshimin. Disa herë e kemi afirmuar një aksiomë në të cilën besojmë, sipas së cilës sistemi më i përkryer për Shqipërinë  dhe për çdo vend të ri në demokraci, do të ishte ai që do t’i krijonte mundësinë një subjekti të ri politik që me jetëgjatësi maksimale një legjislaturë (4 vjet), të mundte të afirmohej parti e parë në zgjedhje. Kjo në të vërtetë ka ndodhur thuajse kudo në Lindjen ish-komuniste ku partitë tradicionale kanë humbur dhe janë shfaqur subjekte tërësisht të reja. Për hir të së vërtetës, këto vende – rasti i Rumanisë, i Kroacisë, i Hungarisë, i Bullgarisë etj., i kanë pasur punët shumë më mirë se Shqipëria. Në hapësirat e lira të një proporcionali kombëtar u afirmua Bepe Grillo, i cili me Lëvizjen e vet krijuar katër vjet më parë, arriti të imponohej më 2013-n si parti e parë e Italisë. Ndërkohë, sistemi zgjedhor shqiptar, i provuar disa herë, është dëshmuar si i suksesshëm në misionin për ta bllokuar ndryshimin, së bashku me truket manipuluese të partisë që është në pushtet. Është një sistem që favorizon partitë kryesore në përgjithësi, dhe atë që është në pushtet në veçanti. Kjo do të thotë se ngjan shumë e vështirë që në mungesë të një oferte vërtet alternative me partitë kryesore, të kemi në Shqipëri shfaqjen e një dukurie Bepe Grillo apo Lëvizja “5 yjet” për nga rezultati. Për më shumë, ne nuk kemi ndonjë Bepe Grillo në listën e figurave politike përfaqësuese të partive më të reklamuara. D.m.th. dikë që të vijë nga jashtë sistemit politik, nga arti, nga biznesi, nga emigracioni apo nuk dihet se nga, që të përmbysë sistemin duke u afirmuar si parti e parë. Po a është i mirë për Shqipërinë sistemi italian që na ofroi një shembull suksesi të një partie tërësisht të re? Mund të themi me siguri se sistemi italian nuk mund të merret ende si model për ne, sa kohë që ai prodhoi një paqeverisshmëri të qartë, dhe ky sistem është konsideruar si fajtori kryesor për të. Por, në rast të një reforme zgjedhore, ndoshta duhet të kërkohet akoma te familja e proporcionalit, mbase te proporcionali kombëtar, me elemente të tjera specifike.
Por neve na duhet një forcë e re, ama
Me evidentimin e mesazhit të parë ne nuk po themi se Shqipëria s’ka nevojë për një forcë antisistem, apo se në shoqëri nuk ndihet nevoja e një force të tillë. Përqindja e abstenuesve, shtuar përqindjes që marrin partitë e vogla nën 4%, është tradicionalisht e madhe, dhe ajo mund të interpretohet qoftë si e përbërë nga njerëz që nuk duan me bindje të identifikohen me partitë e mëdha, (pjesë shumë gri brenda grisë), qoftë si e votuesve të rinj, të pandjeshëm ndaj trashëgimisë familjare në votim. Te ky pellg i peshkoi dhe Bepe Grillo votuesit e vet, veçanërisht te të rinjtë 18-22 vjeç, një grupmoshë tërësisht e zhgënjyer, e  mërzitur nga klasa politike italiane, me të vërtetë shumë e vjetër, në moshë veçanërisht. Të gjithë vëzhguesit e këtyre zgjedhjeve e vënë gishtin te zhgënjimi rinor si faktorin kryesor të rritjes së Bepe Grillos, duke potencuar veçanërisht faktin se në 20 vjetët e fundit gati një milion të diplomuar italianë kanë emigruar. Na duhet një forcë antisistem, sepse deri më tani e majta e Fatos Nanos dhe e djathta e Berishës kanë qeverisur sipas të njëjtit model. Duhet një model i ri, dhe ende nuk kuptohet nëse Rama do dalë prej të vjetrit.
Web-i, hapësirë lirie e pashfrytëzuar plotësisht ndër ne
Dukuria Bepe Grillo, megjithatë, në Shqipëri s’mund të ndodhë edhe për arsye gjenetike. Sistemi (jo vetëm dera politike e tij, nëpërmjet proporcionalit rajonal) nuk lejon futjen e aktorëve të rinj. Kur themi sistemi nuk lejon, nënkuptojmë me këtë hapësirat ku afirmohet e reja: mediat tradicionale, shoqëria civile, të cilat ose janë të partizuar (media), ose janë të dobëta dhe jo përfaqësuese (shoqëria civile). Së dyti, në ofertën elektorale ekzistuese, asnjëri individualisht nuk i ngjan Bepe Grillos, me gjithë përpjekjet e Spahiut për të marrë diçka prej sloganeve të tij. Spahiu, ndryshe nga Grillo, ka ardhur nga brenda sistemit politik si ish-nënkryetar i KLD-së. Dhe Spahiu nuk e sheh njëlloj të djathtën me të majtën, ndërsa Grillo është thuajse i baraslarguar.
E vetmja hapësirë lirie ku pas këtyre zgjedhjeve mund të eksplorohen alternativa të reja, figura të reja, mbetet media jo tradicionale – interneti. Por dhe aty nuk shihen prirje të organizuara, liderë të rinj me popullaritet të jashtëzakonshëm, që do të mund t’i ngjanin Bepe Grillos. Te ne akoma më shumë, me këtë biznes të partizuar, informal në një pjesë të madhe, të varur nga politika, për pasojë dhe me media të partizuara në masën më të madhe, web-i mbetet e vetmja hapësirë e pakontrollueshme ku mund të farkëtohen alternativa. Mjerisht web-i s’ka ende shumë konsumatorë apo lundrues të mjaftueshëm sa të përfaqësojnë një masë kritike që mund të pretendojë apo të sjellë ndryshimin si Lëvizja e Grillos.
Berluskoni si alternativë e vetme e së djathtës. Po Shqipëria?
Të garantuar nga mungesa e një dukurie të ngjashme, pra rritja eksponenciale e një partie tërësisht të re, megjithatë nuk duhet të ndihemi rehat as nga barazimi i alternativave të së majtës me atë të së djathtës në pushtet prej 8 vjetësh, siç ka një përpjekje perverse. Thelbi i zgjedhjeve është ndryshimi pozitiv, dhe nëse nuk jemi të garantuar për ndryshimin, atëherë duhet të jemi të garantuar për rrotacionin. Rrotacioni ofron më shumë shanse për ndryshimin pozitiv sesa stanjacioni kënetor. Italianët mençurisht nuk i dhanë as simbolikisht më shumë vota Berluskonit sesa Bersanit, megjithëse të dy humbën vota në raport me 2008-n. Ndërkohë, një dukuri interesante e këtyre zgjedhjeve është konfirmimi i Berluskonit. Në shumë pika Berisha është si Berluskoni; për nga numri i mandateve, por dhe për demagogjinë e shfrenuar dhe rezultative. Madje shihet qartë në truket e përdorura për këngëtaret në Forumin Rinor të PD-së, në premtimet qartësisht të rrejshme apo mburrjet me doza elefanti, se Berisha e imiton Berluskonin, për të cilin nuk fsheh as publikisht adhurimin si demagog i suksesshëm. Por konfirmimi i Berluskonit, siç bien dakord shumë vëzhgues, erdhi për shkak të mungesës së alternativës në krahun e djathtë. “Midis dikujt që të çon në re apo që të bën të ëndërrosh (Berluskoni) dhe dikujt tjetër që të thyen turinjtë me taksa (Monti), italianët zgjodhën sërish atë që të nxit të ëndërrosh, për më shumë kur ai bën oferta tërheqëse: amnistinë fiskale, punësim dhe ulje të ndonjë takse”, thoshin në një mendje vëzhguesit e zgjedhjeve italiane. Po a është ky rast i Shqipërisë? Prej këtij mësimi duhet të përfitojë më shumë zoti Topi, i cili duhet të sillet si alternativë e fortë dhe e fuqishme e së djathtës, edhe pse ndryshe nga Monti, ai s’ka trashëgimi negative. Ka pak kohë në dispozicion, por duhet të ndryshojë urgjentisht për të ofruar një platformë tipike të së djathtës. Duke e ruajtur se mos ia vjedhin, natyrisht, sepse vjedhja e ideve është normë në fushatë.
Mesazhi për të majtën, nëse ajo don të sjellë ndryshimin
Krejt për në fund diçka ekskluzivisht për të majtën. Koalicioni i Bersanit, megjithëse lideri arriti të pajtonte shpirtrat e ndryshëm të së majtës italiane, prapë ngjau i vjetër, shënjuar nga drapri dhe çekani. E vjetra kudo nuk tërheq, as në Itali dhe as në Shqipëri, për më shumë kur kujtimet prej saj nuk janë të mira. Ndaj e majta, nëse do të vijë bindshëm në pushtet, së pari do duhet të arrijë paqen e madhe mes vetes: brenda PS-së, apo midis PS dhe LSI (edhe me dy hapa), që të japë idenë e një fronti të bashkuar. Së dyti, duhet me çdo kusht të japë imazhin e së resë, në program, në fytyra, në fushatë. Do duhet të fokusohet te të rinjtë, votuesit e herës së parë. Do duhet për këtë qëllim të ketë ofertë të veçantë për brezin e ri, për punësimin e tij, arsimimin e tij, afrimin me Europën. Deri më tani PS nuk ka ofruar, megjithatë, një paketë tërësore për rininë, përjashto moshën e folësve në Konventën e fundit dhe s’ka shumë kohë për ta hedhur atë me gjithë frikën për vjedhjen e ideve. Duhet dëshpërimisht një ofertë e tillë ndërsa Berisha me shumë intuitë fokusohet te rinia, nëpërmjet lëvrimit të pasionit të tij të vjetër – letërsisë politike në Facebook apo takimeve me maturantët, që s’kanë një kujtesë personale për bëmat e tij. Votuesi i ri në fund do të vendosë shumë për fatin e zgjedhjeve shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura