Media, politika, interesi publik

Apr 30, 2011 | 10:43
SHPËRNDAJE

EDLIRA GJONI

Në Angli ka plasur diskutimi mbi privilegjin në të cilin ka akses një shtresë e caktuar njerëzish. Nëpërmjet tij kërkojnë mbrojtje të veçantë nga gjykata për të ruajtur privatësinë apo sekretet e tyre. Diskutimi u ndez pasi Andreë Marr, një nga prezantuesit më të njohur të BBC-së, anuloi një vendim të tillë, të cilin Gjykata e kishte marrë me kërkesën e vetë Marr tre vjet më parë. Asokohe, në kulmin e karrierës së vet, Marr kishte pasur një lidhje jashtëmartesore, e, për t’i shpëtuar medias, gazetari përdori pasurinë, famën dhe pozicionin e vet për të kërkuar ketë vendim të veçantë privilegji në Angli, që gjykata e jep në raste specifike. Vendimi ndalon publikimin e çështjes në media dhe thyerja e vendimit është vepër penale, për të cilën botuesit ndëshkohen ligjërisht. Të tilla vendime janë marrë për çështje madhore politike në Angli, apo për skandalin e mbetjeve toksike të shkarkuara në Bregun e Fildishtë nga një kompani angleze në vitin 2006.
Mirëpo, gazetari i BBC-së vendosi fillimisht ta përdorë këtë privilegj në mënyrë që të arrinte objektivin, më pas t’i kërkojë gjykatës shfuqizimin e vendimit. Menjëherë, çështjet e tij personale pushtuan shtypin britanik, edhe pse gjithë ishulli duket tepër i zënë nga ethet e dasmës mbretërore. Vendimi i një gazetari për të lejuar publikimin e të vërtetës së tij personale, pasi kishte penguar me urdhër të veçantë për tri vjet përmendjen e saj, ka ndezur në Britani një debat të gjerë: Si merren urdhrat e veçantë për mospublikime dhe ç’do të thotë për lirinë e shtypit e gjithë kjo histori, ku për protagonist ka një njeri që vjen nga shtypi vetë? Debati nuk është vetëm britanik dhe nuk mbetet thjesht në marrëdhënien “e drejtë për jetën private, e drejtë për informim dhe liri të shtypit”. Në këtë histori të bën përshtypje përfshirja e medias dhe e njerëzve të saj në përcaktimin e një axhende më të gjerë sesa ajo e sjelljes mediatike. Pra, nëpërmjet një njeriu që vjen nga radhët e saj, media përcakton se si do të sillet gjithë shtypi ndaj një çështjeje që nuk është thjesht personale, por edhe e mundur për t’u hermetizuar nga publikimet. Jo të gjithë e kanë këtë privilegj. Për këtë arsye ka plasur edhe debati.
Ç’del po ta lokalizojmë çështjen? Media edhe këtu censurohet, gjobitet, nënshtrohet, shërben me devotshmëri, vullnetarizon, merr pjesë në freskime, pretendon, (sh)formon mendime, ide e të vërteta, por, mbi të gjitha, me urdhra dhe me vendime të posaçme, nuk merret me gjëra të dorës së fundit, siç bën BBC-ja, me jetën e një punonjësi të vet. Jo. Urdhrat për median e këtushme kanë të bëjnë me transmetim kasetash të gatshme, me mospranim kamerash jo vetëm në fushata elektorale, por edhe në takime ku diskutohet për çështje të interesit publik. Medias i tregojnë vendin. E, po nuk e bën, ajo e gjen vetë, gjithë zell, vendin që mendon se mund t’i përshtatet më mirë. Po si qenie me zhvillim jo fort të qëndrueshëm, nuk i bëjnë çdo vit rrobat e përdorura një palë zgjedhje më parë. Për këtë arsye, krahasimi çalon që në kahje; në njërën anë zhvillimet i përcakton media, në tjetrën, zhvillimet e saj përcaktohen nga tjetërkush. Vendimet mund të jenë në të dy kahet arbitrare, por të paktën, në rastin anglez, ato parashikohen me ligj dhe diskutohen, madje, edhe publikisht. Për më tepër, arbitrariteti aplikohet për motive private, jo për çështje që prekin interesin publik.
Debati në Angli është: “Përse disa njerëz shfrytëzojnë postin dhe pasurinë për të kyçur jetën e tyre”, kurse këtu debati është, “Përse nuk më nxjerr mua lajm të parë, me sinkron dhe të më mbash 15 minuta?”. Atje diskutimi është: “Ku qëndron kufiri mes së drejtës për jetë private dhe së drejtës për informim”; këtu, qëndrimi agresiv (i përbashkët media-politikë) është: “Çfarë rëndësie ka jeta private dhe interesi i qytetarit? Për mua, për mua fol. Unë të jem në shtëpinë e popullit në mëngjes, në drekë, në darkë edhe në edicionin e pasmesnatës. Madje, dua të më nxjerrësh edhe me gruan, lajm të parë, me djalin, po kështu edhe me vajzën. Bëjini edhe një intervistë gruas sime. Merruni me mua. Merruni me jetën time private, çomëni në çdo shtëpi. Të mos ketë tjetër jetë private, unë jam jeta dhe interesi primar i gjithkujt”.
E, nëse Tirana ka njerëz të zotë për ta zaptuar median dhe dritaren nga ajo hyn në çdo shtëpi, nëpër rrethe, lufta për pak ekspozim publik është e lartë. Një zgjidhje është gjetur. Të dy kryetarët po shëtisin nëpër Shqipëri dhe, me atë rast, dalin krah tyre edhe kandidatët në ndonjë televizion që mbulon gjithë territorin. Kurse mënyra e dytë, akoma më e veçantë, është përdorimi i posterave. Jo vetëm te emrat (Bilal, Kucodil, Rrahmadin, Arif, Gjysel etj.), por, mbi të gjitha, te fotot që kanë zgjedhur këta burra për të reklamuar veten e tyre. Shpenzimet për to duken më të lartat e bëra për ndonjë fushatë në Shqipëri. Është hera e parë që shoh Shëngjinin, Fushë-Krujën, Kuçovën, Burrelin, apo edhe Gosën me kaq shumë postera burrash që nuk shesin brisqe, as parfume, as autolarje, jo. Janë kandidatët më të çuditshëm që mund të mendosh. Jo vetëm vizualisht, se pamja vërtet vlen më shumë se një milion fjalë e shpjegime, si nga ata që e shohin, ashtu dhe nga personi që është në të. Po, përderisa media qendrore, për këta tipa nuk ka si të ketë kohë apo interes, ata kanë zgjedhur të shpenzojnë këtë vit miliona lekë për të treguar çfarë? Ç’tregojnë fotot e këtyre mesoburrave që kanë dalë edhe me syze dielli, në këmbë, me duar në xhepa, edhe mbi motor?
Mesoburri i BBC-së pagoi gjyqin që të nxirrte vendim të ndalonte publikimin e jetës së tij private; në Shqipëri, të gjithë këta mesoburra kanë bërë lloj-lloj pozash, fotosh e spotesh për ta na e imponuar personalitetin dhe jetën e tyre, publike e private, me zor.
“Fajin e kemi ne, nuk e kanë ata”, thotë një koleg i medias, që si shumë të tjerë, ndjehet i bezdisur nga mediatizimi i politikanëve, kandidatëve e i pretenduesve për të qenë të tillë, por edhe i pafuqishëm për t’i vënë fre përqasjes tejet politike që vetë pushteti i katërt ka krijuar.
Kush po e përcakton axhendën publike të fushatës: media, apo politika? Pushteti duket se është akoma absolut e nuk ka arritur ende në nivelin katër.
Ndaj, përreth dhe përballë do të shohim akoma mesoburra dhe një media ku Andreë Marr nuk do të kishte pasur mundësi as ta bllokonte, as ta zhbllokonte me ndonjë urdhër gjykate, e jo më të ndizte debate se ç’është morale apo legjitime të publikohet e ç’duhet mbajtur larg syrit publik. E gjithë politika duhet të mbahet larg në kushtet ku ndodhet, se dëmton rëndë publikun me manipulimet dhe falsitetin e saj. Po ja që në Shqipëri gjërat funksionojnë ndryshe dhe debatet publike as që kanë ndonjë lidhje me sjelljet mediatike, e jo më me të mirën e publikut vetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura