Merr peng punëtorët për 4 mijë euro

Apr 30, 2012 | 14:22
SHPËRNDAJE

Komisariati i Policisë Elbasan

PEQIN/ Dyshonte se i kishin vjedhur paratë. Ende mister fati i eurove të grabitura në servis.

Pronari i servisit i izolon për pesë orë, i liroi policia.

Pronari i servisit merr peng 4 punëtorët për 4 mijë euro të humbura. Pas 5 orësh të izoluar në ambientet e servisit, Policia e Peqinit ka arritur të lirojë punonjësit dhe të arrestojë pronarin bashkë me tre të njohurit e tij, që bashkëpunuan mes tyre në këtë ngjarje.
Burimet zyrtare thanë se Policia e Peqinit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Weekend 3”, duke vënë në pranga dhe autorët. Arrestimi i Enkelejd Sinanit, 22 vjeç, Albert Mani, 36 vjeç, Durim Haka, 33 vjeç, si edhe Besnik Mani, 40 vjeç, me banim në fshatin Pajovë të Peqinit, u bë pasi ata akuzohen se kanë marrë peng për mbi 5 orë në ambientet e servisit katër të rinj, përkatësisht D.Bufi, E.Bufi, E.Dragoti dhe S.Abdulla, të moshës nga 25 deri në 30 vjeç. Sipas Policisë, katër të rinjtë, banues në fshatin Pajovë, janë marrë peng në orët e vona të datës 28 prill nga ana e pronarit të servisit të makinave, Besnik Mani. Këtij të fundit i kanë humbur në ambientet e servisit, i cili ndodhet në të njëjtin fshat, një shumë prej 4 mijë eurosh, për të cilat ka akuzuar punëtorët e tij. Duke mos gjetur eurot e vjedhura, pronari i servisit, në bashkëpunim me tre personat e arrestuar tashmë, ka marrë peng katër të rinjtë të cilët ishin punëtorët e tij dhe i kërcënonin që të tregonin se ku i kishin fshehur eurot. Sipas burimeve të Policisë mësohet gjithashtu se pronari i ka fyer katër të rinjtë, si edhe i ka kërcënuar, me qëllim që këta të fundit të tregonin për vendndodhjen e parave. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se pronari i lokalit i kishte paratë brenda një kulete të cilën e kishte lënë në servis, ku dhe punonin të rinjtë. Paratë mësohet se ishin kursimet e vetë Manit. Edhe pse ai i kërcënoi të rinjtë, këta të fundit mësohet se kanë deklaruar se nuk kanë ditur gjë për eurot dhe nuk e kanë pranuar që i kanë marrë ato. Pronari i ka mbajtur në servis më shumë se pesë orë të mbyllur dhe vetëm në orët e para të mëngjesit të së dielës është bërë i mundur lirimi i të rinjve nga Policia. Kanë qenë familjarët e punëtorëve ata të cilët kanë denoncuar në Polici për vonesën e tyre në shtëpi. Pas verifikimeve të imtësishme mbi punën dhe lidhjet me pronarin e servisit, u ushtrua kontroll në ambientet e servisit, ku u gjetën të mbyllur punëtorët. Në flagrancë u arrestuan katër personat që i mbanin të izoluar. Mësohet se ndaj të rinjve të marrë peng nuk është ushtruar dhunë fizike, por vetëm psikologjike. Tashmë ata janë të lirë dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, edhe pse kanë pësuar një shok si pasojë e marrjes peng. Materialet në ngarkim të katër shtetasve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Ndërkaq, kjo e fundit ka nisur hetimet për të gjetur autorët e vjedhjes së 4 mijë eurove që pretendon se i kishte pronari i servisit në ambientet e këtij të fundit.

Të arrestuar
Besnik Mani,
40 vjeç
Enkelejd Sinani,
22 vjeç
Albert Mani,
36 vjeç
Durim Haka,
33 vjeç

PEQIN/ MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura